1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjidhje për "sans papier"

Qeveria belge do të ofrojë zgjidhje për disa mijëra azilkërkues që presin, pjesërisht prej shumë vitesh, që autoritetet të vendosin mbi kërkesat e tyre për azil.

Migrante ne radhe

Në Belgjikë llogaritet se ndodhen rreth 100.000 "sans papier", imigrantë pa dokumenta

Mijëra imigrantë në Belgjikë do të marrin më në fund dokumentet e qëndrimit. Rreth 100.000 azilkërkues presin, pjesërisht prej shumë vitesh, që autoritetet të vendosin mbi kërkesat e tyre për azil. Tani duket se qeveria belge do të ofrojë një zgjidhje për disa mijëra syresh.

Në Belgjikë ata njihen nga të gjithë: vazhdimisht të ashtuquajturit "sans papier" - pa dokumente - tërheqin vëmendjen ndaj situatës së tyre me aksione spektakolare. Në qendër të Brukselit disa prej tyre patën pushtuar pak muaj më parë vinçat e kantiereve të ndërtimit. Vazhdimisht ata zaptojnë shtëpi bosh, në muajin prill njëqind imigrantë nga Afrika hynë në një grevë urie. Të ashtuquajturit "sans papiers" janë imigrantë që pjesërisht presin prej shumë vitesh të merret vendim për kërkesat e tyre për azil.

Qeveria belge prej vitesh e zvarrit problemin por tani kryeministri van Rompuy ushtroi trysni të fortë dhe me sa duket me sukses. Në një procedurë të përshpejtuar u arrit një zgjidhje, e cila pritet të shtensionojë situatën: Duke filluar nga 15 shtatori për tri muaj rresht, imigrantëve që ndodhen në Belgjikë pa leje qëndrimi, do t'u jepet mundësia unike të paraqesin një kërkesë përkatëse:

"E nevojshme është që kërkesa të paraqitet nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor",- shpjegon kompromisin Ministrja e Çështjeve Sociale, Laurette Onkelinx.

Kusht është që aplikanti të ketë jetuar pesë vitet e fundit pa ndërprerje në Belgjikë. Për ata që kanë gjetur një punë mjaftojnë edhe dy vjet e gjysmë.

Në këtë mënyrë synohet të legalizohen ata azilkërkues të cilët kanë një "ankorim social afatgjatë", apo ata që presin prej një "kohe jo normale" të gjatë, thuhet në kompromis. Vendimi do të merret rast për rast.

"Ne kërkojmë që ky rregull tani të zbatohet. Por duhet parë se në ç'mënyrë do të aplikohet ai", thotë Coralie Hubleau nga një prej organizatave humanitare për imigrantët pa dokumente.

Gati 25.000 "sans papiers" mund të përfitojnë nga ky rregull dokumentet e qëndrimit, nga rreth 100.000 që llogaritet se ndodhen në Belgjikë. Por po aq e madhe është pakënaqësia e atyre që përjashtohen nga rregulli: që prej fillimit të kësaj jave disa qindra imigrantë pa leje qëndrimi kanë ngritur çadrat përpara selive të partive në Bruksel.

Oscar Flores është zëdhënës i një organizate që mbështet imigrantët pa dokumente qëndrimi. Ai proteston përpara selisë së Partisë Socialiste në qendër të Brukselit:

"Ata (qeveritarët) do të shohin se vitet e ardhshme do të ketë probleme të reja. Në këtë mënyrë u vihet në ndihmë disave por nuk rregullohet problemi i imigracionit në Belgjikë."

Dhe vërtet, problemi thelbësor do të vazhdojë të ekzistojë: dhjetëra mijëra "sans papiers" do të vazhdojnë të presin më kot marrjen e një vendimi mbi statusin e tyre.

Autor: Michael Götschenberg/Eliana Xhani
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 22.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IvME
  • Data 22.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IvME