1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri nën hijen e vrasjes së një aktivisti opozitar

Qytetarët me të drejtë vote në Shqipëri votojnë për parlamentin e ri. Për 140 vendet në parlament kandidojnë rreth 5200 kandidatë për deputetë. Procesi vëzhgohet nga rreth 9 mijë vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas.

Vrasja e një mbështetësi të opozitës në qytetin e Laçit, rreth 60 km larg kryeqytetit është vënë në qendër të vëmendjes së procesit të votimit në Shqipëri. Gjon Gjoni përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, 53 vjeç, sipas burimeve policore lokale u godit paraditen e së dielës me armë zjarri në afërsi të qendrës së votimit, ndërkohë që kanë mbetur të lënduar kandidati i PD-së Mhill Fufi dhe dy persona të tjerë. Policë dhe prokurorë janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave. Konstatimet e para flasin për një debat të nxehtë që shpejt ka degjenuar në shkëmbim zjarri. Agjentët e policisë në vendngjarje kanë sekuestruar gëzhoja nga të paktën 4 armë të ndryshme zjarri.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta shkuan menjëherë në zonën ku ndodhi ngjarja e rëndë, ku morrën kontakte dhe me aktivistë lokalë dhe familjarë të të viktimës Gjoni. Dy përfaqësuesit kryesorë të opozitës e kanë dënuar aktin duke kërkuar nga autoritetet zbardhjen sa më shpejt të rrethanave e autorëve. Rama e Meta kanë bërë thirrje për pjesmarrje masive në votime dhe që qytetarët të mos friksohen nga akte të tilla.

Kukan: Mos e humbisni mundësinë tuaj të madhe të votimit

Kryetari i delegacioni ad-hoc të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, u shpreh se dhuna është e papranueshme në një proces elektoral. Nuk duhet të nxitoheni dhe të politizoni raste të tilla, por të lini që ato të të imvestigohen. Shpresoj që rasti do të hetohet dhe që ai të mos e cënojë procesin në tërësi”. Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën apeloi: “mos e humbisni mundësinë tuaj të madhe të votimit dhe hapat e mëtejshëm të bëhen më të pjekur dhe të pranueshëm".

Prokurori i Republikës Adriatik Llalla deklaroi se autorët do të dalin para përgjegjësisë. "Do të hetojmë të gjitha rastet. Nuk do të nxitohemi në dhënien e konkluzioneve pa përcaktuar shkaqet që çuan në këto ngjarje", tha Llalla.

Veç rastit të Laçit ka pasur edhe disa incidente të tjera të izoluara të regjistruara në 24 orët e fundit. Në Vlorë, në Kamëz, në Kukës, në Korçë, në Malësinë e Madhe dhe në ndonjë zonë tjetër janë raportuar incidente, për të cilat autoritetet policore janë duke punuar.

Ekipi i Vëzhguesve Vendorë: Deri në mesditë pjesëmarrja 25%

Deri në orën 13.30 nga Ekipi i Vëzhguesve Vendorë u raportua për një pjesmarrje prej rreth 25 përqind. Sipas ekipit që ka monitorues në të gjithë territorin e vendit procesi zgjedhor po kalon në përgjithësi i qetë. Çështje që lidhen me listat e votuesve, dokumentacionin zgjedhor, me komunikimin mes komisionerëve të mazhorancës dhe opozitës etj. janë duke u shqyrtuar nga komisiomet zonale dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Deri në orën 19.00 të ditës së dielë rreth 3.2 milion zgjedhës janë thirrur në votimet parlamentare në rreth 5.500 qendra votimi. Në Shqipëri sipas Kushtetutës aplikohet sistemi proporcional rajonal. Territori i vendit është ndarë në 12 qarqe, dhe secili prej tyre nxjerr një numër të caktuar deputetësh në parlament. Numri total i deputetëve që do të marrin mandat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është 140. Në garë janë më shumë se 5200 kandidatë për deputetë.

Zgjedhjet parlamentare të këtij viti janë super të monitoruara, pasi në terren janë rreth 9 mijë vëzhgues të akredituar pranë KQZ-së. Nga këta rreth 450 vëzhgues të huaj do të veprojnë nën flamurin e ODIHR-it, 50 prej të cilëve janë me mandat afatgjatë.

Partitë në garën elektorale

Gara për parlamentin e ri të Shqipërisë zhvillohet mes 66 subjekteve politike, pjesa dërmuese e të cilave janë grupuar në dy koalicionet e mëdha: "Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha, që kërkon një mandat të tretë qeverisës. Përballë është koalicioni "Aleanca për Shqipërine Europiane", që kryesohet nga Partia Socialiste e drejtuar nga ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, i cilikërkon t’i kthejë socialistët në pushtet pas 8 viteve në opozitë. Jashtë koalicioneve të mëdha janë duke konkurruar dhe subjekte të krijuara kohët e fundit: “Fryma e Re Demokratike” e udhëhequr nga ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe partia “Aleanca Kuq e Zi”, që drejtohet nga ish-nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, avokati Kreshnik Spahiu.

DW.COM