1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjedhjet në Moldavi vendosin drejtimin e vendit pro apo kundër Evropës

Sot (29 korrik) në Republikën e Moldavisë zhvillohen zgjedhjet e parakohshme paralamentare. Në zgjedhjet e 5 prillit 2009 fitues dolën komunistët. Por për një votë mangut ata nuk zgjodhën dot presidentin e vendit.

Zgjedhje të parakohshme parlamentare në Moldavi

Zgjedhje të parakohshme parlamentare në Moldavi

Moldavia është një ndër vendet më të varfra të Evropës

Pas tetë vjetësh sundimi të komunistëve dhe drejtimit autoritar të presidentit Vladimir Voronin, shef i Partisë Komuniste, Moldavia është një ndër vendet më të varfra të Evropës. Nga 4 milionë banorët e Moldavisë 64% janë me prejardhje rumune, 14% janë ukrainas, 13% rusë, 3,5% gagauzë (të krishterë ortodoksë që flasin turqisht) si dhe pjesëtarë etnish të tjera.

Opozita liberale, konsekuente pro Europës, e akuzon Voroninin për shpërdorim të postit

Politika e jashtme e Voroninit lëvizte mes një kursi pro Evropës dhe pro Rusisë. Opozita liberale, e cila ndjek një kurs konsekuent pro Europës, e akuzon Voroninin për shpërdorim të postit, dhe se ka nën kontroll drejtësinë, mediet dhe të gjithë ekonominë. Shefi i partisë Liberal-Demokratike, Vladimir Filat:

"Partia e Komunistëve që ka 8 vjet në pushtet, ua ka nënshtruar institucionet demokratike interesave të regjimit të saj. Nëpunësit e shërbimit civil, organet e pushtetit shtetëror janë detyruar që të veprojnë vetëm nga frika. Mbi ndërgjegjen e qeverisë aktuale ka shumë viktima: qytetarët janë poshtëruar, shpronësuar, torturuar dhe vrarë. Ngritja e zërit kundër regjimit të Voroninit është detyrim qytetar për të gjithë që t'i thonë jo mungesës së ligjit, dhunës dhe urrejtjes.“

Thuhet se në listat e votuesve ishin shfaqur papritur rreth 600.000 persona të vdekur

Një ditë pas zgjedhjeve të 5 prillit nëpër rrugë dolën për të protestuar kundër manipulimeve rreth 10.000 vetë, kryesisht të rinj. Thuhet se në listat e votuesve ishin shfaqur papritur rreth 600.000 persona të vdekur. Më 7 prill demonstruesit pushtuan selinë e presidentit dhe ndërtesën e parlamentit.

Opozita flet madje për katër viktima nga radhët e demonstruesve

Policia nuk bëri fillimisht ndonjë rezistencë dhe masat për ruajtjen e institucioneve shtetëtore ishin të pamjaftueshme. Voronini akuzoi opozitën për trazirat dhe pas kësaj policia u lëshua kundër demonstruesve duke i ndjekur, rrahur dhe arrestuar. Opozita flet madje për 4 viktima nga radhët e demonstruesve të rinj. Presidenti Voronin e akuzoi madje Rumaninë si organizatore të trazirave, vuri regjimin e vizave për shtetatsit rumunë dhe dëboi nga vendi ambasadorin e Rumanisë.

Liberalët, Liberal-Demokratët dhe Aleanca "Moldova Noastra" refuzuan të mbështesin kandidatin e komunistëve për president

Nga ana tjetër opozita, e akuzon qeverinë se e kishte organizuar vetë të ashtuquajturin "grusht shteti" për të tërhequr vëmendjen prej mashtrimeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve. Prej këtyre ngjarjeve zgjedhja e presidentit të ri ishte e predestinuar të dështonte dhe tri partitë opozitare në Parlament – Liberalët, Liberal-Demokratët dhe Aleanca "Moldova Noastra" – refuzuan t'ia jepnin votët kandidatit të komunistëve për president, duke u hapur kështu rrugën zgjedhjeve të reja. Shef i Aleancës "Moldova Noastra", Serafim Urecheanu, deklaroi në një konferencë për shtyp se komunistët ishin përpjekur të blinin votën e 61, votën e artë si e quajti ai që u duhej për të zgjedhur presidentin.

"Njërit iu premtua një banesë me 4 dhoma, një tjetri miliona dhe madje edhe posti i zëvendëskryeminstrit. Por në këtë vend nuk mund t'i blesh të gjitha me para, sepse në këtë vend nuk është gjithçka e prishur“.

Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit prej Parlamentit, për të cilën nevojiten votat e 61 nga 101 deputetët e parlamentit të vendit, njëri nga drejtuesit e PK, Marian Lupu, dhe ish-kryetar i parlamentit (2005-2009), u largua nga kjo parti dhe u bë drejtues i Partisë Demokratike. Ai e kritikoi ashpër Voroninin dhe është një nga kadidatët që pritet të fitojë shumë vota sidomos nga elektorati social-demokrat. Sipas anketimeve të fundit si komunistët edhe opozita kanë shanse të barabarta për të fituar dhe pritet një garë kokë më kokë. Në këtë sfond, përveç çështjes së koalicioneve paszgjedhore mbetet interesante edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, sepse për këtë nevojiten 61 vota.

Autor: Vitalie Calugareanu/Robert Schwartz

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 29.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IzRb
  • Data 29.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IzRb