1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Zgjedhjet e vitit 2011 përfundojnë me rreziqe për Merkelin

Vit i jashtëzakonshëm zgjedhjesh quhet 2011-a me zgjedhje në shtatë parlamente landesh. Në Berlin zgjedhjet përfunduan të dielën. Ato përfunduan me rezultate që mund t'i kushtojnë postin Angela Merkelit

Wowereit qeveris sërish Berlinin

Wowereit qeveris sërish Berlinin

Ajo parti që merr 1,8 përqind të votave, nuk fillon të përmendet më kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Këtë status ka marrë partia e liberalëve demokratë, FDP në zgjedhjet për parlamentin e Berlinit. FDP-ja nuk mund të ngushëllohet duke parë se në vitin 1995 dhe në atë 1999 pati marrë 2,5 dhe 2,2 përqind, pra jo shumë më mirë. Më e keqja është se rezultati i Berlinit flet për rezultate të ngjashme në gjithë vendin. 

Në zgjedhjet e para të zhvilluara këtë vit, në muajin shkurt në Hamburg, FDP pati marrë pak më shumë vota se më parë, por këtë falë kushteve speciale të politikës lokale. Në gjashtë zgjedhjet e zhvilluara në landet e tjera, liberalët nuk arritën të merrnin minimunin e mjaftueshëm, kështu që fluturuan jashtë të gjitha parlamenteve të landeve, përveç landit të Baden Vyrtembergut. Në jugperëndim liberalët kanë qenë gjithnjë me më shumë influencë, ne vitet 50-të kanë pas krijuar madje qeverinë e landit, e vetmja në historinë e partisë. Këtë post e ka marrë këtë vit partia e Të Gjelbërve.

Në Partinë e Liberalëve Demokratë janë mbledhur pas Luftës së Dytë Botërore rryma të ndryshme liberale. Në fillim dominonin nacional-liberalët, pas mesit të viteve 60-të liberalët e majtë, pas fillimit të viteve 80-të me kalimin, liberalët e ekonomisë.

Tani, janë Të Gjelbërit që vijnë fillimisht prej rrymave të majta, që kanë krijuar një tip që përmbledh liberalët ekologjikë, mbrojtës ambienti me të drejta civile, barazim social dhe kompetencë ekonomike në rritje. Këta ekologjistë kanë patur rritje sensacionale në shtatë zgjedhjet e landeve të zhvilluara këtë vit.

Me Partinë e Piratëve, të krijuar nga aktivistët e internetit, Të Gjelbërve mund t'u krijohet konkurencë e re nga radhët e të majtës liberale. Në qytetet e mëdha gjemane grupime të ngjashme jokonvencionale kanë zgjuar për një kohë të shkurtër interesin e publikut. Kështu për shembull partia konservatore e djathtë në Hamburg. Ose grupimi nga Mynihu që kërkonte më shumë transparencë, me emrin „Davidi kundër Goliath-it“. Nëse piratët do të kenë jetë më të gjatë, dhe do të ekzistojnë deri në zgjedhjet për parlamentin federal, që zhvillohen pas dy vjetësh, pritet të shihet.

Shanse të këqija për liberalët

Por ajo që mund të ndodhë është që Angela Merkeli të humbasë zgjedhjet e ardhshme për parlamentin federal, nëse nuk ndihmon liberalët. Aktualisht nuk shihet se si mund të ndodhë kjo. Liberalët i kanë humbur zgjedhjet e këtij viti, sepse thirrja e tyre për uljen e taksave në kohë krize financiare nuk ishte më e besueshme. Karta e euroskepticizmit, që ata përdorën në zgjedhjet e Berlinit, nuk luajti rol. Edhe fusha të tjera klasike të liberalëve janë zënë prej kohësh prej Të Gjelbërve.

Por Merkeli ka në anën e saj një aleat, kohën. Në 18 muajt e ardhshëm pritet të zhvillohen zgjedhje vetëm në një land. Në këtë kohë koalicioni i saj mund të punojë për të rritur besimin tek zgjedhësit. Ky është një lajm i mirë për partnerët e Gjermanisë, duke patur parasysh vendimet e vështira që pritet të merren në nivel evropian dhe ndërkombëtar. 


Autor: Peter Stützle

Redaktoi: Auron Dodi