1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet serbe në Kosovë rrisin ndarjen etnike

Bekim Shehu / Prishtinë16 Prill 2008

Analistët në Kosovë thonë se nëse UNMIK-u, lejon mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë do të rrezikojë qëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës.

https://p.dw.com/p/Dj0p
Zgjedhje në Serbi
Zgjedhje në Serbi, 2008Fotografi: AP

Çështja e mbajtjes apo jo e zgjedhjeve lokale serbe edhe në Kosovë, ka javë që ka mbizotëruar me reagime skenën politike kosovare dhe praninë ndërkombëtare. Administrata ndërkombëtare, akoma nuk ka një përgjigje të prerë se a do të lejojë autoritetet e Beogradit që të organizojnë zgjedhje lokale në Kosovë, por i ka bërë të qartë Beogradit se këto zgjedhje do të cilësohet jolegjitime. Pavarësisht kësaj, autoritetet e Beogradit kanë thënë se do apo nuk do UNMIK-ut zgjedhjet lokale serbe do të zhvillohen në Kosovë krahas atyre të përgjithshme me 11 maj.

Për analistët kosovarë vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhje në Kosovë, paraqet tendecë të qartë për ndarje etnike të Kosovës dhe instalim të dy pushteteve. Sipas tyre mbajtja e këtyre zgjedhjeve është edhe një provokim i hapur për institucionet e Kosovës.

Shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, nga ana e tij, u ka ofruar mundësinë autoriteteve të Beogradit që së bashku me UNMIK-un të mbajnë zgjedhje në komunat serbe, mirëpo jo me 11 maj por zgjedhjet lokale të mbahen më vonë në ato komuna ku serbët bojkotuan zgjedhjet e Kosovës. Sipas shefit të UNMIK-ut, të zgjedhurit nëpër komunat serbe do tu përgjigjeshin vetëm institucioneve të Kosovës dhe jo atyre të Beogradit. Mirëpo, kjo ofertë e shefit të UNMIK-ut nuk është pranuar nga Beogradi zyrtar.

Sipas analistëve kosovarë, mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë është një sfidë për institucionet, mirëpo sfidë më e madhe është instalimi i pushtetit serb në Kosovë.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës tash së fundi janë shprehur se përgjegjëse për mbajtjen e zgjedhjeve
lokale serbe në Kosovë do të jetë administrata ndërkombëtare dhe pasojat do të bien mbi të. Ata thonë se UNMIK-u ka mekanizma që të parandalojë këto zgjedhje.