1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet në Shqipëri - Përshtypja e përgjithshme shumë pozitive

Diebold: Deklaratat e ndërkombëtarëve mund të ishin pak më pozitive, por standardet janë standarde dhe për to nuk mund të bëhen negociata.

DW Mikrofon

DW: Zoti Diebold, ju keni qenë ditën e dielë kur në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të radhës në disa qendra votimi. Cilat janë përshtypjet tuaja nga procesi i votimit?

Alfred Diebold: Kam një përshtypje shumë, shumë të mirë, nisur nga ato që pashë. Në të gjtha qendrat e votimit që vizitova, zgjedhësit e dinin me saktësi se çfarë po bënin, komisionet zgjedhore, sipas meje, punuan shumë mirë dhe në mënyrën e duhur, Për aq sa unë pashë nuk gjej asgjë që nuk ishte në rregull. Anëtarët e komisioneve zgjedhore komunikonin mes tyre, njerëzit që donin të votonin nuk pyeteshin se për kë do të votonin. Përshtypja ime e përgjithshme ishte shumë pozitive.

DW: Misionet e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe të NATO-s , në raportin e tyre paraparak, një ditë pas zgjedhjeve, bënë kritika të shumta në lidhje me procesin e votimit, ndonëse theksuan që zgjedhjet e 28 qershorit shënuan një “progres të prekshëm” sidomos në kuadrin e ligjor, regjistrimin dhe identifikimin e zgjedhësve.

Alfred Diebold: Mendoj që nga këndvështrimi i një të huaji që vjen në Shqipëri nga Britania e Madhe, Gjermania apo Austria, gjithçka duket shumë ndryshe. Shqipëria ka kaluar kohë shumë të vështira dhe proceset politike nuk zhvillohen në të njëjtën mënyrë si në demokracitë më të zhvilluara, më të pjekura. E kuptoj kriticizmin e tyre dhe mendoj që ai duhet marrë me shumë seriozitet nga politikanët shqiptarë. Ata duhet të shohin në detaje kritikat dhe të reflektojnë mbi to.

DW: A do të ndikojnë në ecurinë e procesit integrues të Shqipërisë në BE mangësitë në procesin zgjedhor dhe fryma e ashpër kritike e vëzhguesve ndërkombëtarë në raportin paraparak, që paraqitën dje në Tiranë? Brukseli i ka konsideruar zgjedhjet e 28 qershorit si testin vendimtar ndaj pranimit ose refuzimit te aplikimit te Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Alfred Diebold: Në fakt mendoj se deklaratat e ndërkombëtarëve mund të ishin pak më pozitive. Por, kuptohet, standardet janë standarde dhe për to nuk mund të bëhen negociata. Nga këndvështrimi i vëzhguesve ndërkombëtarë, që monitorojnë zgjedhjet e kuptoj shumë mirë perceptimin e tyre. Ndofta, unë jam disi i njëanshëm, pasi jam në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Fondacioni ”Friedrich Ebert” dhe unë personalisht jemi në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

DW: Mungesa e kulturës demokratike në radhët e politikanëve konkurrues në këto zgjedhje ishte një nga konstatimet në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë. Cili është komenti juaj?

Alfred Diebold: Eshtë një proces, që kërkon kohën e vet. Por unë e shoh Shqipërinë të ecë në drejtimin e duhur. Shumë interesante ishin exit polls, pra pyetja e votuesve se për kë kishin votuar menjëherë pas hedhjes së votës, por ato duhet të kryhen në një mënyrë shumë të sofistikuar ose të mos kryhen fare. Pasi në mbrëmjen e së dielës të kaluar, nga rezultatet e tyre u duk sikur Berisha po i fitonte zgjedhjet, po merrte 76 vende në parlament. Kurse dje dhe sot nga procesi i numërimit, po shohim që rezultati po balancohet. Exit polls i bënë njerwzit të çoheshin dhe te festonin në rrugë, të prishin rendin dhe qetësinë publike. Kjo është shumë e çuditshme. Mendoj që në kontekstin e exit polls media nuk luajti një rol pozitiv. Në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it raportohet që media nuk informoi në mënyrë të paanshme për procesin zgjedhor dhe mendoj se media ka nevojë për shumë përmirësime.

DW: Sipas shifrave zyrtare nga KQZ, pjesëmarrja në votime ka qenë rreth 46 %. Si e komentoni këtë shifër?

Alfred Diebold: Mendoj se është shumë e ulët. Shpjegimi im i vetëm për këtë pjesëmarrje të ulët është që shumë qytetarë që janë në listën e votimit nuk jetojnë në Shqipëri, të tjerë nuk jetojnë në qytetin ku janë regjistruar për të votuar dhe nuk i përballojnë dot shpenzimet e udhëtimit apo nuk duan të udhëtojnë. Dhe natyrisht ka një numër të konsiderueshëm, që thjesht besojnë se si të votojnë, si të mos votojnë, është njëlloj.

Intervistoi: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 30.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ie3e
  • Data 30.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ie3e