1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zgjidhja paqësore ende larg- Pesë vjet më parë Izraeli u largua nga Rripi i Gazës

Tërheqja e Izraelit nga Rripi i Gazës nuk ka influencuar për konturimin e një zgjidhjeje të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Ushtarët izraelitë largohen nga Rripi i Gazës

Ushtarët izraelitë largohen nga Rripi i Gazës

Gati 2.000 familjeve iu desh të largoheshin në mes të gushtit 2005 nga vendbanimet, të cilat Izraeli i pat ndërtuar në territorin palestinez gjatë luftës gjashtëditore në vitin 1967. Pas kësaj konflikti u ashpërsua me marrjen e pushtetit nga Hamasi në Rripin e Gazës dhe me bllokadën izraelite.

Kryeministri i atëhershëm izraelit Ariel Sharon si ushtarak, por aq më tepër si politikan vazhdimisht është angazhuar për zgjerimin e Izraelit, në mënyrë që ai të krijonte mundësisht një sipërfaqe të njëjtë sa territori gjeografik i Palestinës - që për hebrejtë “Eretzi biblik izraelit”.

Varka palestineze peshkimi para Rripit të Gazës

Varka palestineze peshkimi para Rripit të Gazës

Vetëm për Bushin?

Sigurisht që si kryeministër ai nuk hoqi dorë nga kjo ëndërr, për më tepër që në Uashington George W. Bush ndiqte një linjë pro- izraelite pa kushte. Në fund të vitit 2003 Sharoni dha një deklaratë, që askush nuk e priste: „Të mbash nën pushtim tremilionë e gjysmë palestinezë është për mendimin tim shumë e rëndë. Kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht.“

Në Izrael hapën veshët. Sharon me këtë deshi t' i plotësojë dëshirën vetëm Bushit, i cili në sytë e botës arabe ishte diskredituar si mik i Izraelit dhe si armik i arabëve. Por kjo çështje mbeti në diskutim. Një vit më vonë kryeministri bëri të ditur, se Izraeli do të largohet nga Rripi i Gazës e madje edhe nga një pjesë e Bregut Perëndimor të Jordanit.

Në Shtëpinë e Bardhë këto deklarata u pritën me lëvdata, ndërsa nga zyra e presidentit palestinez Mahmud Abaz bëhej thirrje që Izraeli nuk duhet të veprojë në mënyrë të mëvetsishme, por këto hapa duhen ndërmarrë në marrëveshje dhe të jenë pjesë e një rregullimit përfundimtar të paqes.

Hamasi trajnon të rinjtë në Rripin e Gazës

Hamasi trajnon të rinjtë në Rripin e Gazës

Plani nuk ishte i ri

Tërheqja nga Gaza u vendos për më 15 gusht 2005. 21 vendbanimet me 1.500 familje hebreje duhet të evakuoheshin brenda 48 orësh, ndërsa për heqjen e komplekseve ushtarake u la më shumë kohë. Më 12 shtator nuk duhet të kishte më izraelitë në Rripin e Gazës.

Në thelb ky nuk ishte ndonjë plan i ri: Presidenti aktual Shimon Peres kishte luajtur para shumë vitesh me idenë për tu larguar nga Gaza. “Gaza first”, quhej ideja e cila natyrisht nuk premtoi tërheqje të mëtejshme, por synonte vetëm të hiqte qafe Gazën si vatër trazirash, që gjithnjë e më po dëshmohej si pengesë.

Sharon ra në koma

Për Sharonin plani i tërheqjes megjithatë rezultoi si një problem i madh në politikën e brendshme. Atij iu desh madje të largohej në nëntor të 2005 nga partia e tij Likud dhe të formonte një parti të re (Kadima). Në janar 2006 Scharon ra në koma të përhershme dhe pasuesit e tij nuk ditën që tërheqjen nga Gaza ta shfrytëzonin për promovimin e paqes. Përkundrazi. Për ta fajin ka të bëjë me zhvillimet në anën e palestinezëve: Në fillim të 2006 Hamasi islamik doli fitues nga zgjedhjet parlamentare në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, qysh atëherë konflikti mes Hamasit dhe PLO-së u ashpërsua dukshëm.

Kolonë hebrej largohen nga shtëpitë

Kolonë hebrej largohen nga shtëpitë

Hamasi i armatosur patrullonte papritur në Rripin e Gazës duke siguruar se… "Ne nuk do ti bëjmë asgjë policisë palestineze dhe ata mund të vazhdojnë punën e tyre – krah për krah me ekzekutivin në Gaza”.

Hamasi merr Rripin e Gazës

Në verën e vitit 2007 Hamasi mori përfundimisht pushtetin në Rripin e Gazës. Presidenti palestinez Mahmud Abaz bëri thirrje më kot për ndryshim:„Kjo është çmenduri, çfarë po ndodh në Gaza tani. Unë nuk bëj fajtor njërën palë: Secili që mban një armë, hap zjarr dhe sulmon, është përgjegjës. Në parim të gjitha palët duhet të heqin dorë nga ky qëndrim.“

Por Hamasi vazhdoi punën e vet duke përforcuar pozitën e pushtetit të tij në Gaza dhe duke këmbëngulur se nuk është i gatshëm as ta njohë Izraelin dhe as marrëveshjet e lidhura deir tani me të.

Izraeli pas kësaj vendosi rrethimin hermetik të Ripit të Gazës duke u ndierë i fortë prej Uashingtonit: „Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë parti politike, që dëshiron të shkatërrojë aleatin tonë Izraelin“.

Palestinezë të armatosur

Palestinezë të armatosur

Edhe evropianët dhe Kombet e Bashkuara treguan mirëkuptim për pozicionin e Izraelit dhe nisën të dërgojnë ndihmat e tyre për në Gaza përmes OJQ-ve në vend të instancave qeveritare - gjë që mund të kuptohej si bashkëpunim me Hamasin. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan atëherë theksoi: “Ndihmat ndaj një qeverie në të ardhmen do të kontrollohen nga donatorët përsa i përket gatishmërisë së kësaj qeverie për të hequr dorë nga dhuna, për të njohur Izraelin dhe për të respektuar marrëveshjet e mëparshme me Izraelin duke përfshirë këtu edhe planin “road-map”. Të gjithë shpresuan se Hamasi ose do të tërhiqej, ose do të kthente në Gazë PLO-në e gatshme për paqen. Asnjëra nga këto nuk ndodhi.

Konflikti i ardhshëm i paraprogramuar

Një armëpushim zyrtar u arrit pas gjashtë muajsh, por që në fillim të viti 2009 u kurorëzua me një luftë që u kushtoi me jetë 1.500 palestinezëve duke i bërë të padurueshme kushtet e jetesës në Gazë.

Ushtarë izraelitë

Ushtarë izraelitë

Përgjigja e Izraelit ndaj protestave në mbarë botën ishte përforcimi i bllokadës. Kjo çoi së fundi në 2010 në incidentin me një fregatë, e cila dërgonte ndihma humanitare në Gazë. Nëntë turq gjetën vdekjen si pasojë e zjarrit që hapën izraelitët, marrëdhëniet me Turqinë pësuan një goditje të rëndë dhe kritikat ndërkombëtare u intensifikuan edhe më tej. Ndonëse vazhdojnë ndërkohë hetimet për zbardhjen e këtij incidenti, në Gazë nuk do të ndryshojë asgjë, e kësisoj konflikti i ardhshëm është i paraprogramuar: aq më tepër që në sfondin e këtyre zhvillimeve shumë izraelitë e palestinezë e kanë humbur besimin tek paqja.

Autor: Peter Filip/ Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora