1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Zgjedhjet në Iran

Për qytetarët iranianë të rrënuar prej recesionit mandati i dytë i Ahmedinexhadit është një katastrofë më e madhe se sa për Uashigtonin apo për Berlinin.

Irani voton

Edhe sikur të ishte zgjedhur një president reformator, ndryshime në Iran do të kishte pasur vetëm në jetën e përditshme

Në shtypin gjerman gjen jehonë rezultati i zgjedhjeve në Iran dhe situata e krijuar pas protetstave të dhunshme


Gazeta "Berliner Zeitung" komenton: "Presioni ndaj Iranit do të rritet tani në të gjitha drejtimet. Kongresi i SHBA-së së shpejti do të miratojë sanksione të reja, evropianët do të pasojnë pak më vonë me ashpërsimin e embargos së tyre. Udhëheqja në Teheran nuk do të heqë dorë nga e drejta e saj për pasurimin e uraniumit. Ndonëse një gjë të tillë nuk e premtoi asnjëri prej kandidatëve të tjerë, pas rizgjedhjes së Ahmedinexhadit pengesat për një zgjidhje të konfliktit janë po aq të mëdha sa deri më sot, ndoshta edhe më të mëdha. Edhe sikur Ahmedinexhadi ta zbusë retorikën e tij, një goditje ushtarake e Izraelit kundër komplekseve atomike të Iranit po bëhet gjithnjë e më e mundshme. Qysh përpara zgjedhjeve në Iran kryeministri Benjamin Netanjahu kishte ngulur këmbë te presidenti i SHBA-së Obama, që t'i japë një plan të qartë kohor diplomacisë dhe të përgatitet edhe për një dështim të saj. E pikërisht kjo strategji çoi në rastin e Irakut në luftë."


"Westfälischer Anzeiger" tërheq vëmendjen: "Shqetësimi që ngjalli në Perëndim rezultati i zgjedhjeve në Iran është i pabazë. Sepse sado yshtëse që të jenë fjalimet e Ahmedinexhadit mbi pasurimin e uraniumit, sado urrejtje që të përmbajnë kërcënimet e tij - presidenti i vjetër dhe i ri nuk lejohet të vendosë as për programin bërthamor të Iranit dhe as për rolin e Teheranit në konfliktin e Lindjes së Mesme. Për këtë vendos Ajatollah Komeni. Edhe sikur të ishte zgjedhur një president reformator, ndryshim do të kishte pasur vetëm në jetën e përditshme iraniane. E pikërisht kjo është urgjentisht e nevojshme. Jo më kot qytetarët e rrënuar prej recesionit dalin e protestojnë në rrugë. Për ata mandati i dytë i Ahmedinexhadit është një katastrofë më e madhe se sa për Uashigtonin apo për Berlinin."


"Ostsee Zeitung" shkruan: "Rizgjedhja e Ahmedinexhadit do të thotë, që problemet e vjetra në vatrën shpërthyese të Lindjes së Mesme janë edhe problemet e reja: Pretendimi persian për superfuqi dhe në këtë kontekst edhe vazhdimi i programit atomik mbeten në axhendën politike të Teheranit ashtu si edhe kursi strikt armiqësor ndaj Izraelit. Libani, Siria dhe territoret palestineze vazhdojnë të konsiderohen si zona depërtimi për Hisbollahun dhe Hamasin si kolonat e pesta të Iranit. E vetmja gjë pozitive në fitoren e Ahmedinexhadit në zgjedhje është se kundërshtarët e Iranit - duke nisur qysh nga Izraeli e deri tek SHBA-ja e Arabia Saudite - e dinë mirë tani se ku janë."

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 15.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I9tU
  • Data 15.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I9tU