1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri - Një komisioner i opozitës vritet pranë një qendre votimi

Qytetarët me të drejtë vote në Shqipëri votojnë për parlamentin e ri. Për 140 vendet në parlament kandidojnë rreth 5200 kandidatë për deputetë. Procesi vëzhgohet nga rreth 9 mijë vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas.

Një komisioner i opozitës është goditur për vdekje në afërsi të një qendre votimi në qytetin e Laçit, rreth 60 km larg Tiranës, ndërkohë që disa persona kanë mbetur të lënduar nga përdorimi i armëve të zgjarrit. Komisionieri që përfaqëson Lëvizjen Socialiste për Integrim quhet Gjon Gjoni. Policia është në vendngjarje duke hetuar rrethanat dhe në kërkim të autorit. Eshtë lajmëruar se forca të ndërhyrjes së shpejtë nga Tirana janë nisur në drejtim të zonës ku ka ndodhur ky incidenti më i rëndë i kësaj dite deri më tani.

Më herët gjatë fundjavës janë njoftuar dhe akte të tjera dhune, një komisioner i plagosur në Kukës, mosmarrëveshje mes simpatizantëve të opozitës dhe policisë bashkiake në qytetin e Kamzës, një shpërthim tritoli në automjetin e një aktivisti në qytetin e Vlorës etj. Nisur nga mënyra se si po zhvillohet procesi i votimeve nga mëngjesi i sotëm rastet mbeten sporadike.

Rreth 3.2 milion zgjedhës janë thirrur në votimet parlamnetare të dielës (23.06.2013) ku rreth 150 mijë prej tyre do të votojnë për herë të parë. Qendrat e votimit janë të hapura nga ora 07:00 e mëngjesit dhe sipas kodit elektoral mbyllen në orën 19:00 në mbrëmje. Në të gjithë territorin e Shqipërisë janë rreth 5.500 qendra votimi, kurse nga data 24 qershor dhe në vijim do të funksionojnë 89 qendra të numërimit të votave.

Në Shqipëri sipas Kushtetutës aplikohet sistemi proporcional rajonal. Territori i vendit është ndarë në 12 qarqe, dhe secili prej tyre nxjerr një numër të caktuar deputetësh në parlament. Numri total i deputetëve që do të marrin mandat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është 140. Në garë janë rreth 5200 kandidatë për deputetë.

Janë rreth 9 mijë vëzhgues për zgjedhjet e 23 qershorit të akredituar pranë KQZ-së. Nga këta rreth 450 vëzhgues të huaj do të veprojnë nën flamurin e ODIHR-it, 50 prej të cilëve janë me mandat afatgjatë. Organizata joqeveritare vendase dhe të huaja gjithshtu kanë rregjistruar vëzhgues për këto zgjedhje parlamentare. Akreditim kanë marrë dhe rreth 100 gazetarë dhe korrespoedentë të mediave të huaja.

Gara për parlamentin e ri të Shqipërisë zhvillohet mes 66 subjekteve politike, pjesa dërmuese e të cilave janë grupuar në dy koalicionet e mëdha: "Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe koalicioni "Aleanca për Shqipërine Europiane", që kryesohet nga Partia Socialiste e ish kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama.

DW.COM