1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjedhjet Evropiane: Çfarë (nuk) dëshmojnë sondazhet

Francezët janë më euroskeptikë se britanikët - thotë një studim. Jo, përkundrazi miratimi për Evropën është rritur, veçanërisht në Francë - thotë një tjetër. Kujt duhet t'i besojnë votuesit?

Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës mendimet dhe qëndrimet e evropianëve për BE-në janë të ndryshme. "Pak para zgjedhjeve evropiane, zhgënjimi me BE-në arrin nivele të reja," shkruan gazeta gjermane "Die Welt" dhe shton se 67 për qind e francezëve janë pesimistë në lidhje me zhvillimin e ardhshëm të BE-së. Kurse ndër britanikët 'vetëm' 52 përqind presin një të ardhme të zymtë, shkruan gazeta.

Ndryshe është mendimi i studiuesve të Pew Research Center në SHBA. Sipas tyre pas krizës së euros në Francë, Gjermani dhe Britaninë e madhe po shtohet besimi tek BE-ja. Sipas tyre 54 për qind e francezëve dhe 52 për qind e britanikëve kanë një imazh pozitiv për Bashkimin Evropian, pra më shumë se një vit më parë.

Dy studime, dy mendime - dhe veç tyre ka edhe të paktën një sondazh të tretë dhe të katërt. Sondazhi i institutit CSA i bërë për mediat franceze thotë se besimi i francezëve ndaj Evropës është zhdukur prej vitesh. Kurse Eurobarometri i Komisionit Evropian, flet për optimizëm dhe një imazh pozitiv që kanë në parimi qytetarët për BE-në.

"Pranimi i Evropës" nuk është "Pranim i BE-së"

"Natyrisht kjo është irrituese", thotë politologu Aiko Wagner nga Instituti për Studime Sociale WZB në Berlin. Rol për përfundimin e sondazheve luan se kush i formulon pyetjet dhe si i formulon ato, po ashtu numri i personave të pyetur dhe rrethi i tyre. Edhe mënyra se si kryhet një sondazh - pra me telefon, personalisht, ose në internet - dhe koha se kur kryehet janë të rëndësishme për rezultatet.

Dhe vërtetë anketat në lidhje me Bashkimin Evropian janë po aq të komplikuar sa edhe vetë BE-ja. Disa pyesin, për shembull se sa të kënaqur janë njerëzit me projektin evropian, të tjerët për besimin e tyre ndaj Bashkimit Evropian, apo për optimizmin për të ardhmen Bashkimi Evropian. "Në fund ka kaq shumë ndryshore që mund të shkaktojnë dallime që nuk kanë të bëjnë me qëndrimin e vërtetë të popullsisë, dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm me interpretimin," thotë Wagner.

Po ashtu studimeve mund t'u jepet një perspektivë e caktuar, nëse klienti, për shembull, ndjek një interes të veçantë: kjo është e njëjtë si në rastin e gotës të mbushur për gjysmë me ujë - optimisti e quan atë gjysmë plot, pesimisti gjysmë bosh edhe pse niveli i ujit është i njëjtë në të dyja rastet. Kjo ndodh edhe në qoftë se rezulton se rreth 55% janë pro dhe 45% kundër një çështjeje që shtohet në një pyetje.

Dikush e intepreton këtë se një shumicë është në favor të çështjes, kurse një tjetër se gati gjysma është kundër saj.

A ndikojnë sondazhet tek votuesit? - Ndoshta

Votuesit racionalë dhe analitikë rrallë ndikohen prej titujve të mediave. "Ka të dhëna se njerëzit i marrin parasysh rezultatet e anketimeve në vendimin e tyre se kujt do t'ia japin votën," thotë Aiko Wagner, "por studimet e kundërshtojnë një gjë të tillë." Kush nuk e ka të forcuar mendimin e tij, ai ndoshta ndikohet dhe bashkohet me mendimin e shumicës së supozuar. Por jo patjetër.

Pra si që do të marrë për bazë një sondazh duhet të shikojë me vëmendje se cilat kanë qenë pyetjet, si janë shtruar, kur është bërë sondazhi etj. Institutet shkencore bashkëpunojnë me institutet e sondazhit për të përgatitur në bazë të studimeve koncepte për sondazhet në mënyrë që sondazhet të jenë të matshme dhe të krahasueshme. Por studimet duan kohë dhe shpesh ato mund të jenë gati pesë deri në shtatë muaj pas zgjedhjeve. E mira e tyre është se kemi përfundime të qarta pa kontradikta.