1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjedhjet për senatin në Francë - Të majtët gëzojnë për fitoren historike

Shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Francë ka nodhur një tjetër zhvendosje majtas: Në zgjedhjet për senatin partitë e majta opozitare kanë shënuar një fitore historike. Ato arritën 177 nga gjithsej 348 vendet.

Në të ardhmen forcat e qendrës së majtë kanë shumicën në senat.

Në të ardhmen forcat e qendrës së majtë kanë shumicën në senat.

Atmosferë festive te socialistët në Francë. Së bashku me aleancën e majtë ata kanë pushtuar senatin – për të parën herë prej më shumë se 50 vjetësh. Sepse që prej fillimit të republikës së pestë franceze dhoma e dytë e parlamentit ishte në dorën e kampit konservator. Aq më euforik ishte gëzimi i shefit të fraksionit të socialistëve në senat, Jean-Pierre Bel. „Këtë mbrëmje mund të themi me siguri, që partitë e majta kanë të paktën 175 senatorë dhe senatore. Kjo është shumica absolute. Misioni, që kemi tani para nesh, është shumë i madh, sepse ai qëndron në dhënien e një roli të ri dhe të një të përligjjeje të re senatit.“

Për kampin e majtë fitorja zgjedhore (shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale) ka fuqi simbolike të qartë. Socialistët dhe të gjelbrit  e vlerësojnë rezultatin si një mësim të mirë, që s'lë dyshime, për Sarkozy-në. Mirëpo, partia e tij, konservatorja UMP, lë të kuptohet mohim. Sekretari i saj i përgjithshëm tërheq vëmendjen nga e veçanta e zgjedhjeve për senatin. Këtë herë, thotë ai, nuk kanë votuar francezët, po rreth 72.000 delegatë zgjedhorë , kryesisht nga komunat. Dhe që prej zgjedhjeve të fundit këta janë në të shumtën e rasteve nga kampi i majtë, shton ai. „Marr dijeni për rezultatet. Sigurisht, ato janë një zhgënjim, por në të njëjtën kohë nuk janë surprizë e madhe. Nuk duhet të genjehesh prej tyre. Këtë e them veçanërisht në drejtim të socialistëve, të cilët ndofta po triumfojnë ca si herët.“

Fushata e zgjedhjeve presidenciale ka filluar

François Hollande

François Hollande

E gjithë çështja qëndron te zgjedhja e presidentit të senatit të shtunën që vjen (1.10.). Në dhomën e dytë ndarja midis kampeve të veçanta nuk është aq strikte. Shumë gjëra bëhen me negociata. Prandaj, votimi konsiderohet ende si i hapur. Kjo në një kohë që ai është me rëndësi të madhe. Sepse presidenti i senatit është zyrtarisht njeriu i dytë në shtet. Në prapaskenë po mprehen shpatat. „Mendoj se nuk duhen pritur surpriza“, thotë François Hollande, kandidat i mundshëm socialist për president. „Kur ka shumicë të majtë, do të ketë edhe president të majtë. Kjo do të ishte logjike, apo jo? Makinacionet dhe mjetet e presionit janë gjithnjë të mundshme; nuk e di se ç'kanë ndër mend konkurrentët, por mendoj se kjo s'do të ishte më e mira për imazhin e senatit.“... thotë ish-kryetari i Partisë Socialiste.

Për Sarkozy-në është vështirësuar qeverisja

Në veprimtarinë e përditshme politike ndryshimi i shumicës në senat nuk do të ketë pasoja të mëdha. Dhoma e dytë mund ta pengojë në fakt votimin e asamblesë kombëtare projektligjet dhe t'i bllokojë projektligjet, por në fund nuk mund t'i shmangë. Fjalën e fundit e kanë gjithnjë deputetët.

Megjithatë, në rast ndryshimi të kushtetutës gjërat janë ndryshe. Prandaj, presidenti Sarkozy mund ta heqë tani shpresën te e ashtuquajtura „Règle d'Or“. Ai nuk gjen më dot shumicë për frenin e huave në kushtetutë. Socialistët gëzohen me ligësi. Më shumë se kurrë ata shpresojnë tani që ta rrëzojnë nga froni Sarkozy-në në 2012-ën.

Autor: Anne Christine Heckmann / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti