1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Zgjidhje me dy shtete ose koloni ngulimesh" - Presidenti palestinez Abbas i përgjigjet Netanjahut për konfliktin në Lindjen e Mesme

Presidenti amerikan Barack Obama të enjten (19.5.) do të mbajë një fjalim parimor për politikën e ardhshme amerikane për Lindjen e Afërt. Palët në konflikt, Izraeli dhe Palestina, që tani kanë marrë pozicionet e tyre.

Mahmoud Abbas tek Kombet e Bashkuara në New York

Mahmoud Abbas tek Kombet e Bashkuara në New York

Kur në shtator të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, shtetet anëtare të OKB-së duhet të mbështesin palestinezët në shpalljen e pavarësisë. Këtë thirrje u ka drejtuar atyre presidenti i palestinezëve Mahmud Abbas, në të përditshmen New York Times.

Palestinezët i drejtohen Kombeve të Bashkuara, kështu shprehet Abbas, pasi "ne kemi negociuar për 20 vjet me shtetin e Izraelit, pa iu afruar aspak shtetit tonë të pavarur". Palestinezët nuk mund të presin "pafundësisht", ndërkohë që Izraeli dërgon gjithnjë e më shumë kolonë në territoret e pushtuara të Jordanit Perëndimor, dhe u ndalon palestinezëve të shkojnë në vendin e tyre dhe vendet e tyre të shenjta, para së gjithash në Jeruzalem.

Barack Obama me Benjamin Netanyahun dhe Mahmoud Abbas

Barack Obama me Benjamin Netanyahun dhe Mahmoud Abbas

Në artikullin e tij për gazetën "New York Times", shefi i autoritetit të territoreve autonome palestineze, thotë edhe se kryeministri izraelit Benamin Netanjahu refuzon të njohë si partner në bisedimet për paqe qeverinë palestineze, të mbështetur nga Fatahu dhe Hamasi. Tekstualisht Abbas shkruan: "Zgjedhja nuk është mes bashkimit palestinez apo paqes me Izraelin, por mes një zgjidhjeje me dy shtete apo ngulimeve të kolonëve."

Kryeministri izraelit Netanjahu të premten (20.5.) do të takohet në Uashington me presidentin e SHBA-së Barack Obama. Të hënën në mbrëmje (16.5.) duke folur para parlamentit izraelit, Knesset, Netanjahu kishte theksuar se nuk do të negociojë me një qeveri palestineze, e cila mbështetet nga Hamasi: "Një qeveri palestineze, gjysma e anëtarëve të së cilës deklarojnë çdo ditë se duan të shkatërrojnë shtetin hebre, nuk është një partner për paqe. Ne duhet t'i japim fund fajësimit të vetvetes për dështimin e bisedimeve. Përkundrazi, duhet t'i themi gjërat siç janë. Shkaku i vërtetë është refuzimi i palestinezëve për të njohur shtetin e Izraelit si atdheun kombëtar të popullit hebre."

Të dy, Netanjahu me fjalimin e tij në Knesset dhe Abbasi me shkrimin e tij në "New York Times", përpiqen të influencojnë fjalimin e presidentit amerikan Barak Obama për Lindjen e Afërt.

Barack Obama me Benjamin Netanyahun dhe Mahmoud Abbas

Barack Obama me Benjamin Netanyahun dhe Mahmoud Abbas

Obama pritet ta mbajë të enjten (19.5.) fjalimin e tij. Mediet izraelite njoftojnë se ai është kundër shpalljes së pavarësisë nga palestinezët nga asambleja e përgjithshme e OKB-së; në vend të kësaj ai do t'u bëjë thirrje palëve të rifillojnë bisedimet për paqe. Izraeli duhet të kthehet në kufijtë e tij të vitit 1967, duke marrë parasysh një këmbim territori, i cili duhet miratuar nga palestinezët.

Gazeta izraelite "Yedioth Achronoth" njofton duke iu referuar tekstit paraprak të fjalimit të Obamës, se presidenti amerikan do të kërkojë nga Netanjahu të pezullojë aktivitetet e vendosjes së kolonëve në Bregun Perëndimor. Obama do ta quajë Jeruzalemin kryeqytet të dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës. Pjesët e qytetit të banuara me shumicë nga izraelitët do t'i takojnë kryeqytetit të Izraelit, pjesa tjetër kryeqytetit palestinez. Që tani ka përpjekje intensive nga qeveria e Netanjahut, që të dobësohen në fjalimin e Obamës, pjesët kritike për Izraelin, njofton gazeta "Yedioth Achronoth".

Autor: Clemens Verenkotte/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama