1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Serbi vendim racional ! Nëse fitojnë radikalët të humburit janë qytetarët

Sanja Blagojeviç DW Serbisch10 Mars 2008

Zgjedhjet në Serbi priten t´i japin zgjidhje grindjes disa javëshe që po zhvillohet mbi kursin e politikës së jashtme të qeverisë. Hapi befasues i kryeministrit Koshtunica u përshëndet nga të gjitha palët

https://p.dw.com/p/DLRk
Kryeministri i Serbisë, Vojislav KoshtunicaFotografi: AP

Vojislav Koshtunica ka deklaruar dorëheqjen. Më në fund, mund të thuash i çliruar, tani po ndodh diçka normale. Më në fund ai po e kupton realitetin. Sepse kryeministri i Serbisë dukej se prej kohësh e kish humbur ndjenjën e realitetit. Ndryshe nuk mund të shpjegohen deklarimet e tij të pështjelluara të kohëve të fundit lidhur me BE-në dhe Kosovën. Sepse çdo njeri që mendon në mënyrë racionale e di, që Kosova është tani e pavarur dhe se kjo ishte dëshira e shumë shteteve. Kostunica duhej t´i kish ndarë qartë dëshirat nga realiteti, pavarësisht sa e dhimbshme është kjo.

Studentë që demostrojnë për afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian, Beograd, 11 shkurt 2008
Studentë që demostrojnë për afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian, Beograd, 11 shkurt 2008Fotografi: AP


Por nga vjen tani ky gjest racional pas gjithë atyre parrullave të propagandës? Ndoshta kjo ka të bëjë thjeshtë me kalkulimet për pushtetin. Sepse sa më shumë të zgjasë situata aktuale politike, ku secili në qeveri dhe në parlament bllokon tjetrin, aq më shumë qytetarët do të shkëputen emocionalisht prej Kosovës dhe do të përqëndrohen tek problemet ekonomike.


Kjo do të ishte një katastrofë për imazhin e Koshtunicës, i cili gjithësesi është i keq. Pas zgjedhjeve presidenciale, që i fitoi kundërshtari i tij Tadic, Kostunica në aspektin politik dukej i dështuar. Por me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nisi vala nacionaliste. E papritur doli në pah, se Kostunica me kohë thuajse të gjitha mediet i kish vendosur nën kontrollin e vet.

Komisioneri i zgjerimit në Bashkimin Evropian, Olli Rehn
Komisioneri i zgjerimit në Bashkimin Evropian, Olli RehnFotografi: AP


Motoja e re

Kush nuk është me zemër për një Serbi me Kosovën automakisht është tradhëtar. Kjo përbën një kthim prapa në kohët e errëta të viteve 90-të nën Milosheviçin. Me riforcimin e nacionalizmit serbo-madh partia e Kostunicës, DSS, i ka rritur shanset e veta për të siguruar pragun e pesë përqindshit elektoral. Sepse, siç vlerësojnë vëzhguesit politikë, pas pavarësisë së Kosovës kjo parti nuk do ta kish arritur pragun e përfaqësimit parlamentar.


Idhtarë nacionalistë duke i treguar tre gishtat Tomislav Nikoliçit të Partisë Radikale Serbe
Idhtarë nacionalistë duke i treguar tre gishtat Tomislav Nikoliçit të Partisë Radikale SerbeFotografi: AP

Çështja është se

Si Koshtunica ashtu edhe partia e tij DSS e përfytyrojnë kthimin në pushtet pas zgjedhjeve të majit. Ai mund të bashkëpunojë me partinë radikale, ose sërish mund të kthehet në drejtimin e partnerit të deritanishëm të koalicionit, partisë demokratike të presidentit Tadiç. Edhe një veprim i tillë do të ishte tipik për Koshtunicën. Ndonëse është mjaft e dyshimtë, që ai të mund të jetë sërish kryeministër. Kjo pasi për radikalët, që ndërkohë janë duke fituar pikë fuqishëm, në rastin më të mirë ai do të ishte partneri i ri i koalicionit. Ndërsa nuk është e sigurt, nëse demokratët vërtetë do të duan të bashkëpunojnë me Koshtunicën. Tadiçi dhe partia e tij duan të orientohen drejt Evropës dhe nga pikëpamja e tyre Koshtunica është spostuar shumë në skajin nacionalist.

Kush mund të përfitojë nga zgjedhjet?

Me shumë gjasa radikalët. Ata mund t´ia arrin vërtetë të marrin pushtetin. Por në një rast të tillë ata që humbasin janë qytetarët. Sepse radikalët nuk kanë asnjë recetë për ta çuar vendin përpara dhe parrullat kundër Kosovës e retorika kundër BE-së nuk përbëjnë program qeveritar.