1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet e para të lira në Libi "arritje historike"

dw,afp,dpa, ard8 Korrik 2012

Pavarësisht thirrjeve për bojkot, sulmeve ndaj qendrave elektorale dhe djegies së votave në shumë rajone të Libisë mbizotëron fryma e entuziazmit pas zgjedhjeve të para të lira pas vdekjes së Gaddafi-t.

https://p.dw.com/p/15TaG
Fotografi: Reuters

Kryesisht në kryeqytetin Tripoli dita e zgjedhjeve parlamentare u shndërrua në një festë popullore. Me orë të tëra para hapjes së qendrave të votimit u krijuan radhë të gjata votuesish. Shumë libianë përshëndesnin me shenjën e fitores, bënin thirrje mirënjohjeje“Allahu Akbar” (Zoti është më i madh), karvanë makinash i binin borisë nëpër rrugë. Zgjedhësit ishin mbështjellë me flamurin kombëtar, gratë ndanin ëmëblsira, kënodnin këngë dhe njerëzit përqafoheshin me njëri-tjetrin duke pritur të jepnin votën.
“Arritje historike” - Bota e jashtme reagon pozitivisht
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama i quajti ato si një „gur themeltar” në tranziiconin demokratik. Ai e siguroi Libinë për ndihma të mëtejshme amerikane. E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme Catherine Ashton tha, se votimi shënon „fillimin e një epoke të re demokratike“. Në Libi gjatë zgjedhjeve „mbizotëroi klima e lirisë“. Gati nëntë muaj pas vdekjes së kreut të shtetit Muammar al-Gaddafi, i cili qëndroi për shumë vjet në pushtet, libianët votuan për asamblenë e re kombëtare, e cila do të emërojë qeverinë dhe do të përgatisë krijimin e një komisioni kushtetues. Eurodeputeti liberal gjerman dhe njëkohësisht drejtues i misionit vëzhgues të BE-së në Libi, Alexander Graf Lambsdorff, i konsideron zgjedhjet e së shtunës (07.07.2012) si një „kthesë” për këtë vend afrikano-verior. Ndonëse tani për tani këto zgjedhje janë vetëm etapa e parë në rrugën drejt demokracisë, tha Lambsdorff për agjencinë e lajmeve AFP, “vetë fakti i zgjedhjes demokratike” përbën një hap të madh përpara. Kjo është një arritje historike.”
Procesi i ndërlikuar i ndarjes së mandateve
Pjesëmarrja në votime, sipas informacioneve të para të Komisionit të Zgjedhjeve ishte 60%. Procesi i votimeve në shumë rajone ka pasur pengesa të konsiderueshme, kryesisht në Lindje të vendit.
Gati 2,9 milionë qytetarë me të drejtë vote ishin regjistruar për votime. Me votën e tyre ata përcaktuan 200 përfaqësuesit e tyre në parlamentin e tranzicionit. Në garën elektorale ishin rreth 3.700 kandidatë, ndër ta edhe 630 gra. Në listat e partive një në dy mandate ishte rezervuar për kandidatet gra. 100 mandate janë parashikuar për Tripolin dhe pjesën perëndimore të vendit, 60 mandate për Bengazin dhe pjesën lindore si dhe 40 mandate për rajonin jugperëndimor. Kandidatët kryesorë janë nga vëllazëria myslimane, salafistët dhe Al-Vatan i përbërë nga islamistë të tjerë, aleanca sekulariste e forcave kombëtare dhe fronti kombëtar, që përbënin opozitën nën Gaddaf-in.
Vëzhguesit: Rezultatet ngjashëm si në Tunizi dhe Egjipt
Rezultatet e pata priten më së voni të hënën (09.07.2012). Kongresi i Përgjithshëm Kombëtar zëvendëson këshillin kalimtar, që krijuan funkrionarët dhe aktivistët e revolucionit. 120 mandate janë rezervuar për kandidatët e zgjedhur direkt dhe 80 për kandidatët e aleancave politike. Deputetët e rinj brenda 30 ditësh duhet të krijojnë qeverinë e tranzicionit si dhe duhet të përgatisin zgjedhjen e një komisioni të përbërë nga 60 vetë për hartimin e kushtetutës. Vëzhguesit mendojnë, se ngjashëm si në Tunizi dhe Egjipt edhe në Libi do të dalin me rezultate të konsiderueshme partitë me orientim islamist.

Libyen Wahl Wahlen 2012 Tripolis
Fotografi: Reuters
Wahlen in Libyen
Fotografi: DW/E.Zuber