1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet 2007 dhe shëndetësia kosovare

'Joefiçient dhe i paguar shumë dobët' - Sektori publik i shëndetësisë kosovare

Në pritje të ditëve më të mira

Në pritje të ditëve më të mira

Vështirësitë e shumta të fazës së tranzicionit dhe shumë probleme të trashëguara nga e kaluara e kanë përcjellur edhe shëndetësinë, njëjtë si shumë lëmi dhe shërbime tjera në Kosovë. Shëndetësia kosovare, këto tetë vitet e fundit ka pasur një dinamizëm të transformimit dhe zhvillimit institucional duke kaluar nëpër fazën post-emergjente dhe zhvillimore, faza këto që kërkojnë vizion dhe angazhim brenda resurseve ekzistuese, thonë zyrtarët institucional. Shëndetësia në Kosovë, si dhe shumë shërbime tjera, zhvillohet në dy binarë: publik dhe privat. Shërbimet që ofrojnë ordinancat private, numri i të cilave po shtohet nga dita në ditë, janë shumë më joshëse për punëtorët shëndetësor, me që ofrojnë përfitime më të mëdha materiale. Por, për pacientët, cmimet e shërbimeve këtu janë disa herë më të larta se në institucionet publike të shëndetësisw. 'Joefiçient dhe i paguar shumë dobët'. Kështu mendojnë shumë qytetarë për sektorin publik të shëndetësisë kosovare. Mjekët nuk paguhen mirë dhe më me dëshirë punojnë në ordinancat private. Objektet në përgjithësi janë në një gjendje shumë të keqe. Ndihet mungesa e pajisjeve për mënyrat e duhura të terapive çka bën që shumë pacientëve u duhet të kërkojnë shërim jashtë vendit. Duhet, është fjala e qëlluar në këtë rast për shkak se mjetet publike për këtë janë shumë të pakta. Pacientët ankohen se edhe në sektorin publik duhet të paguajnë për çdo gjilpërë. Të moshuarit dhe në përgjithësi të varfërit nuk janë në gjendje të paguajnë një shërbim të duhur mjekësor. Në këtë mënyrë gjendja e shëndetësisë kosovare dhe përmirësimi i saj po shoqëron fushatën elektorale për zgjedhjet e 17 nëntorit. Në kuadër të ciklit 'Zgjedhjet 2007 - çka pas 17 nëntorit' sot minutat e rubrikës sonë speciale ia kemi kushtuar pikërisht kësaj çështje.


Fillimisht në mikrofonin tonë flet Teuta Sahatqiu nga Partia Reformiste ORA:

Poster i Partisë Reformiste ORA

Poster i Partisë Reformiste ORA


'Sa i përket planit veprues të partisë sonë mendojmë se së pari duhet të bëhet një reformë e rrënjësishme e sistemit shëndetësor, të zhvillohet univerzaliteti, barazia, çasja, cilësia dhe efikasiteti i shërbimeve shëndetësore në Kosovë dhe ky reformim duhet të bazohet në modelet dhe përvojat e suksesshme bashkëkohore. Gjithashtu si e përmenda është fondi i sigurimit shëndetësor ku ORA do të angazhohet për krijimin dhe forcimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Përveç kësaj mendojmë që edhe shëndetësia familjare do të duhej të jetë një prioritet dhe t'i ofroj shërbime sa më të mira qytetarëve të Kosovës përmes këtij koncepti të mjekësisë familjare si hallkë kryesore e shërbimit shëndetësor'.


Berim Ramosaj është nga Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD):

Poster i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

Poster i Lidhjes Demokratike të Dardanisë


'Sistemi shëndetësor në Kosovë është në fakt si sistem në kolaps. Përveç mjekësisë familjare e cila është një storie e mirë që në fakt është zhvilluar pas luftës se përndryshe mjekësia terciare dhe ajo sekondare në përgjithësi janë para kolapsit për shkak të një menaxhimi të keq që po bëhet qoftë në QKUK (Qendra Klinike Universitare e Kosovës) qoftë në spitalet tjera në nivel vendi. Mirpo ne mendojmë se shëndetësia është më tepër pasojë sesa shkak. Eshtë pasojë e moszhvillimit ekonomik, është pasojë e institucioneve jo të qëndrueshme dhe është pasojë e shkallës së lartë të korrupcionit në institucionet publike'.


Ibrahim Makolli është nënkryetar i Aleancës Kosova e Re (AKR):

Poster i Aleancës Kosova e Re

Poster i Aleancës Kosova e Re


'Ndaj mendimin se shëndetësia në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë në krizë më të madhe të saj sesa në këto periudha që po kalojmë dhe ne kemi paraparë një reformim të thellë në sistemin e shëndetësisë në Kosovë në mënyrë që ai të jetë në pajtim me nevojat e qytetarëve. Në radhë të parë për ndërtimin e infrsatrukturës ligjore në këtë fushë; së dyti krijimin e hapësirës së mjaftueshme sikurse edhe me pajisjen e të gjithë kësaj infrastrukture me aparaturë të nevojshme. Po ashtu ne kemi paraparë edhe kthimin e QKUK-ës në destinacionin të cilin ajo e ka. Për këtë arsye është shumë e domosdoshme, është shumë e nevojshme që të ndërtohet spitali rajonal i Prishtinës në mënyrë që të ndahet nga Qendra Klinike Universitare dhe QKUK të jetë tamam Qendër Klinike Universitare ku do të trajtohen rastet më të larta dhe që asaj t'i mundësohet që të kryej punë shkencore ashtu si dhe parashihet'.


Muhamet Hamiti është kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK):

Poster i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Poster i Lidhjes Demokratike të Kosovës


'LDK punon për ndërtim të sistemit unik shëndetësor funksional që të ofroj shërbime cilësore mjekësore për të gjithë qytetarët e Kosovës në të trija nivelet shëndetësore dhe në të gjitha fushat. LDK përkrah kujdesin parësor shëndetësor të mbështetur në konceptin e mjekësisë familjare që paraqet formën më të mirë dhe më ekonomike. LDK angazhohet për përkujdesje parësore shëndetësore të popullatës në nivelin një mjek - dy motra medicinale në 2000 banorë, për ngritjen e objekteve të reja ambulantore të përkujdesjes parësore, për ngritjen e kapaciteteve këshilluese dhe të përkujdesjes për shëndetin e nënës dhe të fëmijës, për parandalimin e sëmundejeve si TBC, HIV AIDS etj. Ne angazhohemi që të rritet gama e shërbimeve dhe ekspertiza në shtatë spitalet rajonale që ofrojnë shërbime specialistike të profileve të përgjithshme në Kosovë. Në ndërkohë LDK angazhohet për themelimin dhe ndërtimin e spitalit rajonal të Prishtinës për tu ofruar qytetarëve shërbime cilësore shëndetësore të nivelit dytësor për të shkarkuar vëlimin e punës të QKUK-ës'.


Hajredin Kuqi është nënkryetar i Partisë Demokratike të Kososovës (PDK):

Poster i Partisë Demokratike të Kosovës

Poster i Partisë Demokratike të Kosovës


Problemet në shëndetësi i kemi identifikuar në dy drejtime: e para është te menaxhimi me shëndetësinë e Kosovës dhe në këtë drejtim mendojmë që do ta bëjmë një çasje të re në menaxhimin në shëndetësisë në veçanti dhe decentralizimin do të thoja të funksioneve të shëndetësisë në nivele komunale, në kuptimin e menaxhit të spitaleve qoftë komunale apo rajonale. Po ashtu problemi i dytë kemi menduar se është edhe te financimi. Ne mendojmë që ta rrisim buxhetin për shëndetësinë e Kosovës. Mendojmë që ministrinë e shëndetësisë duhet ta udhëheq një individ nga partia politike shumicë i cili ka autritet dhe dije ndërsa në anan tjetër mendojmë që të garantojmë apo të fusim edhe sistemin e sigurimeve shëndetësore në Kosovë. Këto janë disa prej çështjeve që ne do të stimulojmë edhe shëndetësinë private por do të thoja që garancioni për qytetarët e Kosovës do të jetë për investimet e tyre dhe për shëndetin publik në Kosovë'.


Avni Arifi flet në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK):

Poster i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Poster i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës


'Shëndetësia është një prej fushave e cila është alarmante. Ne po e paguajmë shumë shtrenjtë çmimin e dhjetë viteve të përjashtimit nga institucionet dhe kjo ka pas implikime të fuqishme edhe në politikën kadrovike edhe në aftësimin e njerëzve sa i përket shëndetësisë. Megjithatë fondet duhet të rriten në shëndetësi, ne përshembull e kemi listën e barërave esenciale me vlerë prej 6 milionë euro, kjo duhet të ngritet, në Maqedoni është 23 milionë euro. Pra ngritjen e fondit listës së barnave esenciale, ristrukturimi i QKUK-ës kjo duhet të ndodh dhe njëkohësisht fillimin e punës së Qendrës Onkologjike që do të mbështeste fuqimisht qytetarët e Kosovës posaçërisht ata që natyrsht vuajnë nga kanceri janë të detyruar të shkojnë në Maqedoni apo në Shqipëri për rrezatim dhe procedura tjera'.

  • Data 12.11.2007
  • Autor Esat Ahmeti & Bekim Shehu
  • Fjalët kyç Kosovë, zgjedhjet
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CQ0E
  • Data 12.11.2007
  • Autor Esat Ahmeti & Bekim Shehu
  • Fjalët kyç Kosovë, zgjedhjet
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CQ0E