1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë pa incidente

Për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë u angazhua misioni i OSBE-së. Kutitë e votimit barten në Serbi për numërim.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë të dielën më 24 prill u zhvilluan edhe në teritorin e Kosovës, në vendbanimet me shumicë serbe. Zhvillimin e procesit të zgjedhjeve të Serbisë edhe në venbanimet më shumicë serbe e kanë lejuar institucionet e Kosovës, ndërsa, në organizimin e këtyre zgjedhjeve u përfshi misioni i OSBE-së në Kosovë.

Masa të shtuara të policisë së Kosovës kishte në vendbanimet me shumicë serbe ku zhvillohej procesi i votimit, sidomos, në pjesën veriore të Kosovës ku serbët janë shumicë. Kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës Goran Rakiq, u shpreh për mediat lokale se “mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ku ju mundësua qytetarëve serbë që të votojnë, tregon se një qeveri e fortë e Serbisë është në të mirë të serbëve të Kosovës”.

Në vendbanimet më shumicë serbe ku u zhvilluan zgjedhjet e Serbisë nuk u shënua ndonjë incident, ndërsa rreth qendrave të votimit qendroi policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Besim Hoti, tha se policia e Kosovës qe angazhuar që ta ndihmojë OSBE-së, në grumbullimin e votave.

“Policia e Kosovës është duke e dhënë asistencën e saj për OSBE-në, në grumbullimin e votave të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Policia e Kosovës është duke iu përgjigjur kësaj situate në kuadër të detyrave të rëndomta, pikërisht në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, tha Besim Hoti.

Në Kosovë u hapën 90 qendra votimi dhe disa vendvotime në të paktën 21 lokacione, por që misioni i OSBE-së, i quan qendra të grumbullimit të votave. Bazuar në një listë që ka prezantuar Komisioni Zgjedhor i Serbisë, në Kosovë janë të regjistruar rreth 100 mijë zgjedhës. Sipas të dhënave nga ky numër i votuesve, në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë votuan rreth 36 % të serbëve që kanë shtetësi të dyfishtë dhe pikërisht mbi këtë bazë që ua lejon Kushtetuta e Kosovës, serbët votuan në teritorin e Kosovës.

Materialin zgjedhor nga Serbia në Kosovë e solli misioni i OSBE-së, ndërsa, shpërndarja e tij nëpër qendrat e votimit u sigurua nga policia e Kosovës në bazë të një protokolli të nënshkruar një javë më parë nga qeveria e Kosovës dhe misioni i OSBE-së. Të njejtim material zgjedhor dhe votat e serbëve në kuti të mbyllura, OSBE-ja i bart në Serbi për numërimin e tyre nga Komisioni Zgjedhor i Serbisë.

Partitë politike në Kosovë kritike ndaj mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë

Partitë politike opozitare të Kosovës e patën kundërshtuar ashpër qëndrimin e qeverisë së Kosovës e cila lejoi mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në teritorin e Kosovës. Partitë opozitare thanë se “qeveria e Kosovës shkeli Kushtetutën kur lejoi mbajtjen e zgjedhjeve te Serbisë në Kosovë”.

“Serbia me këto zgjedhje do ta rikonfirmojë praninë e saj në Kosovë, dhe njëkohësisht në praktikë ta jetësojë qëndrimin e saj se Kosova është pjesë e Serbisë. Nuk ka dyshim që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, duke qenë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e subjektit opozitare Lëvizja Vetëvendosje. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe subjekti tjetër opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, për të lejuar që të votohet në Kosovë për zgjedhjet e një shteti tjetër, është shkelje e rëndë e sovranitetit dhe Kushtetutës së vendit. Kjo është një goditje edhe për përpjekjet për integrimin e pakicës serbe në institucionet e Kosovës. Koncesionet që Qeveria e Kosovës po i bën Qeverisë së Serbisë, siç janë edhe votimet në Kosovë, për zgjedhjet e Serbisë, janë edhe kundër vetë interesit të popullatës serbe”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Përfaqësues të partive politike të Serbisë para zgjedhjeve mbajtëm tubime elektorale edhe në Kosovë. Institucionet e Kosovës e lejuan që të vijë në Kosovë kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, por, i ndaluan hyrjen në Kosovë, radikalit serb Vojisllav Sheshel. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka ndaluar hyrjen në Kosovë edhe ministrit të Mbrojtjes së Serbisë dhe ministrit të rendit të Serbisë. Zëvendësministri i punëve të jashtme i Kosovës Petrit Selimi, i cili nënshkroi ndalesën, thotë se “këta ministra kanë sabotuar dokumentimin e krimeve që Serbia ka bërë mbi shqiptarët e Kosovës gjatë luftës”, dhe kjo sipas tij përmendet edhe në raportet e Këshillit të Evropës.

Sidoqoftë, zgjedhjet e Serbisë ato parlamentare vazhdimisht që nga përfundimi i luftës janë mbajtur edhe në Kosovë, duke ju mundësuar serbëve të Kosovës që të votojnë. Në organizimin apo lehtësimin e këtyre zgjedhjeve asnjëherë nuk janë përfshirë institucionet e Kosovës, por është përfshirë misioni i OSBE-së. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të mbajnë dyshtetësi dhe kjo u drejtë atyre u garantohet me Kushtetutën e Kosovës.