1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Zgjedhjet në Egjipt ngjallin interesim të madh në Gjermani

Në Berlin po i kushtohet vëmendje e madhe zhvillimeve në Egjipt. Zgjedhjet e para të lira në këtë vend kanë ngjallur interesim të madh në kryeqytetin gjerman por edhe shqetësim për të ardhmen e tij.

Pamje nga protestat në sheshin Tahrir

Pamje nga protestat në sheshin Tahrir

"Revolucionet zakonisht sjellin pak ndryshim," thotë shkencëtarja egjiptiane Hania Sholkamy. Me këtë thënie paradoksale në shikim të parë, antropologia e cila aktualisht punon në Universitetin amerikan të Kairos përshkruan gjendjen në Egjipt dhjetë muaj pas revolucionit. Që nga përmbysja e Mubarak-ut  në vend ka pasur pak ndryshime. Në fushat qendrore çdo gjë ka mbetur e njëjtë. Në këtë mënyrë burokracia egjiptiane, e cila dominon jetën e njerëzve, është rritur edhe më tej.

Nuk ka pasur ndryshime as në rrafshin social

Gjashtë milionë të punësuar e panë që nuk ka ndryshuar asgjë në strukturat juridike dhe administrative. Për më tepër, që nga revolucioni vërehet një rritje e  konservatorizmit të popullsisë. Gjithnjë e më shumë njerëz tërhiqen nga rrymat fetare. Kjo mund të vërehet më së miri tek forca tërheqëse e Vllazërisë Muslimane. Në rrafshin social, nuk ka pasur zhvillime pozitive. Po ashtu nuk ka ndryshuar asgjë as në shpërndarjen e padrejtë të pushtetit dhe burimeve në Egjipt.

Dhjetë muaj pas përmbysjes së Mubarakut rinia protestojnë sërish në rrugë

Dhjetë muaj pas përmbysjes së Mubarakut rinia protestojnë sërish në rrugë

Ngjashëm gjendja përshkruhet edhe nga Noha El-Mikawy, një politologe e cila ka studiuar ndër të tjera në Universitetin e Erlangen-it dhe në Universitetin e Lirë të Berlinit. Ajo aktualisht  punon për Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. Egjipti po përballet me sfida të mëdha, thotë ajo. Shoqëria duhet të gjejë një rrugë për të lënë pas vetes të kaluarën, të përpunojë përvojën e shtypjes dhe skllavërisë dhe të zhvillojë kushtet për një të ardhme më të mirë.

El-Mikawy është skeptike se sa mund të ketë sukses një proces kaq i madh. Megjithatë, në protesta masive në Egjipt ajo sheh një mesazh pozitiv: "Revolucioni ishte një thirrje për dinjitet," thotë ajo. Kjo thirrje nuk mund të ngulfatet më. Edhe në qoftë se në rrugën e demokracisë do të ketë shumë pengesa, popullin egjiptian nuk do të hezitojë në të ardhmen për të zhvilluar protesta.

Shqetësim për zhvillimet e ardhshme

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle

El-Mikawy dhe Sholkamy kanë ardhur në Berlin me ftesë të Partisë së Gjelbër për të raportuar mbi gjendjen në vendlindjen e tyre në prag të zgjedhjeve të para të lira. Sepse ne Gjermani përcillen me shqetësim të madh zhvillimet në Kairo, Aleksandri dhe qytete të tjera, ku njerëzit ka ditë që kanë filluar sërish të dalin për të protestuar në rrugë. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle u shpreh i shqetësuar edhe për përleshjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Kajro, gjatë të cilave humbën jetën disa njerëz  dhe u plagosën mijëra të tjerë.

Për shkak të dhunës së vazhdueshme Westerwelle dërgoi në fillim të javës në Egjipt  të ngarkuarin e qeverisë gjermane për Lindjen e Mesme, Boris Ruge. Westerwelle apeloi tek të gjitha palët t'i japin fund dhunës dhe "mos të ndalen tani në rrugën drejt demokracisë."

Autor: Bettina Marx / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

DW.COM

Audio dhe video për temën