1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet 2007 dhe të drejtat e pakicave në Kosovë

'Për Tango nevojiten dy veta' - Çfarë planifikojnë të ndërrmarrinë partitë politike kosovare për integrimin e pakicave në shoqëri?

Në foto një grua serbe me djalin e saj para kontenjerit të tyre të banimit në Graçanicë

Në foto një grua serbe me djalin e saj para kontenjerit të tyre të banimit në Graçanicë

'Çdokujt i përkasin të gjitha të drejtat dhe liritë e shpallura në këtë Deklaratë, pa kurrfarë dallimesh në pikëpamje të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose çdo mendimi tjetër, të prejardhjes kombëtare a shoqërore, të pasurisë, të lindjes apo të rrethanave tjera'.

Kështu të paktën lexojmë në Nenin 2 të Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut. "Në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave ekziston një presion i paligjshëm në media, integrimi dhe mbrojtja e komuniteteve nuk është i garantuar plotësisht, dhe të drejtat pronësore jo çdo herë respektohen. Duhet më shumë vëmendje sa i përket kushteve të jetesës të pakicave, si dhe duhet rritur dialogu ndërmjet komuniteteve".. Kështu thuhet ndër të tjera në raportin e fundit të Komisionit Evropian për të arriturat dhe mangësitë në Kosovë. Liria e lëvizjes, të drejtat e pakicave dhe kthimi i qëndrueshëm i të shpërngulurëve është edhe një nga standardet e bashkësisë evropiane për Kosovën. Edhe tetë vjet pas përfundimit të luftës pakicat në Kosovë edhe ajo shqiptare në veriun e Kosovës, po ballafaqohen me probleme të shumta, të cilat padyshim se reflektohen negativisht në integrimin e tyre në një shoqëri të shëndoshë e të civilizuar. Shembulli më i mirë është pakica rome. Derisa shqiptarët, serbët, kroatët dhe boshnjakët, ende numërojnë viktimat e tyre në luftërat e fundit, refugjatët dhe të kthyerit, madje për qëllime politike, për lëvizjet dhe mundimet e romëve thuase nuk ka askush të dhëna në ish-Jugosllavi. Madje edhe në media për romët flitet ekskluzivisht në dy variante: në kronikat e zeza, ku ka ndodhur ndonjë fatkeqësi e madhe, ose në reportazhet udhëpërshkruese "për jetën e romëve", që jo rrallë herë janë jashta kufijëve të shijes së mirë. Natyrisht, shkrimet dhe reportazhet e tilla, nuk sjellin asgjë në ndryshimin e paragjykimeve ndaj romëve si bredhës, të varfër dhe vjedhës të imtë. Në kuadër të ciklit "Zgjedhjet 2007 - çka pas 17 nëntorit" sot në fokus kemi pikërisht të drejtat e pakicave ku bëjnë pjesë edhe romët. Çfarë ofrojnë partitë politike, si e planifikojnë përmirësimin e gjendjes së pakicave në Kosovë. Në mikrofonin tonë fillimisht flet Avni Arifaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:

Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:

Në foto Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Në foto Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

'Për Tango nevojiten dy veta. Qeveria e Kosovës, sidomos kjo qeveri që tani është në fund të mandatit do të jetë e njohur se tërë energjinë dhe tërë angazhimin e vet e ka orientuar drejt akomodimit të pakicave dhe në këtë kontekts mund lirisht të themi se janë arritur rezultate jashtëzakonisht të mëdha. Ne e kemi një participim shumë të madh të minoriteteve, rreth 11 % në të gjitha institucionet, kemi gjuhën zyrtare, gjuha serbokroate është gjuhë zyrtare në krejt Kosovën edhe pse popullatë ka rreth 5%, pastaj kemi edhe gjuhën turke si gjuhë zyrtare në komunën e Prizrenit. Fatkeqësisht pakicat posaçërisht ajo serbe manipulohet nga Beogradi dhe Beogradi apo Serbia tenton që përmes pakicave të akomodoj vetveten në Kosovë. Natyrisht kjo është e papranueshme dhe qeveria e Kosovës nuk do të punoj në atë drejtim'.

Teuta Sahatqiu aktualisht deputete në Parlamentin e Kosovës, flet në emër të Partisë Reformiste ORA:

Teuta Sahatqiu aktualisht deputete në Parlamentin e Kosovës, nga Partia Reformiste ORA

Teuta Sahatqiu aktualisht deputete në Parlamentin e Kosovës, nga Partia Reformiste ORA

'Po mendojmë që pakicat në Kosovë duhet të jenë pjesë integrale e shoqërisë kosovare dhe se institucionet tona dhe shoqëria duhet të ju ofroj këtyre pakicave mundësi që integrimi i tyre të jetë sa më i lehtë, sa më i shpejtë në mënyrë që edhe ata të jenë qytetarë të dobishëm të shoqërisë sonë. Megjithatë sa i përket pakicës serbe e cila për dallim prej pakicave tjera kanë shpreh një gatishmëri të madhe për integrim, kanë pas pengesa të shumta nga ana e Beogradit dhe mendoj që një lidershpi i fuqishëm në mesin e tyre kanë munguar gjë që ka shkaktuar pengesa në integrimin e tyre. Megjithatë ne mendojmë që pas zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe pas arritjes së pavarësisë së Kosovës këto pengesa që shkaktohen prej Beogradit do të jenë më pak të fuqishme'.

Për Lidhjen Demokratike të Dardanisë mysafir në studion e DW-së në Prishtinë ishte Berim Ramosaj:

Berim Ramosaj, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

Berim Ramosaj, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

'Pakicat faktikisht LDD i konsideron si komunitete ku në të gjitha programet duke u mbështetur edhe në ato të aspekteve politike dhe në ato zhvillimore në përgjithësi i konsiderojmë si pjesë përbërse qoftë në ndërtimin e institucioneve qoftë në krijimin e kushteve për jetë të përbashkët. Këtu bën pjesë lëvizja e lirë, afirmimi i tyre në aspektin e kyçjes së tyre në institucione gjegjësisht në jetën e përgjithshme publike dhe politike në Kosovë. Për ne të gjithë kosovarët janë të barabartë pa marrë parasysh përkatësinë e tyre nacionale dhe fetare. Andaj këtu sigurisht pakicat duhet në fakt të aspirojnë në jetën e përgjithshme ekonomike dhe sociale sigurisht atëherë edhe do të jenë krejtësisht të barabarta me shumicën shqiptare në Kosovë'.

Nga Aleanca Kosova e Re shprehet nënkryetari Ibrahim Makolli:

Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e re - AKR

Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e re - AKR

'Ne si subjekt politik kemi deklaruar disa herë që Kosova nuk rrezikohet nga pakicat përkundrazi prania e pakicave në Kosovë paraqet një pasuri edhe etnike, kluturore dhe religjioze dhe në forma të tjera për Kosovën. Natyrisht në programet tona parashihet një trajtim i veçantë i pjestarëve të pakicave kombëtare në Kosovë, trajtim i cili do të jetë gjithnjë në harmoni me standardet ndërkombëtare për të drejtat e pakicave. Këtu jemi mbështet edhe në një fakt tjetër: për shkak se ne si popullatë shumicë në Kosovë kemi qenë gjithmonë të diskriminuar nga ana e pushteteve të kaluara jemi shumë të interesuar që në Kosovë mos të ketë më njerëz të diskriminuar vetëm pse e flasin një gjuhë apo i takojnë një etnie tjetër. Në këtë kuadër ne natyrisht që kemi paraparë edhe ndërtimin e mekanizmave shtesë ligjor jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e pakicave por për të avancuar të drejtat e tyre në të gjitha fushat e jetës'.

Muhamet Hamiti flet në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës:

Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës - LDK

Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës - LDK

'Institucionet e Kosovës kanë pranuar dispozitat e planit Ahtisari që kanë të bëjnë me pozitën e pakicave. Këto krijojnë mbrojtje dhe garanca të pakundshoqe për pakicën serbe por edhe të tjerat në vendin tonë. Kosova me popullsi mbi 90 % shqiptare nuk ka pse tu droj të drejtave minoritare në shtetin e pavarur të Kosovës. Pakicat në Kosovë janë dhe do të jenë të mbipërfaqësuara në institucionet vendore dhe qendrore. Gjuha e 5%, gjuha e serbëve është gjuhë zyrtare në krejt territorin e vendit posi shqipja. Turqishtja është gjuhë në përdorim zyrtar në Prizren përshembull. Qeveria e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës do tu përmbahet zotimeve që ka dhënë për trajtim afirmativ të pakicave por nuk do të toleroj bllokim të punës së institucioneve nga ata që përpiqen t'i keqpërdorin të drejtat e mëdha që tashmë kanë marrë me planin Ahtisari duke përfshirë edhe të ashtuquajturën shumicë të 'Badenterit' që u jep pakicave të drejtë gati vetoje mbi çështjet që kanë të bëjnë me pakicat'.

Hajredin Kuqi është nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës:

Hajredin Kuqi nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës - PDK

Hajredin Kuqi nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës - PDK

'Filozofia politike e Partisë Demokratike të Kosovës është integrimi i pakicave në jetën politike dhe institucionale të Kosovës. Ne nuk mendojmë që duhet të përdorim ndonjë formë të detyrueshme për integrim por me atraktivitet do ta quaja dhe me rezervimin apo me plotësimin e kushteve e parapara në dokumentin e Ahtisarit dhe krijimin e ambientit të përshtatshëm politik. Ne mendojmë se nëse ata janë brenda institucioneve do të krijohet një imazh i mirë për Kosovën përballë bashkësisë ndërkombëtare dhe t'i ofrojmë ato kushte me të cilat besojmë Prishtina do të jetë më atraktive sesa Beogradi. Pakicat do t'i kenë të drejtat të cilat janë të garantuara por edhe bashkëpunimi ynë do të thoja edhe në fushën qytetare por edhe në fushën politike do të jetë më i ngërthyer. Ndoshta kemi nevojë më shumë për një bashkëpunim ditor sesa ai që është vetëm politik'.