1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet serbe në Pejë

Ajete Beqiraj11 Maj 2008

Serbët e komunës së Pejës, votuan për zgjedhjet lokale dhe presidenciale të Serbisë. Të 1441 qytetarët serbë me të drejtë vote në këtë komunë, po votojnë në nëntë vendvotime, me qendër në fshatin Gorazhdevc.

https://p.dw.com/p/DyB9
Kutitë e votimit
Kutitë e votimitFotografi: AP

Që në orën 7 të mëngjesit, në nëntë qendra votimi, qytetarët serb të Pejës, dhanë votën për zgjedhjet Parlamentare dhe lokale të Serbisë. Sepse, thotë Jugosllav Stefanoviç nga grupi punues i Këshillit Qendror Zgjedhor, në Gorazhdevc: "Nuk do doja të flas në janë legale apo jo? Ne e dimë se shteti I Serbisë edhe me tej ka pushtet në këtë pjesë. Dhe, duke qënë se Kombet e Bashkuara ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ne edhe më tej jemi qytetarë të Serbisë. Ne nuk njohim zgjedhjet e Kosovës, siç nuk i njohin ata tonat dhe as nuk i pengojnë, siç nuk i kemi penguar ne. Unë do t´iu preferoja pushtetarëve tanë të cilët na sollën në këtë situatë, le të ulen dhe të merren vesh si njerëz se si të jetojmë. Sepse, ne dikur jetonim bashkë dhe mirë."

"Që edhe populli të jetojë dhe jo vetëm politikanët - ndërhyn Srboljub Dakiç, sepse 10 për qind e popullit jeton e 90 për qind të tjerë janë zhytur në mjerim! Ne jemi në duart e fuqive të mëdha. Ndërsa, demokracia është fuqi e të fortit dhe kur të thonë se qumështi është i zi, ti duhet ta pranosh se ai nuk është i bardhë më!"

Gorazhdevci, rreth 7 kilometra në jug-lindje të Pejës i banuar me rreth 1100 banorë, sot ishte i ndarë në dy taborre: radikalë dhe demokratë. Në hyrje të fshatit, pankarta të Nikoliçit dhe Koshtunicës, qasje refuzuese dhe deklaratë larg mikrofonit se "serbët do të dalin në zgjedhjet e tyre, 100 per qind". Ndërsa, në qendër të fshatit, nga pala tjetër, qasje e qytetëruar, bashkëpunim i plotë e madje, edhe deklarim haptas i votës së tyre të fshehtë, megjithëse, jo gjithëherë gatishmëri të identifkohen me emër: "Do të votoj për Boris Tadiçin, sepse është i vetmi kandidat i cili mund të sjell paqe në rajon. Njëkohësisht, është mudnësia e vetme të heqim hajnat e Partisë Socialiste nga qeveria e Serbisë. Unë jam serb dhe nuk jam për pavaresinë e Kosovës. Por, poashtu nuk jam budalla që të dal me tre gishtërinj në Pejë, siç bëjnë këta patriotë të rrjedhshëm dhe hajna, që vjedhin paratë e popullit, përditë"-thotë D.T.

"Sepse, Tadiçi është njeriu i vetëm i cili mund të na nxjerr nga kjo krizë. Unë i besoj, sepse, një njeri që ka vizion dhe mision, s´mund të zhgënjej njeri."

"Sepse, Partia Demokratike e Tadicit është e vetmja me orientim evropian, kundër vetizolimit dhe e cila sheh në ardhmëri dhe në bashkëjetesë me popujt e tjerë."

Sllavko Dakiç, kryetar i Partise Demokratike për komunën e Pejës, ka votuar edhe në zgjedhjet e Kosovës, me 17-të nëntor. "Pikërisht për këtë, unë dhe njerëzit e mi jemi në listën e zezë. Por, ne vetëm sa jemi bërë më të fortë. Dhe, në zgjedhjet e reja të Kosovës, ne do të votojmë edhe më fuqishëm, sepse jemi pjesë e kësaj shoqërie
dhe duam të jetojmë këtu-thotë Sallavko Dakiç, duke shtuar se: "Dalja jonë në zgjedhjet e Serbisë nuk ka të bëjë me armiqësinë ndaj shqiptarëve. Ky është një problem përbrenda nesh, sepse vota është mënyra e vetme për të eliminuar këta kriminel dhe për t´ua dhënë vendin e merituar, nëse Zoti do, pas dere ku edhe përkasin. Dhe kjo duhet të ndodh, sepse këtu vepron një rrjet i tërë krimi i udhëhequr nga Mininsitria Serbe për Kosovën e
udhëhequr nga qeveria e Koshtunicës. Se, vjedhjet e parasë së popullit nuk janë bërë vetëm në Rajonin e Pejës, por edhe në atë të Ana Moravës dhe gjithandej ku shtrihet ku ajo e shtrin pushtetin. Mjerim!"

Në komunë e Pejës, janë 1411 qytetarë serb me të drejtë vote, të cilët votuan në 9 vendvotime, njëra prej të cilave ishte e hapur për serbët e shpëngulur nga vendet e tjera të Kosovës, me banim në Gorazhdevc. Me gjithë faktin se, të enjten në Deçan, shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Tim Guldiman deklaroi se: "Kjo organizatë nuk ka ndonjë rol në këto zgjedhje, madje as atë të monitoruesit," në hyrje të fshatit Gorazhdevc, janë parë të parkuara makina të OSBE-së.