1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zhgënjim i garantuar për punësimin e të rinjve

Shtetet anëtare të BE-së duhet të krijojnë kushte më të mira për krijimin e vendeve të reja dhe të qëndrueshme të punës.

"Ne duhet të kemi më shumë sukses në luftën kundër papunësisë së të rinjve", theksoi kancelarja gjermane Angela Merkel në verë. Samiti i posaçëm i BE-së vendosi Garancinë Evropiane për të Rinjtë: asnjë i ri nën-25-vjeç nuk duhet të presë më shumë se katër muaj për një vend pune ose shkollimi profesional. Komisioni i BE-së vendosi një sërë masash konkrete për luftimin e papunësisë së të rinjve dhe një paketë prej tetë miliardë eurosh. Prej kësaj pakete pritet të përfitojnë sidomos të rinjtë.

Por jo çdo i ri i papunë mund të përfitojë nga paratë e Brukselit, sepse tetë miliardë eurot vihen në dispozicion vetëm për rajonet në të cilat papunësia në radhët e të rinjve është mbi 25 për qind. Këto rajone janë kryesisht në Spanjë, Greqi apo Portugali. Me paratë e Brukselit do të organizohen në nivel lokal aktivitete për t'u ardhur në ndihmë të rinjve që të gjejnë punë. Po ashtu me to pritet të krijohen gjithashtu stimuj për të nxitur mobilitetin brenda Evropës. Subvencione mund të përfitojnë edhe ato ndërmarrje që punësojnë të rinj.

Jutta Steinruck

Jutta Steinruck

Euro-deputetja socialiste Jutta Steinruck u bën thirrje qeverive të shteteve anëtare që të krijojnë kushte më të mira për krijimin e vendeve të reja dhe të qëndrueshme të punës. Ajo kërkon që "politika dhe biznesi t'i përdorin bashkarish paratë që të krijojnë vende punë me cilësi të mirë. "Një ndër problemet e para që lidhen me paketë prej tetë miliardë eurosh është se shtetet që do të përfitojnë nga kjo duhet t'i bashkëfinacojnë projektet dhe vendet në krizë nuk kanë para për këtë.

Holger Schäfer

Holger Schäfer

Tetë miliardë euro janë shumë shumë pak për të gjitha çështjet e tregut të punës, thotë Holger Schäfer, ekonomist dhe ekspert për tregun e punës në Institutin për Ekonominë Gjermane. "Nëse këtë punë do ta organizojë shteti, atëherë kjo gjithmonë do të varet nga financimi përmes taksave. Këto taksa bëjnë që të shkatërrohen vende pune diku tjetër." Vendet e punës të subvencionuara nga shteti jo vetëm kushtojë shumë të holla por në rastin më të keq mund t'i pengojnë të rinjtë që të gjenë punë, thotë Holger Schäfer. Këta njerëz do t'i dërgojnë nëpër trajnime dhe kurse kualifikimi, në mënyrë që t'i heqin nga statistikat e atyre që kërkojnë punë.

Danimarka, Finlanda, Austria dhe Suedia ofrojnë garanci për të rinjtë - po pa ndonjë sukses të dukshëm. Papunësia e të rinjve është rritur edhe atje dhe nuk ka ndonjë ndryshim për mirë në krahasim me normën e papunësisë ndër të rriturit. Kjo sepse premtimi për punësim nuk mbahet. Përqindja e të rinjve pa punë është në Finlandë 21% dhe në Suedi 23% . Papunësia e të rinjve nuk është ndonjë problem i veçantë, por shprehje e situatës së dobët të punësimit në përgjithësi. : Parimi është, sa më e lartë është përqindja e papunësisë në një vend, aq më e lartë është edhe papunësia në radhët e të rinjve.

Symbolbild duales Ausbildungssystem

Garancia Evropiane për të Rinjtë nuk garanton në këtë formë punë të përhershme në tregun e punës, mendon ekonomisti Schäfer. "Papunësia në vend është papunësi koniukturale dhe ajo nuk mund të luftohet përmes politikës së tregut të punës." Ai mendon se politika duhet të krijojë kushte kornizë të favorshme për sipërmarrjet, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të hapin vende të reja pune për të rinjtë.

Takimi i radhës i BE-së për luftën kundër papunësisë së të rinjve në Paris do të japë impulse të reja, por nuk do ta zgjidhë problemin e papunësisë. Gjithësesi pas takimeve në Bruksel dhe Berlin ai do t'u bëjë të qartë të rinjve se qeveritë e marrin seriozisht këtë problem. Por megjithatë vetëm me një politikë të pastër tregu pune të nuk mund të sigurohet një garanci evropiane punësimit për të rinjtë e papunë.