1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet e balotazhit në Kosovë

Zgjedhje balotazhi zhvillohen në 21 komuna, përfshirë edhe dy komuna me shumicë serbe. Autoritetet ndërkombëtare bëjnë thirrje për një proces zgjedhor të qetë dhe shmangien e parregullsive.

Në foto: një burrë i moshuar hedh votën në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Kosovarët do t'u drejtohen sërish kutive të votimit për zgjedhjet e balotazhit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, thotë se çdo gjë është gati që ditën e dielë të zhvillohen zgjedhjet për kryetarët e 21 komunave të Kosovës. Ky është raundi i dytë i zgjedhjeve për ato komuna ku kandidatët nuk arritën të kalojnë kufirin e nevojshëm prej 50 për qind, e për të fituar postin e kryetarit.

Nesrin Lusha, kryetare e KQZ-së, Kosovë.

Nesrin Lusha, kryetare e KQZ-së, Kosovë.

“I gjithë materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet dhe listën e votuesve, është gati për shpërndarje në komuna dhe po sigurohet nga policia e Kosovës. Kemi emëruar këshillat e vendvotimeve shtesë dhe kemi akredituar mbi 130 vëzhgues të rinj për raundin e dytë”, thotë Nesrin Lushta, kryetare e KQZ-së.

Në këtë raund konkurrojnë 42 kandidatë, nga shtatë parti politike, përfshirë edhe ato serbe. Partitë politike, tashmë janë pozicionuar në koalicione në mbështetje të njërit ose tjetrit kandidat. Koalicionet më të shpeshta janë lidhur ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, kryesisht në konkurrencë me Partinë Demokratike të Kosovës. Këto koalicione nxitën pakënaqësinë e Partisë Demokratike duke vënë në pikëpyetje edhe funksionimin e koalicionit qeverisës, ndonëse të dyja palët rikonfirmuan vazhdimësinë e tij.

Ambasadorët e vendeve perëndimore u bënë thirrje qytetarëve që të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash. Në emër të vendeve të KUINT-it, u shpreh qartë ambasadori amerikan Cristofer Dell: “Para disa javësh në Kosovë nisi fushata ndërkombëtare nën moton 'evropianët e rinj'. Me 15 nëntor dhe tani me 13 dhjetor besoj se Kosova do ta dëshmojë se është vërtet një vend i ri demokratik me vlera evropiane.”

Ndonëse zgjedhjet në raundin e parë u anuluan në 15 vendvotime, autoritetet vendase e ndërkombëtare i vlerësuan si të qeta dhe demokratike. Anulimi i votimeve nxiti kritikat e vëzhguesve ndërkombëtare të cilët thanë se në këtë mënyrë votuesit u privuan nga e drejta për të shprehur sërish vullnetin e tyre për shkak të sjelljes jo korrekte të stafit të vendvotimit. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, beson se organizatorët e zgjedhjeve në raundin e dytë do të jenë më të kujdeshëm që të mos ndodhin parregullsi.

“Në raundin e parë është bërë një verifikim i mirë i potencialit institucional për t'u përballur me sukses me sfidën e radhës. E dyta, keni shënuar në mënyrën më të mirë të mundshme pjesët ku procesi nuk ka shkuar mirë dhe si duhet korrigjuar. Së fundi, tani keni shënuar vendet ku eventualisht duhet investim më i madh që mos të ndodhin probleme që mund të pengojnë procesin”, u shpreh Presidenti Sejdiu.

Zgjedhjet ditën e dielë zhvillohen edhe në dy komuna me shumicë serbe, Novobërdë dhe Shtërpcë, ku garojnë përfaqësues të të dy komuniteteve. Kandidatët serbë druajnë se pjesëmarrja e vogël e votuesve të këtij komuniteti do t'u mundësojë kandidatëve shqiptarë që të udhëheqin në këto dy komuna me shumicë serbe. Të dyja këto zona ishin adresë e vizitave të shpeshta ditët e fundit të përfaqësuesve ndërkombëtarë, në përpjekje për të nxitur pjesëmarjen e serbëve në votime.

Autor: Bekim Shehu

Redaktor: Eliana Xhani

  • Data 11.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L0Fl
  • Data 11.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L0Fl