1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Zhgënjim tek socialdemokratët gjermanë

Ashtu si pritej, rezultatet e votimit nuk mjaftojnë për një koalicion qeverisës të socialdemokratëve me ekologjistët. Por partia mund të ketë tani si objektiv pjesëmarrjen në një koalicion të madh.

Pritej, ose të paktën shpresohej për më shumë. Kandidati socialdemokrat për kancelar Peer Steinbrück kandidoi për të zëvendësuar Angela Merkelin dhe të krijonte qeverinë së bashku me ekologjistët (Bündnis 90/Die Grünen). Por nga ky objektiv socialdemokratët janë shumë larg. Partia arriti të shënojë vetëm një rritje të lehtë të numrit të votave prej 3 për qind. Në zhgënjimin për rezultatin e vet, përzihet megjithatë kënaqëisa për humbjen e liberalëve (FDP) të cilët nuk arritën pragun prej 5 për qind për të hyrë në parlament. Kështu koalicioni konservatoro-liberal nuk u rizgjodh. Në qendrën e socialdemokratëve, pallatin Willy-Brandt, shpërthyen brohoritje frenetike kur u bë e ditur humbja e FDP-së.

Koalicion i madh?

Kandidati socialdemokrat për kancelar Steinbrück dhe kryetari i SPD-së, Gabriel.

Kandidati socialdemokrat për kancelar Steinbrück dhe kryetari i SPD-së, Gabriel.

Tani socialdemokratët do të konsultohen nëse do të hyjnë në një koalicion të madh me kristiandemokratët. Atmosfera në SPD ishte qysh para ditës së zgjedhjeve pozitive ndaj kësaj pyetjeje: socialdemokratët nuk do ta refuzojnë mandatin e dhënë nga zgjedhësit dhe do të formojnë përsëri një qeveri me Unionin Kristiandemokrat/Kristiansocial.

Por kandidati socialdemokrat për kancelar Peer Steinbrück, nuk është i gatshëm të marrë post ministri në një koalicion të tillë. "Unë dua të jem kancelar në krye të një koalicioni mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve", tha ai për "Bild am Sonntag". "Për kabinetin e një koalicioni të madh nuk do të isha në dispozicion." Në të njëjtën kohë ai nënvizoi se edhe në rast humbjeje do të vazhdojë të luajë një rol drejtues në SPD. Se cili do të jetë ky rol do të varej nga rezultati i zgjedhjeve. Ndoshta ai do të drejtojë negociatat me Merkelin për krijimin e qeverisë.

Bashkëpunim i mirë me Unionin CDU/CSU

Në koalicionin e madh që qeverisi në Gjermani nga 2005 deri 2009 Steinbrück ishte ministër i Financave. Raporti i tij me Kancelaren Angela Merkel konsiderohej në atë kohë si plot besim dhe konstruktiv. Së bashku atyre iu desh të përballonin fillimin e krizës financiare. E paharruar është dita kur në një paraqitje dramatike në televizion, ata u premtuan gjermanëve se kursimet e tyre do të ishin të sigurta.

Steinbrück: fushata elektorale më fali kënaqësi

Peer Steinbrueck duke hedhur votën të dielën (22.09.) në një qendër votimi në BonnPeer Steinbrueck,

Peer Steinbrueck duke hedhur votën të dielën (22.09.) në një qendër votimi në Bonn

Kandidati i SPD-së për kancelar luftoi deri në fund. Ai nuk u dekurajua nga rezultatet e pavaforshme të sondazheve për partinë e tij. Në ditët e fundit para zgjedhjeve ai dukej mjaft komfortabël në rolin e sfiduesit të Merkelit. Me shumë shpirt luftarak dhe energji kreu një program elektoral të ngjeshur me fjalime publike dhe paraqitje të shumta në televizion. Në duelin televiziv me Kancelaren Merkel mori jehonë pozitive nga shikuesit. Në finish të garës, dukej se ishin harruar thuajse plotësisht disa nga gafat e fillimit të kandidaturës.

Duke hedhur votën të dielën (22.09.) në një qendër votimi në Bonn, ku jeton me bashkëshorten, Steinbrück tha se fushata i kishte falur shumë kënaqësi. SPD qe në gjendje të profilizohej qartë kohët e fundit, tha Steinbrück.