1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet lokale në Shqipëri me risi pozitive

Me një pjesëmarrje rreth 48 përqind, procesi i votimit në 61 bashkitë e vendit kaloi normalisht, pa incidente serioze, por për nxjerrjen e rezultateve zyrtare për drejtuesit fitues të pushtetit vendor duhet ende kohë.

Zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 kanë nxjerrë në pah disa risi krahasuar me ato të mëparshmet. Gjatë gjithë ditës së dielë pranë qendrave të votimit dhe në vendqendrimet e komisioneve zonale në 12 qarqet e vendit nuk pati prezencë të liderëve politikë, deputetëve, apo funksionarëve të administratës, një nga fenomenet mbisuenduese në proceset e kaluara zgjedhore, që kanë gjeneruar situata të tensionuara dhe konfliktuale mes simpatizantëve, që jo pak herë kanë përfunduar dhe në akte ekstreme dhune, ku janë përdorur dhe armët e zjarrit.

Thirrje për votim

Të dielën në procesin e votimit forcat policore kanë realizuar shërbimet e tyre në distancë nga vendet ku ishin instaluar kutitë e votimit dhe ato janë thirrur vetëm në një rast nga një komision lokal zgjedhor për ndihmë jashtë qendrës së votimit. Një tjetër risi ishte dhe mosaktivizimi i selive të partive kryesore politike me deklarata dhe kundërdeklarata. Përkundrazi gjatë kohës kur votohej nga politikanët dhe zëdhënësit partiakë në daljet e tyre publike dhe mediatike pati vetëm apele për pjesëmarrje masive në votime nga ana qytetarëve, ku u përsërit slogani: “Nëse nuk voton mos u anko!”

Megjithatë gjatë procesit të votimit ka pasur dhe raportime për mangësi teknike, parregullsi a incidente, si përshembull, hapja me vonesë e qendrave të votimit, vonesa në pajisjen me bazën materiale, printimi me gabime i fletëve të votimit për këshillat bashkiake në tre raste, mosmarrëveshjet mes komisionerëve për procedurat etj. Me ndërhyrjen e Komsionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vetë Komisioneve Zonale Zgjedhore shumë prej këtyre problemeve janë zgjidhur me mirëkuptim mes komisionerëve, apo me vendimarrje për vijimin e procesit.

Përfaqësuesi i Dhomës Zgjedhore, Afrim Krasniqi, tha për Deutsche Welle-n, se nga një sondazh që ishte bërë nga aktivistët e kësaj strukture të pavarur monitorimi, në tre zona, në Tiranë, Paskuqan dhe Kashar, kishte pasur pjesëmarrje të ulët të numrit të grave në votime.

“Gjithashtu personave me aftësi të kufizuar nuk u ishin krijuar kushtet e nevojshme të parashikuara në ligj për ushtrimin lirisht të së drejtës së votës. Vumë re që në disa raste se komisionet nuk kishin marrë masa për zbatimin e kërkesave dhe të ligjit, që në 150 metra distancë larg qendrave të votimit të mos ketë materiale propagandistike”.

Diplomatët përendimorë në terren

Një risi tjetër për zgjedhjet e së dielës ka qenë vëmendja e shtuar e përfaqësuesve të ambasadave perëndimore. Pas deklaratave të përsëritura gjatë fushatës elektorale të diplomatëve kryesorë për pjesmarrje masive në votime, për mosshitjen e votës, për mosvotimin e kandidatëve të inkriminuar etj., ata iu bashkuan ekipit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për monitorimin e votimeve të dielën. Shefja e delegacionit të BE-së, ambasadorët e Gjermanisë, SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Italisë, Suedisë, Holandës etj., asistuan në qendra të ndryshme votimi në disa qarqe, duke përfshirë dhe në ato që konsideroheshin si zona të nxehta. Diplomatët kanë mbajtur shënim, duke lënë të nënkuptohet se do të jenë prezentë dhe në procesin e numërimit të votave deri në nxjerrjen e rezultateve për kryetarët e bashkive dhe këshillat e tyre bashkiake. Konstatimet e tyre ata do t'i propozojnë në ekipin afatshkurtër dhe afatmesëm të OSBE/ODIHR-it, për t'u përfshirë në raportin paraprak dhe përfundimtar të këtij isntitucioni.

Pritmëria për procesin e numërimit të votave

Votimet e ditës së dielë do të mbahen mend edhe sepse për herë të parë shtabet kryesore politike nuk shpallën fitoren pa filluar ende procesi i numërimit të votave nëpër kuti. Kjo përmbajtje ka qenë një zhvillim pozitiv për krijimin e një klime të qetë deri sa të numërohet dhe vota e fundit. Pas mbylljes së kutive të votimit kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka falenderuar qytetarët që morrën pjesë në zgjedhje, pavarësisht se për kë votuan ata. “Sot u votua reforma e madhe e riorganizimit administrativ të shtetit shqiptar që nga nesër do të jetë një shtet më modern”, shkruante mes të tjerave Rama.

Shefi i opozitës dhe kryetari i PD, Lulzim Basha, rreth katër orë pasi ishim mbyllur kutitë e votimit pasi ka kritikuar disa raste incidentesh që sipas tij, janë shkaktuar për faj të mazhorancës së majtë, ka përshkruar si mjaft të rëndësishëm fazën e numërimit të votave, ku i ka bërë thirrje numëruesve të opozitës që të qëndrojnë në lartësinë e kryerjes së detyrës. “Kujtoj numëruesit për rëndësinë e madhe që ka zbatimi i ligjit për të lexuar me transparence verdiktin e sovranit tashmë në kutitë e votimit.”

Rreth mesnatës në disa prej zonave zgjedhore në qarkun e Tiranës dhe në rrethe kanë nisur procesi i numërimit të votave. Sipas kodit elektoral, procesi i numërimit fillon vetëm atëherë kur merret në dorëzim e gjithë baza materiale nga ana e të gjithë anëtarëve të komisionit. Për disa nga bashkitë e vogla të vendit si në Pustec, Has apo Urën Vajgurore rezultati mund të shpallet gjatë ditës së hënë, kurse për njësitë e tjera administrative që kanë pasur dhe më shumë votues do të duhen më shumë ditë për shpalljen e rezultateve për fituesit si kryetarë bashkie, apo për anëtarët e këshillave bashkiake.