1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Zgjedhjet në Shqipëri- situata e tensionuar

Misioni i vëshguesve afatgjatë të ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011 në Shqipëri ka evidentuar një sërë problemesh që kanë të bëjnë me përgatitjen e infrastukturës së votimeve.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve

Sipas raportit më të fundit që është publikuar nga ODIHR-i situata në fushatën elektorale është ende e tensionuar dhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbeten ende një sërë çështjesh teknike për të marrë zgjidhje. Shefi i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it Jonathan Stonestreet (Xhonatan Stounstrit ) u shpreh për DW se shpreson “që në ditën e zgjedhjeve qytetarët të jenë të lirë të ushtrojnë të drejtën që ata kanë për të votuar, pa asnjë problem, pa asnjë presion ose kërcënim të mundshëm.”

Zgjedhjet e para demokratike, 1991

Zgjedhjet e para demokratike, 1991

Vlerësimet e misionit të vëzhguesve afatgjatë të ODIHR (Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e OSBE-së) në raportin e dytë të ndërmjetëm përfshinin një sërë problemesh që hasen në përgatitjet e infrastrukturës zgjedhore dhe për ecurinë e fushatës elektorale. Misioni shikon me shqetësim faktin se pavarësisht apeleve të zyrtarëve të lartë për qetësi, sërish janë evidentuar incidente të cilat e mbajnë mjedisin politik të tensionuar. Ndërkohë që janë raportuar të paktën tre raste të akuzave për presion ndaj administratës shtetërore dhe mësuesve, për të marrë pjesë në takimet e fushatës elektorale të PD në pushtet. Në shënjestër të raportit të ndërmjetëm është dhe perfomanca e medias në mbulimin e fushatës. Një vendim i KQZ-së që ka ngjallur prej ditësh një debat mes subjekteve politike dhe qarqeve mediatike, që të transmetohen nga operatorët televizive kasetat e gatshme të partive, nga misioni i ODIHR-it është përshkruar se “shkon përtej Kodit Elektoral”, duke nënkuptuar shprehjen e rezervave për të.

Zgjedhjet, 2009

Zgjedhjet, 2009

Duke qëndruar tek puna e KQZ-së, ODIHR-i megjithëse e shikon si pozitiv faktin që ky institucion shumicën e vendimeve i ka marrë njëzëri për cështje teknike e administrative të votimeve, sërish ka tendenca partiake për probleme të debatuara nga dy partitë kryesore PD dhe PS. Sipas misionit të kësaj organizate mbetet për t'u zgjidhur caktimi i disa vendndodhjeve të qëndrave të votimit në ambjente private, për të cilat ka debat mes konkurentëve.

Pas publikimit të raportit të dytë të ndërmjetëm, Jonathan Stonestreet, shefi i misionit të vëzhguesve afatgjatë të ODIHR, deklaroi për Dë-në se vërtet që raporti ka identifkuar një sërë cështjsh që lidhen me përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet lokale të 8 majit, “por ne nuk kemi konkluduar, sepse gjithshka do të artikulohet nga ekipi i vëzhguesve tanë të martën, 48 orë pas mbylljes së procesit të votimit”, thotë ai. Sipas Stonestreet raporti i datës 10 maj 2011 do të jetë paraprak, pasi “do të duhet që të vijohet ende me monitorimin hap pas hapi për të gjithë procesin e administrimit të votave, të numërimit të tyre, të vendimarrjes nga komisionet në të gjitha nivelet dhe trajtimi i ankimimeve nga subjektet deri sa të shpallet rezultati përfundimtar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve”. Kështu që raporti përfundimtar dhe rekomandimet shoqëruese priten të bëhen publike në fillim të vjeshtës.

Zgjedhjet, 2009

Zgjedhjet, 2009

“Më lejoni të theksoj qëndrimin tonë se zgjedhjet në rradhë të parë janë për votuesit. Një gjë është e rëndësishme, që në ditën e zgjedhjeve qytetarët të jenë të lirë të ushtrojnë të drejtën që ata kanë për të votuar, pa asnjë problem, pa asnjë presion ose kërcënim të mundshëm. Gjithashtu komisionet e votimit të funksionojnë normalisht sipas kodit zgjedhor. E përsëris që zgjedhjet në rradhë të parë janë për votuesit dhe kjo duhet të respektohet”.

Gjatë fundjavës KQZ ka miratuar kërkesën për akreditimin e rreth 450 vëzhguesve të huaj, cilët do të jenë nën siglën e OSBE/ODIHR-it. Këta do të përbëjnë misionin afatshkurtër më të rëndësishëm ndërkombëtar, që do të thotë se ata do të mbulojnë me monitorim të gjithë territorin e vendit, ditën e votimeve, si dhe procesin e punës së komisioneve të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve. Këtyre vëzhguesve do ti bashkohen dhe përfaqësues nga rrjeti i organizatave joqeveritare vendase, i cili pritet që të bëjnë publik një raport monitorimi në fillim të javës së dytë të muajit maj.