1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zhvendosje refugjatësh brenda BE-së

Italia dhe Greqia janë të mbingarkuara me numrin e azilkërkuesve, prandaj 40.000 azilkërkues pritet të shpërndahen sipas një kuote në shtetet e tjera të BE-së.

Komisioni i BE-së dëshiron të mundësojë për herë të parë përdorimin e një paragrafi nga traktatet e BE-së, i cili lejon në raste të veçanta zhvendosjen e refugjatëve brenda BE-së. Italia dhe Greqia janë të mbingarkuara me numrin e azilkërkuesve, prandaj 40.000 azilkërkues pritet të shpërndahen sipas një formule të caktuar në shtetet e tjera anëtare të BE-së. Megjithatë komisionerit të BE-së Dimitris Avramopulos i duhet ende shumë punë bindëse për planin e tij. Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda mund të tërhiqen menjëherë prej këti plani, sepse ato gëzojnë të drejta të veçanta. Franca, Spanja, Hungaria, Portugalia, Republika Çeke, shtetet baltike dhe Sllovakia janë shprehur kundër shpërndarjes së refugjatëve në bazë të kuotave. Prandaj sipas vlerësimeve të diplomatëve të BE-së në takimin e ardhshëm të ministrave të Brendshëm të BE-së në mes të qershorit, vështirë që të arrihet shumica e kualifikuar e nevojshme në Këshillin e Ministrave të Brendshëm të BE-së.

Thomas de Maizière dhe Dimitris Avramopulos

Thomas de Maizière dhe Dimitris Avramopulos

Solidaritet mes vendeve anëtare

Po ashtu jo të gjitha shtetet e BE-së mendojnë se Italia është është e mbingarkuar me problemin e refugjatve dhe se gjendet para një situate emergjence. Gjermania p.sh. e akuzon Italinë s enuk i regjistron si duhet refugjatët dhe i lë ata që të shkojnë në veri të Evropës. Por Dimitris Avramopulos mendon se propozimi i tij ka të bëjë jo me vendosjen e kuotave për refugjatët ilegale, por me shpërndarjen e atyre që kërkojnë mbrojtje dhe se në thelb bëhet fjalë për një solidaritet brenda BE-së.

Propozimi i Komisionit të BE-së ka të bëjë me azilkërkues nga Siria dhe Eritrea dhe rreth 75% e kërkesave për njohje të së drejtës së azilit në rastin e tyre pranohen. Po ashtu Komisioni i BE-së parashikon që për çdo azilkërkues që shpërngulet vendet e tjera të BE-së, këtij vendi i paguhen 6.000 euro si shpërblim. Vendimi për njohjen apo jo të kërkesës për azil është në dorën e secilit shtet.

Sa u përket kuotave të shpërndarjes, ato lidhen me madhësinë dhe fuqinë ekonomike të secilit vend. Kështu në rastin e Gjermanisë kjo kuotë do të ishte 18%, pra rreth 8.000 azilkërkues. Eurodeputetja gjermane Ska Keller, e partisë Ekologjike, mendon se kjo është një gjë e përballueshme.

Zgjerim i "kontigjetit" për azilkërkuesit nga Siria

Përveç 40.000 azilkërkuesve që gjenden në Itali dhe Greqi dhe pritet të shpërndahen, Komisioni i BE-së propozon që nga kampet e refugjatëve nga Siria që gjenden jashte BE-së të pranohet edhe një kontigjent refugjatësh prej 20.000 vetësh. Edhe këta synohet të ndahen sipas kuotave, po ato duhet të përcaktohen me baza vullnetare. Disa shtete, ndër të edhe Gjermania, janë shprehur të gatshme për të pranuar kontiogjente të tilla. Këta refugjatë vijnë në BE jo si ilegalë, por me dokumente të rregullta.

Po ashtu parashikohet që në rast se ka ndryshime në vendet ku zbarkojnë anijet me refugjatë ilegalë, si p.sh. në rastin e Maltës, kuoatat e shpërndarjes të mos aplikohen vetëm për Italinë dhe Greqinë, por edhe për vende të tjera.

Politika e re ndaj refugjatëve synon edhe zgjerimin e fushës së operacionit të misionit "Triton" që do të mbikqyrë të gjithë zonën detare mes Libisë dhe Italisë për të shpëtuar refugjatët që mund të kenë avari në det. Ky mision i agjencisë Frontex do të jetë po aq i gjerë sa misioni italian "Mare Nostrum", i cili u mbyll në dimër, sepse Italia nuk mund t'i përballonte më shpenzimet.