1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zhelevi ruajti paqen në Bullgari

Ish-Presidenti i Bullgarisë, Zhelju Zhelev ndërroi jetë. Ai ishte një politikan i jashtëzakonshëm, i cili kontribuoi në mënyrë vendimtare për tranzicionin paqësor në Bullgari.

Kur një këshilltare i tha Presidentit të atëhershëm të Bullgarisë, Zhelju Zhelev:"Më duhet të flas urgjentisht me ty!" ai ia ktheu: "Kundër kujt?". Sepse Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bullgarisë donte që veprimi i tij politik të kishte gjithmonë bazë morale. Por pikërisht në këtë gjë dështoi karriera e tij politike.

Filozofi Zhelju Zhelev ishte njëri nga disidentët e pakët bullgarë para kthesës politike. Në vitin 1964 atë e përjashtuan nga Partia Komuniste, sepse në dizertacionin e tij u kishte vënë pikëpyetje mësimeve të Leninit. Në tetë vitet që pasuan, ai ishte ose i papunë, ose bënte punë të rastit. Në vitin 1981 ai botoi monografinë "Fashizmi", në të cilën analizonte mekanizmat e shoqërisë totalitare. Ky libër filloi shpejt të rekomandohej fshehtas nga intelektualët që mendonin në mënyrë kritike, të cilët e lexuan si një aktpadije kundër sistemit politik në Bullgari. Pushtetmbajtësit komunistë e ndaluan librin dhe e hoqën nga libraritë.

Bulgarien Genscher Wolkow

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Miqësisë (09.10.1991) nga ish-ministri i Jashtëm gjerman Hans-Dietrich Genscher dhe homolug bullgar Viktor Volkov në prani të presidentit Zhelju Zhelev

Ndalimi i kaosit dhe dhunës

Në kohët e turbullta midis fillimit të vitit 1988 dhe fundit të vitit 1989 Zhelevi mori pjesë shumë aktive në strukturat opozitare që po krijoheshin atëherë në Bullgari. Ai ishte bashkëthemelues i "Klubit për Mbështetjen e Glaznostit dhe të Perestroikës në Bullgari", në të cilin u krijua opozita politike.

Pak pasi u largua nga posti diktatori komunist i Bullgarisë, Todor Zhivkov më 10 nëntor 1989, Zhelevi luajti një rol vendimtar në themelimin e Bashkimit të Forcave Demokratike (SDS). Kjo lëvizje shumë heterogjene politike, e cila u zhvillua më vonë në një parti të qendrvs së djathtë nën drejtimin tij, kontribuoi nën udhëheqjen për tranzicionin e padhunshëm për në demokraci. Në fund të vitit 1989 dhe në fillim të vitit 1990, nacionalistët bullgarë vepruan në mënyrë shumë agresive kundër minoritetit turqishtfolës në Bullgari dhe vendi ishte vetëm një hap larg luftës civile. Me angazhimin e tij të zgjuar dhe të moderuar Zhelevi arriti të pengonte shpërthimin e dhunës dhe kaosin politik. Kundërshtarët e tij brenda partisë, të cilët e përmbysën më vonë, e kritikuan atë me këtë rast ashpër- me bindjen se komunistët mund të rrëzohen vetëm me dhunë nga pushteti

Partia iSocialiste Bullgare sh-komuniste i fitoi zgjedhjet parlamentare më 10 qershor 1990. SDS e Zhelevit doli forca e dytë politike në Parlamentin e Madh. Pak pas kësaj, Parlamenti e zgjodhi atë Presidentin e parë demokrat të shtetit, si kompromis me opozitën dhe si ventil për tensionet në vend.

Prishje me partinë e tij

Kur SDS i fitoi në 1991 zgjedhjet parlamentare dhe formoi qeverinë nën pasardhësin e Zhelevit, Filip Dimitrov, Bullgaria e kishte marrë përfundimisht rrugën në drejtim të demokracisë, ekonomisë së tregut dhe të Evropës. Qeveria nisi reformat e para, anëtarësimi në NATO dhe në BE ishte në rend të ditës.

Në politikën e jashtme, Dimitrovi dhe Zhelevi morën një vendim shumë të rëndësishëm , i cili për shkak të dimensionit historik ishte shumë i diskutueshëm në Bullgari: Sofia ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Republikës së Maqedonisë. Kjo ishte një vendosje vendimtare piketash për bashkëjetesën paqësore me ish-fqinjin jugosllav, ndaj të cilit jo pak bullgarë kishin edhe pretendime territoriale.

Në vitin 1992 pastaj pasoi prishja e marrëdhënieve. Pasi Zhelevi e kritikoi publikisht qeverinë në fushatën elektorale para zgjedhjeve të para direkte presidenciale, atë partia e tij e mohoi. Për shkak të popullaritetit të tij ai vërtet i fitoi zgjedhjet, por nuk ai nuk kishte më bazë politike. Dhe pas mandatit të tij të dytë më 1997 atë e larguan. Ishin pikërisht besnikëria e tij ndaj parimeve dhe sinqeriteti që ia pamundësuan një karrierë më të gjatë politike. Pas kësaj, Zhelevi u përpoq disa herë por pa sukses. Në fund ai themeloi Klubin Politik të Ballkanit, në kuadër të të cilit takoheshin ish-presidentë shtetesh në mënyrë joformale për të folur për zhvillimet aktuale në rajon. Por kjo iniciativë mbeti një raund elitar bisedimesh. Zhelju Zhelev vdiq në moshën 79 vjeçare. Ai ishte një politikan i jashtëzakonshëm, të cilit Bullgaria e sotme i dedikon shumë. Kjo u vlerësua në orën e përmortshme (30.01.2015) në Parlamentin e Bullgarisë nga të gjitha partitë.