1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet e Serbisë pa efekt juridik

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës e shohin mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë si shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Kosovës. Edhe ndërkombëtarët nuk i përkrahin ato.

Zgjedhjet lokale të Serbisë synohet të mbahen edhe në disa komuna të Kosovës, aty ku qeverive lokale u ka kaluar mandati. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Slavica Djukiç, bëri të ditur se qeveria serbe, në bashkëpunim me UNMIK-un, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Ndërkohë për qeverinë e Kosovës është i papranueshëm qëndrimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Me një reagim të qeverisë së Kosovës të Martën pasdite, ekzekutivi kosovar i rikujton Beogradit zyrtar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës. Qeveria e Kosovës, thotë se vendimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë, nxjerr në pah qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës.

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj

Serbia qasje anti-evropiane ndaj Kosovës

Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, i tha Dë-së, se ai ka kërkuar nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që të bëjnë presion mbi Serbinë që këto zgjedhje të mos organizohen në Kosovë. “Mendoj që ky është një test i mirë për Bashkimin Evropian dhe për cdo shtet tjetër perendimorë dhe demokratik në botë që ta sheh sjelljen evropiane të Serbisë që do të thotë a do të sjellet Serbia në formë evropiane. Për, qeverinë e Republikës së Kosovës, zgjedhje të tilla janë të papranueshme dhe mendoj se qëndrimi ynë këtë drejtim është shumë i qartë”, thotë Enver Hoxhaj.

Mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë e kanë kundërshtuar fuqishëm edhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën, Samuel Zhbogar, thotë se zgjedhjet lokale serbe mund ta përkeqësojnë situatën dhe jo të zgjidhin problemet.

Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë mund ta përkeqësojnë situatën

“Bashkimi Evropian nuk ka fuqi që të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve askund. Por ajo që dua të them është se asnjë problem nuk mund të zgjidhet me vendime unilaterale, por problemet mund të zgjidhen me dialog dhe konsultime. Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, nuk do të na ofrojë ka dialogu, por do të përkeqësojë situatën dhe retorikën dhe kjo nuk na çon në zgjidhje”, thotë Samuel Zhbogar. Rezoluta 1244 flet qartë se kush ka përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe sipas tij, kjo nuk është Serbia.

Samuel Zhbogar

Samuel Zhbogar

Zgjedhjet lokale serbe përpjekje për forcimin e strukturave paralele

Analistët politikë në Prishtinë, thonë se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë është një përpjekje për forcimin e strukturave paralele serbe, megjithëse Serbisë vazhdimisht i është kërkuar që të shpërbëjë këto struktura. Më e zëshmja në këtë linjë, ishte qeveria gjermane, e cila sipas ambasadorit gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel, vazhdon të mbajë qëndrimin për shuarjen e strukturave paralele serbe.

Gjatë një ligjerate ditë më parë në një universitet të Prishtinës, ambasadori gjerman Ernst Reichel thekso se edhe pse Serbia tashmë fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, çështja e institucioneve paralele serbe në veri do të kthehet tek ne dhe tek Serbia, në veçanti kur raundi tjetër i diskutimeve me Serbinë do të mbahet. "Në fund është nevoja që të kemi një gjendje në Ballkanin Perëndimor ku Kosova nuk është më një pikë e konfliktit dhe debatit”, thotë ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi