1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet 2011 - Test i rëndësishëm për ecurinë demokratike të Shqipërisë

6 Maj 2011

Qytetarët shpresojnë se vota është kontribut i secilit për një pushtet lokal më të mirë dhe votimi - përcaktues për pranimin ose jo të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

https://p.dw.com/p/11Aw6
Fotografi: AP

Blerina Lika do të votojë të dielën për herë të tretë. Ajo beson se vota e saj do të respektohet dhe se do të kontribojë për një pushtet lokal më të mirë. Çfarë kërkon Blerina nga pushteti lokal që do të dalë nga zgjedhjet e të dielës? “Shërbime më të mira ndaj qytetarit, më shumë vende pune.” thotë Blerina.

Ashtu si Blerina shpresojnë edhe 3 milionë e 164 mijë e 859 zgjedhës, që do të votojnë më 8 maj. Për votimin e tyre është ngritur infrastruktura zgjedhore ku janë përfshirë shumë aktorë për të realizuar organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve.

KQZ mbetet institucioni lider në këtë proces. Sa garanton ai zgjedhje të lira, të ndershme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të njohura ndryshe edhe si standartet e OSBE-së?

Vera Shtjefni, juriste, anëtare e këtij komisioni, e propozuar nga maxhoranca e djathtë në pushtet dhe e miratuar në Parlament, thotë përprogramin shqip të DW: “Garancitë që KQZ mund të japë është se do të zbatojë në mënyrë strikte vetëm ligjin.”

Albanien Lulzim Basha
Fotografi: DW

Duke iu referuar veprimtarisë së deritanishme të KQZ Vera Shtjefni, thotë se ligji ka qënë në bazë të saj. “KQZ në të gjithë vendimet që ka marrë, në çdo akt që ka nxjerrë lidhur me organizimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit, në zgjidhjen e çdo problematike që është konstatuar gjatë këtij procesi parapërgatitor, është bazuar vetëm në në ligj, referenca e vetme ka qënë Kodi Elektoral.”

Vendime të KQZ që kanë shkelur Kodin Elektoral

Por Dëshira Subashi, nën/kryetare e KQZ, e propozuar nga opozita, mendon se krahas zbatimit rigoroz të Kodit Elektoral , KQZ ka kryer edhe shkelje të tij, të cilat mund të sjellin parregullsi ditën e votimit. Sipas saj në disa raste KQZ ka marrë vendime politike. “Është fjala për atë që thotë edhe raporti i fundit paraprak i OSBE /ODIHR-it që "në çështjet e debatueshme KQZ ka marrë vendime politike". Edhe vendimi i KQZ për prodhimin e vulave rezervë është në kundershtim të hapur me Kodin Elektoral pasi Kodi Zgjedhor parashikon prodhimin e aq vulave sa qëndra votimi ka, ndërkohë që janë prodhuar një numër dyfish vulash për t'u përdorur në ditën e votimit.” thotë Znj. Subashi.

Albanien Edi Rama
Fotografi: DW

Sipas saj shkelje ligjore përbën edhe urdhëri i KQZ për transmetimin e kasetave të gatshme nga media elektronike, kasetave të përgatitura në selitë e partive lidhur me aktivitetet elektorale dhe prezantimimn e kandidatëve. Po kështu shkelje e Kodit është sipas nën/kryetares së KQZ-së, Subashi, edhe autorizimi që KQZ ka dhënë ditët e fundit për ngritjen e qëndrave private të votimit.

“Kush do ta lajmërojë votuesin se i është ndërruar qëndra e votimit? Votuesit i është hequr kështu e drejta për të ditur dy muaj para zgjedhjeve se ku e kaq ëndrën e votimit. Nga ana tjetër në qëndrën private, votuesi, i majtë apo i djathtë qoftë, nuk ndihet i lirë.” thotë Znj. Subashi.

Por juristja Shtjefni ka besim se zgjedhjet do të cilësohen të lira, të ndershme dhe se pala humbëse do të pranojë rezultatin. “Me punën që KQZ ka bërë deri tani dhe atë që do të bëjë për të administruar dhe numëruar votën, nuk ka bazë që rezultati i zgjedhjeve lokale të 8 majit të mos pranohet nga pala humbëse.”

Votimi i 8 majit dhe 4932 qendrat e votimit do të vëzhgohet nga misioni i vëzhguesve ndëkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.

Autore: Ani Ruci
Redaktor: Bahri Cani