1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjidhja e çështjes së veriut të Kosovës: Ekspertët dhe shoqëria civile me propozime

19 Tetor 2011

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë propozojnë që Veriu të administrohet përkohësisht nga Bashkimi Evropian, apo përmes një rimodelimi të pakos së Marti Ahtisarit. Por ka vullnet BE për një ndryshim të tillë?

https://p.dw.com/p/12vAM
Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: DW

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë hedhur ide të ndryshme, sesi do të mund të zgjidhej çështja e veriut të Kosovës. Disa nga ato janë që veriu të marrë statusin e një rajoni me mbikëqyrje kalimtare evropiane e deri tek rimodelimi i pakos së Marti Ahtisarit që do të mundësonte gradualisht integrimin e pakicës serbe. Mangësi në integrimin e pakicës serbe sidomos asaj pjese që jeton në veri të Kosovës u evidentuan edhe në raportin e progresit për Kosovën.

Shefi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Kaldon Sino, i propozoi qeverisë së Kosovës një axhendë gjithëpërfshirëse për veriun. “Derisa integrimi i serbëve është përmirësuar në jug, në veri të Kosovës tensionet janë shtuar, prandaj është me rëndësi që Kosova të nisë një axhendë gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës.”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin KuçiFotografi: DW

"Kuçi: Duhet vetëm të zbatohen ligjet tona"

Qeveria e Kosovës e komenton këtë propozim më shumë si masë që duhet të merret për vendosjen e rendit dhe ligjit, por për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe implementimit të pakos së presidentit Ahtisari. Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, ka thënë për mediet lokale se qeveria përjashton mundësinë për një administrim ndërkombëtar në veri. ”Nuk ka nevojë për asnjë administrim atje, ka nevojë vetëm për rend dhe ligj, ka nevojë për implementim të Kushtetutës dhe ligjeve tona dhe të pakos së presidentit Ahtisari. Pra mund ta themi edhe këtë që e gjithë Kosova është nën mbikëqyrje ndërkombëtare për rend dhe ligj.”

Kosova të administrohet nga ndërkombëtarët

Organizata të ndryshme joqeveritare kanë hedhur idenë që veriu i Kosovës të marrë “Statusin e rajonit evropian”, si opcioni i radhës për një zgjidhje kalimtare të çështjes së veriut të Kosovës.

Kjo ide është hedhur nga Lëvizja Evropiane e Kosovës, me kryetarin e saj, Behlul Beqaj. “Duhet vetëm të rikonfigurohet misioni ekzistues, në kuptimin e ristrukturimit të pushteteve, qoftë ekzekutive dhe ligjore dhe duke konsultuar dhe bashkëpunuar edhe me Gjykatën Evropiane në kuptimin e ndërtimit të marrëdhënieve specifike të këtij rajoni me Kosovën, Serbinë dhe natyrisht me Bashkimin Evropian, që kjo pjesë e Kosovës të merr statusin e rajonit Evropian”, tha Behlul Beqaj, gjatë një debati të zhvilluar në Cagllavicë për çështjen e veriut të Kosovës.

Konfrontim në Veriun e Kosovës
Konfrontim në Veriun e KosovësFotografi: dapd

Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në një analizë thotë se nuk duket që ka vullnet as në Prishtinë e as në mesin e komunitetit ndërkombëtar që veriu i Kosovës të kalojë në një status kalimtar me mbikëqyrje ndërkombëtare. Naim Rashiti analist në këtë organizatë

“Bashkimi Evropian dhe SHBA-së, nuk duan që edhe njëherë të administrojnë territore të veçanta në Ballkan. Faktori ndërkombëtar kërkon që zgjidhja e çështjes së veriut të bëhet përmes dialogut Prishtinë-Beograd drejt përmirësimit të marrëdhënieve dhe integrimi i serbëve të bëhet përmes rendit kushtetues të Kosovës”, thotë Naim Rashiti.

Naim Rashiti, ekspert në Grupin Ndërkombëtar të Krizave
Naim Rashiti, ekspert në Grupin Ndërkombëtar të KrizaveFotografi: International Crisis Group

Rimodelim i pakos së Ahtisarit

Pakoja e Marti Ahtisarit si e tillë, vështirë se do të gjejë zbatim në veri të Kosovës, për faktin që Beogradi e kundërshton këtë. “Beogradi ka investuar dhe prapë insiston që ajo pjesë t'i bashkohet Serbisë, në kuadër të të ashtuquajturit plan për kompromisin historik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, thotë Naim Rashti.

Sipas zotit Rashiti, në situatën në të cilën ndodhet veriu i Kosovës e vetmja zgjidhje është një rimodelim i pakos së Marti Ahtisarit, duke filluar me investime të veçanta të qeverisë që do të garantonte një lloj autonomie më të madhe për komunat serbe të veriut të Kosovës. Edhe pse akoma nuk ka një ide të qartë nga faktori ndërkombëtar se si do të duket kjo autonomi për komunat veriore të Kosovës, analisti Naim Rashiti, mendon se kjo parashihet të definohet në dialogun Prishtinë-Beograd, për të cilin po insiston vazhdimisht bashkësia ndërkombëtare.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi