1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zhvendosjet në Mitrovicë

Rreth 10 mijë shqiptarë të Mitrovicës së veriut edhe 11 vjet pas luftës jetojnë larg vatrave të veta, nga të cilat i ndan vetëm ura e Ibrit. Si jetojnë ata çfarë po bëhet për kthimin e tyre ne vatrat e tyre?

default

Lumi Ibër, që ndan Mitrovicën

Ditë prilli në Mitrovicë. Pranverë si çdokund tjetër, edhe në këtë qytet të ndarë në dysh nga lumi Ibër, i cili rrjedh i qetë për dallim realitetit të mjegullt rreth e rrotull tij. Sepse ura mbi brigjet e tij nuk bashkon pjesët e qytetit, por i ndan dy popuj, të cilët në një të kaluar jo të largët jetonin në paqe. Dhe sot, 11-të vjet pas luftës, ky lum mbetet vija, ku shqiptarë e serbë ndahen në dy shtete: në jugun e banuar me shqiptarë, i cili funksionon me ligjet e Republikës së Kosovës dhe në veriun e banuar me serbë, i cili funksionon me ligjet e Republikës së Serbisë. Ndërkohë nga stacionet policore jug e veri, megjithëse në gjuhë të ndryshme vjen porosia e njëjtë:

Kujdes me rastin e kalimit në veri!

Se përkundër pohimeve të vazhdueshme se situata në Mitrovicë është e qetë, qyteti i ndarë edhe më tej mbetet arenë konfliktesh, si pasojë e së cilës ndryshoi edhe struktura e popullsisë. Për shkak të dëbimit të dhunshëm gjatë luftës dhe uzurpimit të pronave nga serbët pas përfundimit të saj, rreth 10 mijë shqiptarë të Mitrovicës së veriut edhe 11-të vjet pas luftës jetojnë larg vatrave të veta.

Mitrovica Rasim Veseli

Rasim Veseli, Drejtor i Sherbimeve Publike dhe Infrastructurës në komunën e Mitrovicës.

„Para luftës në pjesën veriore kanë jetuar afro 12 mijë qytetarë shqiptarë. Tash jetojnë rreth 3000 prej tyre, ndërsa numri i të zhvendosurve sillet rreth 10 mijë”-shpjegon për DW-në Rasim Veseli, Drejtor i Sherbimeve Publike dhe Infrastructurës në komunën e Mitrovicës.

Avni Alidemaj, 40 vjeç, zyrtar i OJQ-së CBM(Comunity Bilding in Mitrovica)është shqiptar i lindur dhe i rritur në pjesën veriore te Mitrovicës.

„Që don të thotë, jam mitrovicas i vjetër, që kam jetu në veri të Mitrovicës deri me 1999. Me fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, jemi zhvendosur me dhunë dhe që atëherë vazhdojmë të jetojmë si persona të zhvendosur përbrënda vendit. Unë jetoj në jug të Mitrovicës me familjen time. Shtatë vjet kam paguar qira, ndërsa tash jetoj në shtëpinë e një të afërmit tim“, thotë Avniu.

Mitrovica Vertriebener Albaner

Avni Alidemaj, shqiptar i dëbuar nga veriu i Mitrovicës

Por përderisa një numër i shqiptarëve të veriut banojnë me qira, disa janë shpërndarë nëpër qytete të tjera të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër jetojnë në qendra kolektive të komunës së Mitrovicës, dhjetëra prej tyre për të mbijetuar janë detyruar të shesin pronat në veri. Milutin Spiric, 81 vjec nga fshati Pantinë i komunës së Vushtrisë, jeton në njërën nga pronat e shqiptarëve të veriut të blera me shuma të majme nga qeveria e Serbisë.

„Tash jetoj në Mahallën e Boshnjakëve në një shtëpi, të cilën e ka blerë qeveria e Serbisë nga një shqiptar i veriut. Atë ma ka dhënë komuna e Mitrovicës. Komuna serbe, pra!“-thotë 81 vjeçari, të cilin e gjejmë në treg, teksa shet mollë me monedha të Serbisë.

Por çfarë po bëhet në çështjen e kthimit të shqiptarëve në veriun e Mitrovicës, në një kohë kur çështja e kthimit të pakicave në vatrat e veta është ndër prioritetet e qeverisë së Kosovës?

“Deri tani në “Lagjen e Doktorëve” i kemi të kthyera diku 11-të familje. Në “Kroin e Vitakut” 17-18 familje. Ne do të vazhdojmë me projekte të të tjera rindërtimit të shtëpive edhe ne Lagjen “7 shtatori”, në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe në “Kodrën e Minatorëve”, por në të njëjtën kohë do të vazhdojmë me ndërtim të infrastrukurës edhe në pjesë tjera”, përgjigjet drejtori Veseli, i cili inkurajon banorët e Mitrovicës pa dallim kombësie se në një të ardhme të afërt do të ketë zgjidhje për të gjithë.

Nuk verehen iniciativa për kthimin e shqiptarëve

Ndërsa një realitet, i cili vërehet në Mitrovicë është trajtimi i pabarabartë i komuniteteve sa i përket kthimit dhe rindërtimit të shtëpive.

“Trajtim i barabartë vërehet veç nga qeveria e Kosovës, por jo edhe nga bashkësia nderkombtare, e cila krahas kontributit për ndërtimin e shtëpive për komunitetet tjera, nuk ka shprehur ndonjë interesim edhe për kthimin e shqiptarëve në veri të Mitrovicës”-thote drejtori Veseli.

Shembull tipik i kësaj dukurie është “Mahalla e Romëve” në veri të Mitrovices, ku krahas ndërtimit të gjashtë objekteve të banimit kolektiv me 72 apartamente për komunitetin rom, me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe të USAID-it amerikan është mundësuar ndërtimi i 140 shtëpive të tjera për romët e kësaj lagjeje, të cilët jetojnë në kampet “Qesmin Llug” dhe “Osterode”; iniciativë që nuk është vërejtur edhe për shqiptarët e veriut të Mitrovicës, 10 mijë prej të cilëve tash 11-të vjet jetojnë të zhvendosur përbrënda vendit, edhe pse nga pronat e tyre në veri i ndan veç Ura e Ibrit.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 29.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N9cK
  • Data 29.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N9cK