1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zgjedhjet në Ukrainë - Shpresë për një fillim të ri

Ukrainasit zgjodhën. Njerëzit në Kiev, Harkiv apo në Bila Zerkva i perceptuan në mënyra krejt të ndryshme zgjedhjet presidenciale. Shumë besojnë se këto zgjedhje ishin vendimtare për vendin.

Dy orë qëndroi në radhë Kyryl Savin të dielën në mes të vapës. Drejtuesit të zyrës së fondacionit gjerman Heinrich Böll në Kiev iu desh të presë për të dhënë votën. Përreth tij edhe shumë bashkëqytetarë të tjerë prisnin me durim në radhë duke i bërë ballë vapës e zagusishë së Kievit. "Pjesëmarrja në zgjedhje është e pabesueshme", mendon Savin. "Këto zgjedhje këtu kuptohen si një referendum për Ukrainën, për unitetin e vendit."

Por ai e di se radhët e gjata para qendrave të votimit kanë edhe arsye të tjera: koha e shkurtër për organizimin e zgjedhjeve si dhe detyrimi për kursime me të cilin përballet qeveria e tranzicionit. Në zgjedhjet e kaluara 18 vetë kujdeseshin për qendrën e tij të votimit, ndërsa tani janë vetëm dhjetë.

Kyryl Savin

Kyryl Savin

"Ndihmësve në qendrat e votimit u duhet më shumë kohë për t'u shërbyer njerëzve", thotë për DW Savin. "Ata nuk mund t'i menaxhojnë kaq shpejt tvotuesit, sepse kanë mungesë personeli."

Por probleme thelbësore gjatë zgjedhjeve Savini nuk ka konstatuar. Ai beson se Vitali Kliçko do të bëhet kryebashkiak i Kievit dhe Pjotr Poroshenko, do të fitojë qysh në raundin e parë, pa qenë nevoja për zgjedhje balotazhi në mes të qershorit. Shifra të besueshme sidoqoftë do të publikohen të hënën, ndërsa në bazë të sondazheve rezultatet janë të qarta.

Kaos në lindje të Ukrainës

Ndërsa votimet në perëndim të vendit duket se shkuan sipas rregullave, në lindje dhe në Krime ka pasur rezistencë masive. Në të dyja qarqet lindore Donjeck dhe Luhansk ka votuar vetëm një pakicë e elektoratit. "Atje qendruan të hapura vetëm 15% e qendrave të votimit, në zonat, ku ka paqe dhe nuk ka separatistë", thotë Savin. Separatistët i bojkotuan zgjedhjet, sepse nuk besonin që kandidatët e tyre do t'ia dilnin ndaj miliarderit Poroshenko.

Mediet njoftojnë se edhe disa mijëra banorë të Krimesë kanë udhëtuar me makina në zonat kufitare për të votuar atje. Megjithatë ky është një numër i vogël në krahasim me mbi dy milionë njerëzit që banojnë në Krime.

Präsidentschaftswahlen in der Ukraine Poroschenko 25. Mai

Petro Porosheko

Gjendje e qetë në Çarkiv

Në zonën e qytetit Çarkiv - gjithashtu në lindje të Ukrainës - duket se zgjedhjet kanë kaluar qetë. Marina Miroschnitshenko, e cila banon në një fshat të vogël në afërsi të Çarkivit dhe punon atje për Institutin Goethe, mundi të shkojë në qendrën e votimit pa pasur nevojë të presë në radhë.

"Gjatë gjithë ditës ishte qetësi, një votim krejt normal dhe pa tension", thotë ajo në intervistë për DW. "Ne jemi të kënaqur, por prisnim që të kishte edhe trazira." Vëzhguesit ukrainas e verifikuan ecurinë e zgjedhjeve në qendrën e saj të votimit, thotë Miroschnitshenko. Ishte një ditë pa asnjë të papritur.

Vëzhgues të kënaqur

Njëkohësisht në Ukrainë ndodhen edhe mijëra vëzhgues ndërkombëtarë. Njëra prej tyre është Barbara Weiler nga Gjermania. Ajo është eurodeputete socialdemokrate në Parlamentin Europian, por këtë të dielë (25.05.2014) ishte e ngarkuar si vëzhguese për të protokolluar ecurinë e votimeve në Kiev.

Në qytetin Bila Zerkva rreth 80 km. në jug të Kievit votimi kaloi mjaft mirë, thotë Weiler për DW.

Weiler ka vëzhguar edhe votimet në një burg burrash, ku ndodhen qindra të dënuar. Ajo gjithashtu ndoqi edhe procesin në një "Home Voting". Disa bashkëpunëtorë të një qendre votimi shkuan në shtëpitë e zgjedhësve në gjendje shtrati apo me aftësi të kufizuara, të cilët e dhanë në këtë mënyrë votën e tyre. Në Ukrainë nuk ekziston mundësia e votës me postë. Politikania socialdemokrate beson, se atmosfera në këto zgjedhje ishte euforike si asnjëherë tjetër përpara dhjetë vjetësh, që pas revolucionit të portokalltë. "Njerëzit kanë shpresë, se tani do t'u jepet fund raporteve tronditëse të muajve të fundit dhe se këtej e tutje do të ketë një fillim të ri."