1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë

Për të lehtësuar votimin e serbëve të Kosovës për zgjedhjet e Serbisë, është angazhuar misioni i OSBE-së në Kosovë. Nuk do të ketë qendra votimi por “pika grumbullimi të votave”.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë që zhvillohen më 24 prill, do të mbahen edhe në Kosovë. Nuk do të ketë qendra votimi, por, siç thuhet “pika grumbullimi”, të votave në vendbanimet ku serbët janë shumicë. Gjithsej do të ketë 10 qendra grumbullimi të votave. Për të lehtësuar këtë proces, është angazhuar misioni në Kosovë i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian, OSBE. Senad Subotiq, zëdhënës i OSBE-së në Kosovë ka thënë se “kjo organizatë do ta zbatojë procesin e mbledhjes së votave të personave që kanë të drejtë vote”.

“Jemi në kontakt me palët dhe presim sqarimin e të gjitha çështjeve që ndërlidhen me periudhën e ardhshme. Konsiderojmë që kjo do të bëhet shpejt. OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë, në përputhje me çfarëdo marrëveshjeje që do të rezultojë”, thotë Senad Subotiq.

Partitë parlamentare të Serbisë ka disa javë që në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, po organizojnë mitingje në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 24 prill. Në fillim të këtij muaji, në Kosovë për të bërë fushatë për partinë e tij, ishte edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuciq me bashkëpunëtorë. Kjo vizitë u lejua nga institucionet e Kosovës, mirëpo, nuk iu lejua që të vijë në Kosovë radikalit serb, Vojisllav Sheshel. Që të gjithë zyrtarët serb sipas udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, gjatë vizitave në Kosovë po përdorin një gjuhë nacionaliste. Për këtë shprehu shqetësimin e tij edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Në profilin e tij social, kryeministri Mustafa shkruan, se “retorika nacionaliste e Serbisë karshi Kosovës vetëm po vazhdon.

“Këto ditë kemi qenë dëshmitarë të intensifikimit të skemave të retorikës nacionaliste të Serbisë karshi Kosovës. Asgjë e re. Për fatin e tyre të keq, thjeshtë dhe vetëm retorikë boshe. Sepse, Kosova, kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë e Serbisë. Ajo është e qytetarëve të saj të lirë, të pavarur e sovranë. Që fatin e tyre e kanë lidhur me vlerat evropiane perëndimore. Vlera që nuk pranojnë hegjemoninë. Por, vlera që promovojnë diversitetin”, shkruan kryeministri Isa Mustafa. Kryeministri shprehet i bindur se serbët e Kosovës, zgjidhjen e problemeve të tyre duhet ta kërkojnë në Prishtinë sepse, kjo parashihet edhe në marrëveshjet që kanë dalë nga dialogu Kosovë-Serbi.

“Unë drejtoj një qeveri demokratike të një vendi demokratik. Qeveria që unë drejtoj nuk i pengon qytetarët e saj të shprehin vullnetin e tyre. Qoftë edhe duke hedhur vota për zgjedhjet e Serbisë nëpër qendrat grumbulluese, të cilat do t'i menaxhoj OSBE-ja. Përkundrazi. Ne do t'ua mundësojmë atyre ta shprehin atë vullnet. Por, pandërprerë, do t'u japim argumente atyre se e ardhmja e tyre nuk është retorika nacionaliste boshe. Mitet e rreme. Por, është jetesa në Kosovë, me fqinjët e tyre, me rregullat e shtetit të Kosovës, që janë rregulla evropiane të një vendi demokratik”, thotë kryeministri Isa Mustafa.

Ai shprehet i bindur, se “serbët e Kosovës sado vonë do ta kuptojnë që duhet punuar për vendin ku jetojnë dhe aty ku përfaqësohen në qeveri e në institucionet tjera të Republikës së Kosovës”.

Partitë politike opozitare në Kosovë janë kategorike kundër lejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Sipas anëtares së kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Time Kadriaj, serbët e Kosovës duhet të respektojnë ligjet e Kosovës dhe jo “të jetojnë në Kosovë e të përfshihen në proceset në Serbi”.

“Kjo që po ndodh, pra organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është i pakuptimtë. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës do të duhej që ta ndalojnë këtë praktikë të keqe dhe të mos lejohet që zgjedhjet e Serbisë të mbahen në Kosovë, sepse, çfarë kuptimi ka për shembull kur organizohen zgjedhjet në Kosovë në të njëjtën kohë të mbahen edhe në komunat e Serbisë që janë me shumicë shqiptare, pra në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, tha deputetja Time Kadriaj.

Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë thënë se serbët e Kosovës me shtetësi të dyfishtë, do të votojnë vetëm për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, por jo edhe për ato lokale. Serbët e Kosovës për herë të parë kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të organizuara në institucionet e Kosovës në vitin 2013.

Zgjedhjet e Serbisë vazhdimisht që nga përfundimi i luftës janë mbajtur edhe në Kosovë, duke ju mundësuar serbëve të Kosovës që të votojnë. Në organizimin apo lehtësimin e këtyre zgjedhjeve asnjëherë nuk janë përfshirë institucionet e Kosovës, por është përfshirë misioni i OSBE-së. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të mbajnë dyshtetësi dhe kjo e drejtë atyre u garantohet me Kushtetutën e Kosovës.