1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhjet 2007 dhe kriza energjetike në Kosovë

Si e parashohin subjektet më të mëdha politike të Kosovës të nxjerrin vendin nga kriza energjetike

Korporata Eelektroenergjetike e Kosovës KEK

Korporata Eelektroenergjetike e Kosovës KEK

Një vend të veçantë në fushatën elektorale për zgjedhjet e 17 nëntorit e ka zënë çështja e krizës së vazhdueshme eneregjetike në Kosovë. Dhe kjo jo pa arsye kur dihet se energjia elektrike është një prej faktorëve vendimtar për persepktivat e zhvillimit të Kosovës. Nga furnizimi i rregulltë me energji elektrike nuk varet vetëm kualiteti i jetës së qytetarëve por dhe zhvillimi ekonomik i tërë rajonit është i lidhur ngushtë me suksesin apo dështimin e modernizimit. Investimet e nevojshme në infrastrukturën e tanishme janë të mëdha dhe paraqesin një ngarkesë serioze për buxhetin e qeverisë. Njëkohësisht , shumë njerëz nuk janë në gjendje të paguajnë për rrymën e shpenzuar. Aktualisht ndërprerjet e përditshme të rrymës janë ngulitur në kokat e shumicës së njerëzve: Ndërrmarrjet e vogla dhe të mesme që duhet të ndërprejnë punën e tyre me orë e nganjëherë edhe më ditë tëra, dyqanet dhe ndërrmarrjet të cilat nuk mund të jenë efektive pa sigurimin e furnizimit të rregulltë me energji elektrike, spitalet të cilat në çdo moment duhet të mbajnë në gjendje gatishmërie gjeneratorët dhe qytetarët e zakonshëm të cilëve u çrregullohet jeta e përditshme kur ikin dritat. Këta janë njerëz vota e të cilëve me 17 nëntor të këtij viti do të përcaktoj se kush do të mirret në një të ardhme me daljen nga kjo krizë. Kjo krizë prek të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike apo fetare. Për të mësuar më shumë për planet dhe mënyrat se si partitë politike kosovare e shohin daljen nga kjo krizë ne në mikrofonin tonë, në kuadër të ciklit ‘Zgjedhjet 2007, çka pas 17 nëntorit’ ftuam përfaqësuesit e gjashtë subjekteve më të mëdha politike në Kosovë.

Fillimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muhamet Hamitin:

Poster i Lidhjes Demokratike të Kosovës - LDK

Poster i Lidhjes Demokratike të Kosovës - LDK


Kosova e sotme jeton me absurde që Lidhja Demokratike e Kosovës me qeverinë e re nuk do t’i toleroj më. Kemi rezervat më të mëdha të linjitit në Evropë, janë bërë investime të mëdha në KEK (Korporata Energjhetike e Kosovës) por kemi terr, mungesë dritash, mungesë energjie. Do të punojmë për kapacitete të reja për prodhim të energjisë elektrike së paku 1800 MW (Megavat) por gjithnjë duke ruajtur ambientin jetësor. Do të investojmë në burime alternative të energjisë, do të modernizojmë sistemin e transmisionit përmes integrimit në rrjetin energjetik rajonal dhe evropian. Do të forcojmë qeverisjen korporative në KEK për të siguruar furnizim të plotë me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë për arkëtim të detyrimeve nga konsumatorët e energjisë. Me instrumente të shtetit, me rregullativë të plotë ligjore që prek këtë fushë, do të ndihmohet KEK-u por edhe do të bëhet kompani publike e përgjegjshme sepse për herë të parë KEK- u do të jetë në duar të qeverisë.

Hajredin Kuqi është nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës :

Poster i Partisë Demokratike të Kosovës - PDK

Poster i Partisë Demokratike të Kosovës - PDK

Ne kemi ofruar një projekt konkret për energjetikën në Kosovë, projekti është i punuar nga ekspertët vendor dhe ata ndërkombëtar. Ne mendojmë të bëjmë zgjidhjen afatshkurtër që nënkupton një Kosovë me rrymë 24 orë të cilën do ta kemi me rritjen e kapaciteteve ekzistuese në KEK, por njëkohësisht me ekportin dhe importin e rrymës ekektrike nga rajoni ndërsa orientimi i dytë do të jetë investimet kapitale në termoenergjetikë fillimisht. Këtu mendojmë që investimet të jenë në radhë të parë në Kosova C me fillimin e punës së menjëhershme të mihjes në Sibovc dhe investitorët të mundshëm t ‘i favorizojmë, t’i identifikojmë dhe të krijojmë lehtësira juridike do të thoja për investimet e tyre në Kosovë. Projekti ynë është 2008-2012 plus pra gjatë kësaj kohe do të kemi rrymë permanente ndërsa në vitin 2012 presim që Kosova të jetë edhe eksportuese e energjisë elektrike.

Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e koalicionit aktual qeveritar, flet Avni Arifi :

Poster i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës - AAK

Poster i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës - AAK

Në planin afatmesëm dhe afatgjatë natyrisht që kemi projektin madhor Kosova C i cili është projekt i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Siç e dini është bërë seleksionimi i katër kompanive ndërkombëtare, asnjëra prej tyre nuk ka qarkullim nën 50 miliardë euro, tenderi pritet të shpallet në javët në vijim, qysh në vitin e ardhshëm do të filloj puna për termocetralin Kosova C, pjesa e parë ka të bëj me revitalizimin e Kosova A dhe mund të presim një stabilizim me energji elektrike në fund të vitit 2008 po në fillim të vitit 2009. Projekti Kosova C kushton 3.5 miliardë euro, do të gjeneroj 3000 vende direkte të punës, fillimisht 160 milionë euro drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës kurse 600 milionë euro nga investimi total 3.5 miliardë euro do të implementohen nga ndërrmarrjet kosovare dhe kjo konsideroj se përveç që do të stabilizoj gjendjen me energji elektrike njëkohësisht Kosovën do ta bëj një superfuqi rajonale energjetike.

Ndërkaq vizionin e partisë reformiste ORA për këtë çështje e shpalos, Teuta Sahatqiu aktualisht deputete në Parlamentin e Kosovës:

Poster i Partisë Reformiste - ORA

Poster i Partisë Reformiste - ORA

Sa i përket energjetikës Kosova ka kapacitete të mëdha për prodhimin e energjisë elektrike që do të kënaqte jo vetëm nevojat e qytetarëve të Kosovës por edhe do të mund të eksportohej . Çmimet e energjisë në botë vetëm rriten dhe mund të jenë burim i rëndësishëm. Megjithatë ORA angazhohet që shfrytëzimi i resurseve të Kosovës të bëhet në mënyrë racionale duke u kujdesur për ambient dhe në dobi të qytetarëve të Kosovës. Për këtë në programin punues të partisë sonë për sektorin e energjetikës kemi paraparë që KEK-u të bëhet pronë e kosovarëve ku ORA do të angazhohet për një ristrukturim të menjëhershëm dhe rrënjësor të KEK-ut duke u shndërruar në Koorporatë publike me pronar të identifikuar publik sepse mendojmë që edhe mungesa e një pronari të caktuar ka qenë ajo që ka ndikuar në veprimtari jo efikase të KEK-ut.

Për Lidhjen Demokratike të Dardanisë, mysafirë në studion tonë ishte Berim Ramosaj. Sipas tij:

Poster i Lidhjes Demokratike të Dardanisë - LDD

Poster i Lidhjes Demokratike të Dardanisë - LDD

Në fakt në strategjinë e zhvillimit për të ardhmen energjetika për Lidhjen Demokratike të Dardanisë do të jetë sfidë dhe ajo një ndër sfidat më të rëndësishme në aspektin e infrastrukturës së mirfilltë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Problemet energjetike ne mendojmë t’i zgjedhim duke u mbështetur në ndërtimin e një kapaciteti i cili do t’i mundësoj Kosovës të ketë eneregji 24 orë në ditë. Në fakt mendohet për një termocentral duke u mbështetur në linjitin apo pasurinë e thëngjillit që ka Kosova dhe në forma tjera alternative duke u mbështet edhe në hidro dhe forma të tjera. Ne shpresojmë që kjo sfidë do të kaloj dhe pas periudhës 2 vjeçare nuk do të jetë më sfidë për Kosovën.

Dhe për fund nga Aleanca Kosova e Re – Ibrahim Makolli:

Poster i Aleanca Kosova e Re - AKR

Poster i Aleanca Kosova e Re - AKR

Si subjekt politik në programet tona kemi paraqit disa prej parametrave me të cilat gjendja energjetike në Kosovë mund të përmirësohet brenda një periudhe të shkurtë kohore. Në plan të parë kemi vënë nevojën e riparimit të blloqeve ekzistuese në Kosovën A dhe Kosova B të cilat mund të zgjasin maksimum deri në 18 muaj ndërkaq ne kemi premtuar dhe jemi të bazuar në programet që brenda gjashtë muajsh në qeverisjen e AKR-ës Kosova asnjë minutë nuk do të mbetet në terr sepse në forma të ndryshme do të arrijmë që të sigurojmë energjinë elektrike kryesisht nga prodhimi vendor. Si fazë e tretë e jona në këtë aspekt është edhe ndërtimi i temrocentralit të ri Kosova C jo në një kapacitet prej 2000 megavat por në një kapacitet prej rreth 500 megavatësh si dhe ndërtimin e minihidrocentraleve në disa pjesë të Kosovës.