1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet lokale në Kosovë - Daka : Zgjedhjet i kanë plotësuar standardet demokratike

"Procesi i votimit ka kaluar i qetë dhe pa probleme serioze. Ka pasur vetëm parregullësi të vogla", pohon Valdete Daka, kryetare e KQZ, në një intervistë për DW.

Valdete Daka

Valdete Daka

Deutsche Welle: Zonja kryetare, a jeni e kënaqur me ecurinë e votimeve në balotazh dhe si e vlerësoni gjendjen e sigurisë, pasi në disa rajone sërish ka pasur tensione?

Valdete Daka: Dita e sotme ka qenë e qetë dhe gjithçka ka kaluar sipas standardeve të parashikuara me ligj. Ka pasur disa parregullësi të vogla për të cilat është raportuar nga vendvotimet. Por vlerësoj se në përgjithësi kjo ka qenë një ditë jashtëzakonisht e qetë me një pjesëmarrje pak më të ulët të votuesve në krahasim me raundin e parë, gjë që ka qenë edhe e pritshme. Ndërsa gjendja e sigurisë në vendvotime ka qenë e mirë si në veri ashtu edhe në pjesët e tjera të Kosovës.

Ju thatë se ka pasur disa parregullësi të vogla, por nga prokuroria njoftohet edhe për tetë arrestime. Sa kanë ndikuar këto zhvillime në procesin zgjedhor?

Për gjërat që kanë ndodhur jashtë vendvotimeve nuk mund të prononcohem, sepse nuk ka informacione. Ndërsa sa i përket gjendjes në vendvotime, ka pasur disa incidente të vogla, të cilat nuk kanë ndikuar në procesin e votimit dhe nuk mund të ndikojnë në numrimin e votave.

Zonja kryetare e KQZ-së, tani kur ka kaluar edhe balotazhi, si e vlerësoni në përgjithësi procesin zgjedhor dhe a e ka kaluar Kosova testin e pjekurisë demokratike, siç është quajtur ky proces nga shumë qarqe ndërkombëtare dhe vendore?

Unë konsideroj se këto zgjedhje, si raundi i parë ashtu edhe balotazhi, në përgjithësi kanë qenë të qeta dhe i kanë plotësuar standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Besoj se edhe raportet nga vëzhguesit dhe institucionet ndërkombëtare do të jenë pozitive, sa i përket punës së KQZ-së dhe ecurisë së zgjedhjeve.

Në veri të Kosovës është votuar në dy komuna: në Zveçan janë përsëritur votimet në tri vendvotime, ndërsa në Mitrovicën Veriore është votuar në balotazh për kryetar bashkie. Si kanë kaluar zgjedhjet atje dhe ku do të numërohen votat, pasi që pas përsëritjes së zgjedhjeve më 17 nëntor, ka pasur vërerjtje për manipulimin e votave?

Numërimi i votave do të bëhet në vendvotime, si në të gjitha pjesët e Kosovës. Besoj se i gjithë procesi në veri të Mitrovicës sikur edhe në të gjitha pjesët e tjera të vendit do të kalojë pa probleme dhe se partitë politike nuk do të kenë nevojë për ankesa.

Në Mitrovicën Veriore kanë votuar kësaj radhe më pak zgjedhës se sa herën e kaluar. Jeni të kënaqur ju me pjesëmarrjen në zgjedhje në këtë pjesë të vendit?

Kur kemi parasyshë faktin se kjo është hera e parë që zgjedhësit e kësaj pjese të Kosovës marrin pjesë në zgjedhje, mund të jemi të kënaqur me pjesëmarrjen. Dalja në vendvotime nuk është e madhe, por është e kënaqshme.

Në ditën e votimit është bërë publik edhe një informacion për vjedhjen e një disku në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. A mund të ndikojë kjo në procesin zgjedhor?

Po kjo ka ndodhur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku na mungon një nga disqet në të cilin kanë qenë të ruajtura imazhet e kamerave, të cilat kanë regjistruar hapësirat e brendshme dhe të jashtme të QNR-së. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me numërimin e rezultateve. Natyrisht që nuk është ngjarje e mirë, por kjo nuk ndikon në punën e KQZ-së dhe në numrimin e votave.