1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjedhjet presidenciale në Poloni- Simpati e madhe për Jaroslaw Kaczynskin

Para kohe dhe tragjikisht mori fund periudha në post e Leh Kaczynskit: presidenti polak vdiq më 6 prill nga rrëzimi i avionit në Smolensk. Këtë të dielë (20.06), mbi 30 milionë polakë do të zgjedhin pasardhësin e tij.

Simpati e madhe për Jaroslaw Kaczynskin

Simpati e madhe për Jaroslaw Kaczynskin

Shoku vazhdon të jetë i thellë. Katastrofa e Smolenskut e ka kaluar Poloninë në një traumë kolektive. Kjo u pasqyrua edhe në fushatën elektorale të pazakontë të qetë, konfirmon drejtuesi i Programit gjermanisht të Radios Polake, Joachim Ciecierski (Zjezjerski):

"Politikanët përdorin fjalë të tjera, fushata elektorale nuk është aq agresive sa zakonisht në Poloni, kandidatët maten dy herë për atë që duan të thonë, ata nuk shqiptojnë fyerje: atmosfera është e qetë, e çtensionuar, megjithëse në ajër ka një lloj tensioni, sepse kemi të bëjmë me një fushatë elektorale të rëndësishme."

Katastrofa e Smolenskut nuk ndryshoi vetëm tonin, por edhe aritmetikën e zgjedhjeve. Para tragjedisë, presidenti nacionalkonservator Lech Kaczynski kishte mbështetjen më të ulët në popull, në bazë të sondazheve. Rizgjedhja e tij konsiderohej me pak gjasa. Por vdekja tragjike e ndryshoi në mënyrë radikale imazhin e tij. Këtë diti ta shfrytëzoi vëllai i tij binjak dhe drejtues i opozitës, Jaroslaw Kaczynski.

Zgjedhje në Poloni

Zgjedhje në Poloni

Me argumentin se do të përfundojë veprën e vëllait të vdekur, ai u tregua i gatshëm që të kandidojë për postin e presidentit. Vetëm brenda pak javësh ai arriti të sigurojë mbështetje të madhe. Edhe mbështetja për partinë e Kaczynskit, "E drejta dhe drejtësia" u rrit. Distancën ndaj kandidatit të platformës qytetare liberale, në pushtet, Bronislaw Komorowski, Jaroslaw Kaczynski arriti ta ngushtojë nga fillimisht 20 në 7 përqind. Kështu që gara konsiderohet sërish e hapur, thekson gazetari i Varshavës, Joachim Ciecierski: "Sondazhet tregojnë se gjithnjë e më shumë njerëz do të votojnë për Jaroslaw Kaczynsk-in, jo sepse mbështesin partinë e tij opozitare, por sepse te Jaroslaw Kaczynski ata shohin vëllanë e Lech Kaczynskit."

42 përqind për Komorowskin, 35 përqind për Kaczynskin: ky është parashikimi i anketimeve më të fundit për rezultatin e zgjedhjeve të dielën. Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja në zgjedhje, aq më të mëdha janë shanset për Jaroslaw Kaczynskin. Megjithatë, nëse pas dy javësh do të ketë zgjedhje balotazhi, Jaroslaw Kaczynski ka shanse më të pakta për t'u zgjedhur: 59% do të zgjidhnin atëherë Komorowskin.

Autor: Bartosz Dudek/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 18.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NwVt
  • Data 18.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NwVt