1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet e Serbisë nuk lejohet të organizohen edhe në Kosovë

Qytetarëve serbë të Kosovës me dyshtetësi do t'u mundësohet votimi për zgjedhjet parlamentare serbe në 16 mars. Në lehtësimin e zgjedhjeve mund të përfshihet OSBE. Në territorin e Kosovës nuk do ketë zgjedhje serbe.

Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, por, nuk do t'ua mohojë të drejtën qytetarëve serbë që kanë dyshtetësi që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Kështu i tha DW-së, Bekim Qollaku, këshilltar i parë i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Zgjedhjet e parakohshme në Serbi, do të mbahen me 16 mars, ndërkohë, që në hartën elektorale të Serbisë është përfshirë edhe Kosova.

Votimi i mundur për qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi

Serbia si shtet nuk mund të mbajë zgjedhje në Kosovë, mirëpo, qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë të drejtën e dyshtetësisë që përfshin edhe qytetarët e komunitetit serb, qeveria e Republikës së Kosovës do ta respektojë këtë të drejtë dhe do ta implementojë”, thotë Bekim Qollaku. Ai thotë se ka mbetur të diskutohen edhe disa modalitete sesi do tu mundësohet qytetarëve që kanë dy shtetësi të votojnë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Bekim Qollaku, thotë se “për shkak të rrethanave Kosovë-Serbi, në procesin e votimit të qytetarëve serbë të Kosovës për zgjedhjet në Serbi mund të përfshihet ndonjë organizatë ndërkombëtare”.

OSBE mund të përfshihet në lehtësimin e zgjedhjeve

“Duke u bazuar në përvojën nga e kaluara, dihet se OSBE-ja ka një përvojë të mirë në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, siç ishte rasti i lehtësimit që bëri edhe në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar. Kështu që qeveria e Republikës së Kosovës me siguri se do të kërkojë ndihmë nga OSBE-ja edhe me këtë rast”, thotë Bekim Qollaku.

Ndërkohë, zyrtarë të OSBE-së, thonë se në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2012 në Serbi, OSBE-ja ka ndihmuar që të lehtësojë votimin e qytetarëve më të drejtë vote, bazuar në një marrëveshje mirëkuptimi ku ishin të përfshirë zyrtarë nga Prishtina dhe Beogradi.

Zëdhënësi i OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon.

Zëdhënësi i OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon.

“Nëse kërkohet ndihma në proceset e ardhshme zgjedhore, ne mund ta bëjmë këtë në përputhje me mandatin tonë, ekspertizën, kapacitet dhe burimet tona”, i tha DW, zëdhënësi i OSBE-së, Nikolla Gaon.

Zëdhënësi Gaon, thotë se ashtu sikurse në raundin e shkuar, OSBE-ja, është duke u përgatitur për lehtësimin e zgjedhjeve lokale në veri të Mitrovicës, që do ta mbahen me datën 23 shkurt.

"As Serbia e as OSBE nuk mund të organizojnë zgjedhje në Kosovë!"

Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë, sepse këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës pavarësisht marrëveshjeve që mund të kenë Prishtina dhe Beogradi.

Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, (KDI), që vazhdimisht monitoron proceset zgjedhore në Kosovë, thotë për DW se “Kushtetuta e Kosovës është e qartë. Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara dhe çështja e interferimit në punët e brendshme të njëri tjetrit nuk duhet të ndodhë”.

“Mendoj se ka ardhur koha që institucionet e Kosovës të dëshmojnë integritet në mbrojtje të sovranitetit të vendit, mirëpo, në asnjë rrethanë të mos iu mohohet e drejta qytetarëve serbë që kanë dyshtetësi, që t'u mundësohet që të shkojnë të votojnë në Serbi, por në asnjë mënyrë brenda shtetit të Kosovës të organizohen zgjedhje të një shteti tjetër”, thotë Driton Selmanaj.

Driton Selmanaj, thotë se edhe përfshirja e OSBE-së, qoftë edhe në rolin e lehtësuesit është e jashtëligjshme, sepse, këtu kemi të bëjmë me shtete sovrane. “Në të gjitha fazat, nuk duhet lejuar OSBE-ja as të ndihmojë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe as t'i organizojë, sepse, po flasim për zgjedhje nacionale të një shteti tjetër”.

Sidoqoftë, me datën 12 shkurt, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daciq do të takohen në Bruksel për të diskutuar çështjen e gjykatave në veri. Mediat në Prishtinë shkruajnë se edhe çështja e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë do të diskutohet në këtë takim, mirëpo, kjo nuk është konfirmuar akoma nga palët.