1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet lokale 2011: Tendencat e reja në politikën shqiptare

Kandidatët dhe subjektet politike që garojnë për zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri po mundohen që komunikimin me elektoratin ta bëjnë nëpërmjet rrjeteve sociale në internet.

default

Subjektet politike komunikojnë me elektoratin nëpërmjet rrjeteve sociale në internet

Përbën një risi në këtë fushatë elektorale që po zhvillohen në Shqipëri, ku disa prej kandidatëve janë në kontakt e komunikim virtual me votuesit e tyre, nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale të njohura. Por rezultatet e një sondazhi që u publikuan së fundi tregojnë se ky proces është ende në fazat embrionale. Alban Nelaj pasi ka kryer një Master për Politikat Publike në Erfurt të Gjermanisë, tani drejton institutin evropian për politikat kombëtare dhe lokale, EUNACAL. Kjo organizatë joqeveritare ka realizuar dhe sondazhin për shkallën e përdorimit të rrjeteve sociale në ligjërimin politik mes të rinjve dhe kandidatëve në fushatën e zgjedhjeve të 8 majit 2011. Në fokus ishin rreth 2300 të pyetur të moshës nga 15 deri 39 vjeç, si në zonat urbane ashtu dhe ato rurale.

Albanien Alban Nelaj

Alban Nelaj, drejton institutin evropian për politikat kombëtare dhe lokale, EUNACAL

Rezultatet e pyetjes se cilat janë arësyet që ata përdorin shërbimet e internetit është domethënës, thotë Alban Nelaj për DW. “35 përqind e tyre i përdorin për të ndërvepruar on line me miqtë familjarët dhe kolegët, 25 përqind e të pyeturve i përdorin për të lexuar artikuj dhe opinione on line, 16 përqind i përdorin teknologjitë web 2.0 për të komunikuar ndërkombëtarisht. Pastaj ka kategori të ndryshme psh., për të botuar artikujt dhe opinione që shkojnë në masën 5 përqind. Së fundi, renditen ata që diskutojnë on line me politikbërësit qoftë në pushtetin lokal, apo atë qëndror, të cilët përbëjnë vetëm 2.4 përqind të të gjithë të pyeturve”.

Alban Nelaj thotë se aktualisht shifra është e ulët, por me gjallërimin e mëtejshëm të fushatës elektorale shifrat priten të mërrin rritje. “Me hyrjen tamam në thelbin e fushatës shpresojmë se kandidatët do të zotohen dhe do të marrin pjesë në Facebook për të komunikuar drejtëpërdrejtë me të rinjtë që interesohen për platformat e tyre”.

Në bazë të shifrave që kanë dalë nga sondazhi ka një dispropocion të madh mes përdoruesve në zonat urbane dhe ato rurale, që shkon në 92.6 me 7.4. Kjo ka të bëjë sipas organizatorëve të sondazhit me dispropocionin e nivelit të aksesit në internet që kanë të rinjtë në bashkitë me ata që jetojnë në komunat e fshatrat e vendit.

Mbështetës e realizmit të sondazhit për përdorimin e rrjeteve sociale si Facebook, Twitter, YouTube etj., në ndihmë të komunikimit mes kandidatëve dhe votuesve në zgjedhjet e 8 majit 2011 ishte Fondacioni “Shoqëria e Hapur”, SOROS.

Albanien Cerciz Loloci

Çerçiz Loloçi nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur”, SOROS

Çerçiz Loloçi nga ky Fondacion shikon dy arësye kryesore se përse niveli i komunikimit virtual të votuesve me kandidatët për t'u zgjedhur është në nivel të ulët në Shqipëri. Së pari, sipas tij, zgjedhjet lokale kanë specifikë fushatën e fragmentizuar në ndarje administrative, që shkojnë nga qindra banorë në komuna e fshatra, deri ne dhjetramijëra banorë për bashkitë. Në këto hapësira të limituara kontakti dhe komunikimi me votuesit në bazë dhe të traditës politike shqiptare mendohet se përballohet më mirë me takime direkte në terren, në mënyrë individuale apo në grupe të vogla, thotë Loloçi për DW. Si argument të dytë ai përmend shkallën e ulët të aksesit në internet që ka publiku shqiptar, pavarësisht përmirësimeve në vitet e fundit.

“Problem në Shqipëri është fakti se interneti ende nuk është aq i familjarizuar sa në vendet përendimore ku ka fuqi të madhe. Mund të përdoret shumë në Tiranë, psh., por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për zona të tjera të vendit. Unë besoj se nga njëri proces zgjedhor në tjetrin do të ketë një zgjërim të bazës së përdoruesve të shërbimeve on line e për këtë arësye kontakti dhe komunikimi virtual do të zgjerohet natyrshëm”.

Çerçiz Loloçi mendon se ky aspekt do të jetë direkt në shërbim të sqarimit të programeve elektorale dhe ndërgjegjesimit e orientimit më të mirë për çdo votues apo grup interesi para dhe pas proceseve zgjedhore.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama