1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet dhe zhvillimi ekonomik në Kosovë

Pothuajse krejt çka nuk shkon mbarë në shoqërinë kosovare ka një shkaktar të përbashkët: Gjendjen e mjerueshme ekonomike

Bujqësia një prej sektorëve që duhet të zhvillohet në Kosovë

Bujqësia një prej sektorëve që duhet të zhvillohet në Kosovë

Një nga standardet më të rëndësishme që duhet të përmbush Kosova, ka të bëjë me zhvillimin ekonomik. Shkalla e zhvillimit në periudhën e pasluftës ka qenë tepër e ulët, ndërkohë që shumë kapacitete ekonomike, që dikur konsideroheshin edhe si gjigante ekonomike, përshembull kompleksi 'Trepça' nuk janë më në funksionin që kanë qenë dikur. Ky nivel i zhvillimit ekonomik padyshim se reflekton edhe në lëmitë tjera, në rradhë të parë në papunësinë e madhe dhe shkallën e lartë të varfërisë së popullatës. Në këtë mënyrë mund të thuhet që Kosova është e varfër. Një pjesë e madhe e popullsisë është e papunë dhe e detyruar të jetoj nga ndihmat e të afërmve që jetojnë dhe punojnë në perëndim. Ata që nuk e kanë askend jashtë duhet të jetojnë me ndihmat sociale të cilat nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e tyre. Shkalla e kriminalitetit në Kosovë siç dihet është dukshëm e lartë, puna e të miturëve përbën një pjesë të përditshmërisë dhe pakënaqësia e përgjithshme është në rritje të vazhdueshme. Pothuajse krejt çka nuk shkon mbarë në shoqërinë kosovare ka një shkaktar të përbashkët: Gjendjen e mjerueshme ekonomike. Kjo vlen për të gjitha bashkësitë etnike, tek dikush më shumë e dikush më pak, megjithatë vështirë që dikush të ketë arsye për të qenë i kënaqur. Tek pjesa dërrmuese e kosovarëve ekziston bindja se Bashkimi Evropian, mekanizmat e tij dhe institucionet financiare ndërkombëtare do të kontribuojnë për ta ndihmuar Kosovën që të zë hapin në zhvillimin ekonomik. Deri më tash, pengesë të madhe ka paraqitur statusi i pazgjidhur politik i Kosovës. Po si e vlerësojnë këtë gjendje dhe daljen nga ajo përfaqësuesit e partive politike, ata që me datën 17 nëntor kërkojnë votën e elektoratit kosovar. Në kuadër të ciklit 'Zgjedhjet 2007 - çka pas 17 nëntorit' rubrikën e sotme ia kemi kushtuar zhvillimit ekonomik.

Fillimisht në mikrofonin tonë në studion e DW-së në Prishtinë flet Berim Ramosaj nga Lidhja Demokratike e Dardanisë- LDD:

Poster i Lidhjes Demokratike te Dardanisë- LDD

Poster i Lidhjes Demokratike te Dardanisë- LDD

"Duke u munduar të krijojmë një normë më të mirë të rritjeve ekonomike që të mendohet edhe në rritje të JDP-ës (Produktit të Përgjithshëm Kombëtar -red.), dmth. të ardhurave kombëtare për kokë banori në përgjithësi, LDD-ja do të angazhohet për ndërtimin e një infrastrukture tjetër të spektrit juridik dmth. të krijojmë ligje, të krijojmë parakushte të tilla që investitorët e huaj do të gjejnë Kosovën si vend atraktiv për investime, jo që do të na i dhurojnë ato investime, por në krahasim me vendet e regjionit Kosova duhet të jetë më atraktive për ta, si në aspektin e barrierave doganore, barrierave taksore dmth. taksave të ndryshme dhe formave të tjera jashtë kontributeve dhe taksave që nënkupton lehtësira në të gjitha aspektet, qoftë përmes koncensioneve të ndryshme që duhet të jepen në pronë, qoftë në forma tjera të lirimit bile në periudhën njëvjeçare apo dyvjeçare për investitorët e mëdhenjë në Kosovë".

Ibrahim Makolli është nënkryetar i Aleancës Kosova e Re e Behxhet Pacollit:

Poster i Aleancës Kosova e Re - AKR

Poster i Aleancës Kosova e Re - AKR

"Dikund rreth 60% e të gjithë substancës së projektit të AKR-ës e zë pikërisht zhvillimi ekonomik i Kosovës duke pasur parasysh që të gjitha problemet e tjera, tö gjitha fushat e jetë në Kosovë, nuk do të mund që të zhvillohen nëse në Kosovë nuk e kemi një zhvillim ekonomik. Natyrisht ne këtë zhvillim ekonomik e kemi paraparë në disa faza: në radhë të parë duke ndryshuar politikat fiskale që tashmë ekzistojnë në Kosovë dhe të cilat e kanë ngulfatur në një farë forme ose tjetër biznesin vendor dhe prodhimtarinë vendore që nuk kanë qenë dhe nuk vazhdojnë të jenë në pajtim me nevojat e tyre; së dyti duke i dhënë nje impuls zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë ne Kosovë, dy fusha të cilat mundë të jenë një krah i fortë i zhvillimit ekonomik tö Kosovës. Sikundër që poashtu në kuadër të projekteve tona programore kemi paraparë edhe thithjen e investimeve nga jashtë, qofshin ato nga kosovarët, apo nga biznismen ndërkombëtar".

Muhamet Hamiti shpreh qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës - LDK:

Poster i Lidhjes Demokratike të Kosovës - LDK

Poster i Lidhjes Demokratike të Kosovës - LDK

"Lidhja Demokratike e Kosovës synon ta ndryshojë modelin e qeverisjes në Kosovë. Do ta bëje me dinamik dhe më kreativë. Do të punohet me plane dhe do të realizohen prioritetet. LDK-ja do të udhëheq me autoritetin e ideve për qeverisje, sidomos në fushë të ekonomisë, duke e vërë në dispozicion potencialin që ka brenda vetës. Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja synon rritjen e ekonomisë në shkallen 7 deri 9% në vit, një rritje e parashikueshme e të hyrave dhe të shpenzimeve, shtim të prodhimeve vendore dhe të eksportit. Prodhuesëve do tu ofrohen lehtësi administrative e tatimore. Qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të sigurojë qe të kalojmë nga importimi i mallrave, do si do, në eksportim të produkteve konkuruese dhe të dijes, duke siguruar barazpeshën në këto marrëdhënie me vendet e tjera. Ne e parashohim që TVSH-ja të mos të paguhet në kufi, në të ardhmen, por brenda vendit pasi të arkëtohet nga konsumatori. Gjithashtu parashohim rimbursim të TVSH-së për firmat e eksportit".

Ndërkaq Hajredin Kuqi është nënkryetar i PDK-së:

Poster i Partisë Demokratike të Kosovës - PDK

Poster i Partisë Demokratike të Kosovës - PDK

"Zhvillimi ekonomik do të jetë sfida kryesore më të cilen ne mendojmë të përballemi në qeverisjen e ardhshme. Zhvillimin ekonomik në radhë të parë e mendojmë me stimulimin e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe për krijimin e kushteve për kamata më të ulta dhe me kredi afatgjate. Njëkohësisht mendojmë që duhet të krijojmë mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës. Por logjika e PDK-së është, jo përmes buxhetit të zhvillojmë ekonominë, por duke krijuar mundësinë, me lehtësirat, që ekonomia të zhvillohet dhe përmes ekonomisë të rrisim buxhetin e Kosovës. Mirëqenia ekonomike është prioritet i jonë dhe mbi të gjitha do të thoja është zhvillimi ekonomik dhe përmes asaj edhe zhvillimi i buxhetit tonë".

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mysafir në studion e DW-ës ishte Avni Arifi:

Poster i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës - AAK

Poster i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës - AAK

"Ekonomia nuk mund të zhvillohet me këtë Status-quo, me Rezolutën 1244, dhe kjo është barra kryesore e zhvillimit ekonomik. Me definimin e statusit politik të Kosovës, me pavarësimin e Kosovës, fokus kryesor do të jenë investimet e jashtme, antarësimi i Kosovës në të gjitha institucionet financiare dhe kreditimi i shumë aspekteve zhvillimore të Kosovës. Pastaj bujqësia dhe ndërrmarrjet e vogla dhe të mesme. Nëse flasim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, është një tregim i suksesëshem i shpirtit ndërrmarrës të Kosovarit, e kjo ashtë realizuar pa ndihmen e institucioneve. Ka ardhur momenti që të mundësohen dy aspekte. Aspekti i parë është politik tatimor. Ndërmarrjet e reja të krijuara në vitet e para, të dytat dhe nëse ka mundësi edhe në të treten të lirohen nga çdo lloj takse dhe njëkohësisht të arrihet një marrëveshje me sektorin bankar, në mënyrë që të krijohen lehtësirat, kur është në pytje çështja e kamatave, investimet e jashtme. Një krahasim shum i vogël; në Mal të Zi brenda një viti, pas pavarësisë kanë pas 800 milionë Euro investime të jashtme, kurse në Kosovë për tetë vite kemi pas 800 milion Euro. Kjo ashtë katastrofale, kjo është rezultat i mosdefinimit të statusit".

Dhe për fund, në emër të Partisë reformiste ORA, fletë Teuta Sahatqiu:

Poster i Partisë Reformiste ORA

Poster i Partisë Reformiste ORA

"Parimet mbi të cilat partia ndërton angazhimin e vet janë parimet e ekonomisë së tregut, të zhvillimit të qëndrueshëm, të kohezionit social dhe të stabilitetit ekonomik. Prandaj duke e pasë parasysh këtë, partia jonë në programin veprues të saj, në sferën e ekonomisë, është përqendruar në tri pika themelore: njëra prej atyre pikave është themelimi i fondit zhvillimor dhe mendoj që kjo është ajo pikë e cila na dallon neve prej partive tjera, sepse ne mendojmë qe mbi 500 milionë Euro të parave publike dhe private, mund të shfrytëzohen për themelimin e fondit zhvillimor. Në këtë fond do të derdhen mjetet e grumbulluara nga privatizimi i ndërrmarrjeve shoqërore, nga ndërrmarrjet publike qe gjenerojnë profit etj. Dhe, tö gjitha këto mjete përmes Bankës Qendrore të Kosovës do të themelonin në vitin e parë këtë fond dhe këto mjete duhet të shfrytëzoheshin në formë të kredive afariste kosovare, për të themeluar bizniset e vogla dhe të mesme".