1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet në Serbi - Grindje për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës

Zgjedhjet parlamentare dhe komunale në Serbi kanë krijuar bazë për ndezje konflikti. Sepse sipas Beogradit dhe serbëve të Kosovës, ata duhet të marrin pjesë në to, kurse sipas shqiptarëve administratës së OKB, jo.

Protesta në Prishtinë kundër qeverisë së Serbisë, 9 maj 2008

Protesta në Prishtinë kundër qeverisë së Serbisë, 9 maj 2008

Zgjedhjet parlamentare dhe komunale në Kosovë kanë shkaktuar pakënaqësi në Prishtinë dhe atmosfera është e tensionuar.

Disa qindra demostrues shqiptarë hedhin plehra dhe bajga lope kundër ndërtesës së administratës ndërkombëtare, interpretimi i aksionit jepet po ashtu menjëherë:„UNMIK-u është kazani më i madh i plehrave në Kosovë!“

Të paktën sipas pikëpamjes së Albin Kurtit dhe lëvizjes së tij radikale Vetevendosje. Puna e Kombeve të Bashkuara në Kosovë qelbet erë, thonë demostruesit dhe kërkojnë që pas deklarimit të pavarësisë, UNMIK të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare dhe komunale serbe në Kosovë. „Kosova është një vend demokratik dhe sovran, asnjë vend tjetër nuk duhet të lejohet të zhvillojë zgjedhje atje. Aq më tepër serbët, që nuk pranojnë pavarësinë e Kosovës. Serbia shfrytëzon strukturat e saj paralele në Kosovë, për ta shkatërruar atë nga brenda,“ thotë Albin Kurti.

Nuk është ndonjë sekret fakti që rreth 120.000 serbë të Kosovës jetojnë në botën e tyre. Një shtet paralel me lidhje të mira me Beogradin dhe jo me Prishtinën. Pavarësisht se ku jetojnë, në enklava apo në Veriun e Kosovës të banuar kryesisht prej serbëve, pakica serbe është pa punë dhe pa perspektivë për të ardhmen dhe varet financiarisht nga lëmoshat që vijnë prej Serbisë. Ajo ndihet e lënë në baltë nga qeveria e Kosovës. Ajo nuk i beson asaj, prandaj i ka bojkotuar gjithnjë zgjedhjet parlamentare dhe komunale të zhvilluara në Kosovë.

Kur zhvillohen zgjedhje në ish provincën serbe të Kosovës, e vendos që prej fundit të luftës më 1999 administrata ndërkombëtare. Deri tani UNMIKU i ka pas lënë serbët e Kosovës që të vendosin bashkë me qeverinë e Beogradit. Sepse fati politik i Kosovës ka qenë për një kohë të gjatë i paqartë. Zgjedhje komunale vetëm serbe nuk ka patur asnjëherë në Kosovën e protektuar nga Kombet e Bashkuara. Tani, pas deklarimit të pavarësisë, zgjedhje të tilla janë provokim jo vetëm për shqiptarët e Kosovës por edhe për shefin e UNMIK-ut Joachim Rücker: „Tani, ajo që na ka mbetur është shpresa se Beogradi do të gjykojë si duhet dhe nuk do të shkelë autoritetin e vendosur sipas rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara. Gjithnjë thuhet, për shembull edhe në Këshillin e Sigurimit se UNMIK duhet respektuar. Nëse megjithatë nëse puna vjen aty sa të zhvillohen zgjedhjet komunale në Kosovë, atëherë ajo që na ka mbetur është që të themi se rezultati i tyre nuk njihet.“

Në mënyrë që gjendja në Kosovë të mbetet e qetë, UNMIK do që t`i lerë serbët në qetësi që të shkojnë tek kutitë e votimit. Sepse serbët mendojnë ndryshe, si për shembull Dragan Dancetovic. Ai kandidon për të zënë një post në Komunën e Obiliqit nëpërmjet Listës së Partisë Socialiste.„Serbia ka bashkëpunuar deri tani gjithnjë me korrektësi dhe dinjitet me Kombet e Bashkuara.“

Por këto marrëdhënie korrekte midis Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar janë prishur, thotë ai, që kur shumë vende të rëndësishme njohën pavarësinë e Kosovës. „Ka mundësi që kjo të jetë edhe arsyeja pse na duhet neve tani të mbajmë zgjedhje lokale. Ne ndihemi të provokuar nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar.“

Pse duhet të vazhdojnë serbët të respektojnë rregullat e lojës, kur të tjerët nuk respektojnë kufijtë shtetërorë të Serbisë? pyesin serbët si Dancetovic. Edhe serbët e Kosovës, të cilët politikisht nuk ndihen afër me kampin nacionalist, gjejnë arsye pse duhet të zhvillohen zgjedhjet serbe në Kosovë. Në fund të fundit, për shkak të qëndrimit bojkotues ndaj zgjedhjeve pakica serbe në Kosovë nuk ka zhvilluar për më shumë se dhjetë vjet zgjedhje komunale, siç shpjegon një student nga Mitrovica: „Këto zgjedhje janë vërtet të rëndësishme. Komunat serbe kanë tani mundësi, të zgjedhin sërish përfaqësuesit e tyre legjitim në nivel komunal, të vendosin vullnetin e tyre.“

Aq më tepër në një shtet të pavarur të Kosovës. Një fakt që Beogradi dhe serbët e Kosovës nuk duan ta pranojnë.



  • Data 10.05.2008
  • Autor Andrea Mühlberger / Mitrovicë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dxvk
  • Data 10.05.2008
  • Autor Andrea Mühlberger / Mitrovicë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dxvk