1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet janë çështje e popullit serb

Kosova nuk përzihet në rezultatin e zgjedhjeve që përfunduan në Serbi të Dielën. Deklaratat nga Prishtina bëjnë të qartë se Kosovës i intereson një rajon i integruar në strukturat europiane.

Zgjedhja e liderit opozitar serb Tomisllav Nikoliq si president i Serbisë, për presidencën dhe qeverinë e Kosovës është zgjedhje e popullit serb, ndërsa, pavarësia e Kosovës dhe zhvillimet brenda saj, nuk varen nga zgjedhjet politike në Serbi.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, konsideron se zgjedhja e një presidenti të ri në Serbi është zgjedhje e popullit të Republikës së Serbisë, zgjedhje e një shteti fqinj, me të cilin Kosova mëton të ndërtojë marrëdhënie korrekte fqinjësore.

Jahjaga fton Nikolliqin të vendos raporte fqinjësore me Kosovën

“Ne jemi dy shtete të pavarura dhe sovrane që kemi pasur një të kaluar të rëndë, por që shpresojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Unë i bëj thirrje presidentit të sapozgjedhur të shtetit fqinj Serbisë, ta bëjë atë që paraardhësit e tij nuk e kanë bërë, ta gjejë guximin dhe të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me Kosovën. Kjo do të ndihmonte që të dyja shtetet e pavarura, Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, të ecin në rrugën e integrimeve evropiane dhe që popujt e të dyja vendeve të përcaktohen për të ndërtuar një të ardhme me prosperitet”, thotë në një reagim të shkruar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ndërkohë, zëvëndëskryeministri i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se Kosova nuk ka probleme me liderët politik në Serbi, por, ajo është e ballafaquar me sovranitetin e Serbisë kundrejt Kosovës.

Kosova nuk ka problem me liderët politik në Serbi

“Zgjedhja e Nikoliqit president i Serbisë, është vullnet i qytetarëve të Serbisë është zgjedhje e tyre. Natyrisht që Kosovës i intereson që krejt rajoni të jetë i integruar nga perendimi nga integrimet evropiane, të kontribuojë për paqe dhe stabilitet, por fati politik, pavarësia e Kosovës, zhvillimet e Kosovës nuk varen nga zgjedhjet politike që mbahen në Serbi. Ato janë për popullin serb dhe vlerësim për të tjerët. Ajo që mund të them është se Kosova do të prodhojë paqe stabilitet dhe fqinjësi të mirë”, tha zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuçi. Ai shpreson që secili pushtetar në Serbi të jetë i orientuar për bashkëpunim të mirë, për fqinjësi të mirë dhe për integrim në Bashkimin Evropian.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës

Nikoliqi do ta trajtojë Kosovën ndryshe nga Tadiqi

Ndërkohë, analisti politik, Behlul Beqaj, thotë se presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, padyshim që Kosovën do ta trajtojë ndryshe. “Nikoliqi sipas të gjitha gjasave do t'i përgjigjet kërkesave të Bashkimit Evropian për shumë ëështje, por gjithsesi Kosovën do ta trajtojë ndryshe nga Tadiqi. E kjo sipas mendimit tim nënkupton që zgjidhja do të kërkohet duke fajësuar Tadiqin pushtetarët dhe pushtetet paraprake për humbjen e Kosovës, ndërsa ai do të tentojë të jetë “meritori”, pse do ta bashkojë një pjesë të veriut të Kosovës me Serbinë”, thotë Behlul Beqaj.

Serbët e veriut festojë me të shtëna armësh fitoren e Nikoliqit

Kryetari i Partisë Përparimtare të Serbisë, Tomisllav Nikoliq pasi u zgjodh president i Serbisë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale serbe, tha se “Serbia nuk do të devijojë nga rruga evropiane”, dhe se “nuk do ta braktisë popullin e saj në Kosovë dhe Metohi". Në veri të Mitrovicës, të Dielën serbët festuan me të shtëna armësh zgjedhjen e Tomislav Nikoliq, president i Serbisë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi