1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian: Retrospektivë e 30 viteve të parlamentit të zgjedhur direkt nga qytetarët

Lindur në fund të viteve '50 si një klub debati i deputetëve të dërguar nga parlamentet e vendeve anëtare të Komunitetit Ekonomik Evropian, Parlamenti Evropian është sot një parlament unik në gjithë botën.

Parlamenti Evropian në Strasburg me flamurin e BE-së.

Parlamenti Evropian në Strasburg

Në fillim të viteve 1960 për herë të parë u përdor koncepti Parlament Evropian. Zgjati deri në vitin 1979 derisa qytetarët e Komunitetit Evropian asokohe në nëntë vendet anëtare u lejuan të zgjedhin direkt parlamentin. Në atë kohë parlamenti kishte 410 deputetë. Ndërsa sot numërohen gati 800 deputetë për 27 vendet anëtare.

Më 10 qershor 1979 zgjedhësve iu bë thirrje të zgjedhin direkt Parlamentin Evropian. Në Britaninë e Madhe, në Irlandë, në Danimarkë, në Gjermani, në Holandë, në Bergjikë, në Luksemburg, në Francë dhe në Itali televizionet transmetonin spote elektorale, që sqaronin, se për çfarë mund të votohej.

Asokohe e dhanë votën rreth 63% e qytetarëve me të drejtë vote, këto ishin 20% më shumë se në zgjedhjet e fundit evropiane të 2004-ës. Ish-deputeti danez Jens Peter Bonde kujton:

„Kur unë për herë të parë u zgjodha në parlament, atëherë në vitin 1979, ky nuk ishte një parlament i mirëfilltë. Ishte si një planet tjetër pa lidhje me Tokën, përveçse kur merrnim rrogën. Parlamentin nuk e dëgjonte kush. Ne mund të miratonim rezoluta, por nuk kishim influencë.

Presidente e parë e parlamentit në vitin 1979 u zgjodh politikania franceze Simone Veil. Ajo ishte një e mbijetuar e Holokaustit, një ish-ministre dhe një pioniere e luftës për të drejtat e gruas. Ajo ia kish dalë mbanë në Francë me legalizimin e abortit. Pas Asamblesë Kombëtare të Francës ajo luftoi në Parlamentin Evropian në Strasburg për gratë në Evropë. Nën drejtimin e saj Parlamenti dha shuplakën e parë duke refuzuar buxhetin e paraqitur prej Komisionit të BE-së.

Në vitin 1984 deputeti italian Altiero Spinelli bëri thirrje pasionante për një kushtetutë evropiane. Spinelli i bëri thirrje parlamentit që të realizonte suksesin më të madh në histori duke votuar për një federatë evropiane. 1984 hynë për dhjetë vjet në parlament ekstremistët e djathtë. Komunistët janë të përfaqësuar në të qysh prej 30 vjetësh. Numri i deputetëve skeptikë ndaj Evropës po rritet vazhdimisht qysh nga viti 1994.

Presidenti i sotëm i Parlamentit Evropian, Hans Gert Pöttering, beson, se parlamenti ka lënë pas vetes një rrugë të gjatë: „Parlamenti Evropian qysh nga dita e parë e zgjedhjes së tij ka ushtruar ndikim, por e saktë është edhe që Parlamenti Evropian nga viti 1979 nuk ka pasur kompetenca ligjvënëse. Kompetencat legjislative ne i kemi arritur me luftë për vite të tëra me marrëveshje pas marrëveshjesh, deri tek Marrëveshjet e Maastrihtit dhe të Amsterdamit.“

Në 1987 parlamenti morri për herë të parë të drejtën e bashkëvendosjes në procedurat legjislative. Sot përfaqësuesit e qeverive kombëtare dhe të Parlamentit të BE-së duhet të bien dakord për të gjitha rastet me shumicën e dy të tretave, në rast të kundërt ligji evropian nuk mund të bëhet realitet. Megjithatë parlamenti nuk mund të paraqesë projektligje dhe as nuk mund të zgjedhë ndonjë qeveri. Ai mund të shfuqizojë Komisionin e BE-së, gjë për të cilën u përpoq së paku ta bëjë përmes mocionit të mosbesimit ndaj Presidentit të Komisionit Jacques Santer në vitin 1999. Ish-Presidenti i parlamentit Klaus Hänsch i konsideron përfaqësuesit evropianë të popullit si të fuqishëm.

Europarlamentari Klaus Hänsch, nga Partia Socialdemokrate Gjermane SPD.

Europarlamentari Klaus Hänsch, nga Partia Socialdemokrate Gjermane SPD.

„Nuk duhet të besojmë, që Parlamenti Evropian duhet të ketë të njëjtat të drejta si një parlament kombëtar. Ne jemi një parlament ndërkombëtar dhe ne jemi parlamenti i një unioni të fortë dhe ne nuk mund të jemi kopje e ndonjë parlamenti kombëtar në nivel evropian.“

Krahasuar në nivel mbarëbotëror Parlamenti Evropian mbikombëtar me 784 deputetët e tij, me 23 gjuhët zyrtare, me tetë fraksione dhe dhjetra parti është një institucion unik. „Nga jashtë i vështirë për t'u kuptuar, i nënvleftësuar, por mjaft me influencë." Kështu gjykon për parlamentin politologia Jacki Davis nga Qendra Evropiane për Politikën, një ndër institucionet kryesore studimore në Bruksel: „Unë mendoj, se është jashtëzakonisht i rëndësishëm, në fakt më i rëndësishëm se një sërë parlamentesh kombëtare. Sepse Parlamenti Evropian ka të drejtën për vendime të përbashkëta në shumicën e sektorëve të politikës. Komisioni vetëm mund të propozojë dhe qeveritë duhet të negociojnë për të gjetur një kompromis me parlamentin."

Autor: Bernd Riegert / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 06.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I4ZM
  • Data 06.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I4ZM