1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet në Kosovë: ndërkombëtarët thirrje për pjesëmarrje masive të serbëve

Përfaqësuesit ndërkombëtarv në Kosovë bëjnë thirrje për zgjedhje të qeta, fer dhe demokratike. Thirrje u bëhet edhe serbëve të Kosovës që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet e së dielës.

Të dielën (08.06 ) në Kosovë me mbahen zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme. 1.7 milionë qytetarë të Kosovës më të drejtë vote, do të zgjedhin deputetët e kuvendit të Kosovës. Në garë janë 31 subjekte politike, nga to 19 parti politike, 7 nisma qytetare, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. 2 000 mijë kandidatë garojnë për 120 vende në Parlamentin e Kosovës. Udhëheqësit më të lartë të shtetit, përfshirë edhe përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare, bëjnë thirrje për zgjedhje të qeta. Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuell Zhbogar dhe ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara, thonë se këto zgjedhje nuk janë çfarëdo zgjedhjesh.

QUINT-i pret standarde evropiane për zgjedhje demokratike

“Të dielën, më 8 qershor qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend për katër vitet e ardhshme. Këto do të jenë zgjedhjet e para të përgjithshme pas përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Kur një partner i ardhshëm kontraktues i BE-së i mban zgjedhjet, ne presim që standardet evropiane për zgjedhje demokratike të respektohen plotësisht”.

“Kjo është një nga arsyet kryesore pse Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të monitorojë përsëri procesin zgjedhor dhe bashkë me vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë do të vlerësojë mbarëvajtjen e procesit. Të gjeturat e tyre do të jenë udhërrëfyese jo vetëm për pikëpamjet tona për zgjedhjet, por edhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve në Kosovë të vendeve të QUINT-it.

Ata thonë se “është shumë e rëndësishme që zgjedhjet në tërë Kosovën të mbahen në mënyrë të drejtë dhe transparente. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në atë mënyrë që do t'i motivojë qytetarët të përdorin të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të shprehur mendimet politike individuale pa kurrfarë ndërhyrje”.

Serbët e Kosovës marrin pjesë në zgjedhje

Në zgjedhjet e përgjithshme të tetë qershorit do të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës. Qeveria e Beogradit tashmë ka ftuar serbët që të marrin pjesë në zgjedhje. Përfaqësuesit e shumicës së serbëve të Kosovës garojnë me një listë të përbashkët ”Serpska”, e cila mbëshetet nga qeveria e Beogradit.

Samuel Zbogar

Përfaqësuesi i BE-së Samuel Zbogar

Edhe për serbët e Kosovës, përfaqësuesi i BE-së Samuell Zhbogar ka një mesazh.“Këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme pas marrëveshjes së Brukselit. Shpresoj që serbët në mbarë Kosovën do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Serbët sikurse edhe komunitetet e tjera mund të mbrojnë interesat e tyre më së miri me mjete që sigurohen me Kushtetutë, marrëveshje të Brukselit, ligje dhe integrim brenda këtyre institucioneve. Besoj se koha e frikësimit, refuzimit dhe e bllokadave është e kaluar”, thotë Samuell Zhbogar.

Ambasadori gjerman Peter Blomeyer

Ambasadori gjerman Peter Blomeyer

Në këtë linjë është shprehur edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer. Sipas tij, “Gjermania dhe partnerët e saj nuk do të tregojnë asnjë tolerancë ndaj manipulimeve në zgjedhje dhe secili që tenton të manipulojë në zgjedhje duhet të llogarisë me pasojat. “Tani duhet pritur që këto zgjedhje të mbahen. Pastaj duhet dëgjuar edhe vlerësimi i misionit të vëzhguesve të BE-së për zgjedhjet. Në bazë të kësaj do të orientohet edhe qëndrimi gjerman. Ndonëse një gjë mund ta them që tani. Asnjë tolerancë ndaj manipulimit të zgjedhjeve nuk do të ketë”, është shprehur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer.

Për të garantuar një proces të drejtë zgjedhor tashmë janë aktivizuar të gjithë mekanizmat e drejtësisë. Prokuroria e shtetit do të jetë shumë aktive në ditën e zgjedhjeve.

Mijëra policë të angazhuar për sigurinë gjatë zgjedhjeve

"Janë caktuar mbi 100 prokurorë dhe mbi 300 punonjës staf mbështetës në të gjithë territorin e Kosovës që së bashku me hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie penale që cënon të drejtat e votimit”, thotë koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula.

Edhe policia e Kosovës tashmë ka hartuar planin e saj të sigurisë në të gjithë teritorin përfshirë edhe veriun e Kosovës, thotë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.

“Ne do të aplikojmë modelin e zero tolerancës për secilin shkelës të ligjit. Bazuar në neutralitetin tonë politik, do të vazhdojmë bashkëpunimin tashmë të planifikuar nga të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit duke mos anashkaluar Eulex-in dhe KFOR-in, me të vetmin qëllim që i gjithë procesi zgjedhor të kalojë sa më mirë”.

“EULEX-i dhe KFOR-i janë të përgatitur që ta përkrahin Policinë e Kosovës dhe të intervenojnë menjëherë nëse në çfarëdo mënyre do të kërcënohej procesi zgjedhor apo nëse rrezikohet siguria e qytetarëve në vendvotime, siguria e anëtarëve të komisioneve zgjedhore dhe e lehtësuesve të zgjedhjeve apo e vëzhguesve”, thuhet poashtu në një deklaratë për media nga misioni EULEX.