1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjedhje të reja në kohë krize

Në mes të krizës së rëndë të borxheve kryeministri spanjoll Zapatero do të dorëzojë stafetën. Një qeveri e re duhet të drejtojë vendin në rrugën e rritjes ekonomike. Por mosbesimi i tregjeve është në rritje.

Kryeministri spanjoll Jose Luis Rodriguez.

Nën trysni - kryeministri spanjoll Zapatero njoftoi zgjedhje të parakohshme.

Spanja vuan nga papunësia më e lartë në eurozonë, një ekonomi e dobët dhe borxhi i lartë publik. Pas paketës së shpëtimit për Greqinë, për Madridin është shtrenjtuar rifinancimi në tregjet e kapitalit, të cilat druhen nga efekti ngjitës i krizës. Edhe agjencia e vlerësimit të riskut të kreditimit, Moody's, hedh më tej benzinë në zjarr. Në këtë situatë kryeministri José Luis Rodríguez Zapatero, me pozita të dobësuara, sheh vetëm një rrugëdalje: ai ka shpallur zgjedhje të parakohshme.

Zapatero në konferencën për shtyp ku njofton zgjedhje të parakohshme në nëntor.

Zapatero në konferencën për shtyp ku njofton zgjedhje të parakohshme në nëntor 2011.

Zgjedhësit duhet të vendosin katër muaj më parë

Që në 20 nëntor duhet të zgjidhet një parlament i ri, tha Zapatero, mandati i të cilit mbaron në mars të 2012. Por përballë pakënaqësisë së përhapur shumë në opinionin publik në Spanjë, socialisti përkulet para kërkesave të opozitës. Partia Popullore konservatore (PP) ka kërkuar vazhdimisht zgjedhje të parakohshme që prej fitores së saj të thellë në zgjedhjet rajonale dhe komunale në 22 maj. Ajo e akuzon Zapateron se nuk ka reaguar ndaj krizës në kohë dhe me masat e duhura. Kohët e fundit janë shtuar zërat edhe në radhët e Partisë Socialiste (PSOE) për zgjedhje të parakohshme.

Zgjedhjet e parakohshme do t'i mundësonin qeverisë "të përfundojë gjëra të rëndësishme dhe qeverisë së re të përballet me sfidat e vendit duke filluar nga 1 janari", tha Zapatero në Madrid. 50 vjeçari theksoi se ekonomia po jep "shenja pozitive", pasi qeveria ka hedhur bazat për rimëkëmbjen e saj. Papunësia mbetet edhe më tej e lartë, por shifrat e publikuara të premten, tregonin përmirësim.

Kryeministri spanjoll Zapatero dhe lideri i opozitës Rajoy.

Ndryshim pushteti? -Kryeministri spanjoll Zapatero dhe lideri i opozitës Rajoy.

Sondazhet parashikojnë ndryshim qeverie

Lideri konservator i opozitës Mariano Rajoy i përshëndet zgjedhjet e parakohshme. "Ky është një lajm i mirë, pasi është ajo çka duan pjesa më e madhe", tha ai dhe foli për një "iniciativë të nevojshme" për kapërcimin e krizës ekonomike. Por Rajoy zbuti njëkohësisht pritjet e mëdha. Kushdo që t'i fitojë zgjedhjet, do të ketë detyra të vështira përpara, tha 56-vjeçari. Sipas anketimeve socialistët, në qeveri që prej 2004-s, do të pësojnë humbje, edhe pse avantazhi i konservatorëve kohët e fundit është reduktuar. Vetë Zapatero pati njoftuar qysh në prill se nuk do të kandidonte për një mandat të tretë.

Problemet e mëdha të Spanjës shkaktojnë shqetësim në tregjet financiare. Agjencia e vlerësimit Moody's e kërcënoi ekonominë e katërt më të madhe në eurozonë, me ulje të notës së bonitetit. Agjencia e argumentoi paralajmërimin e saj me "risqet në rritje" për mbajtësit e obligacioneve shtetërore spanjolle. Edhe ekonomia është e dobët.

Kritika ndaj Moody's

Qeveria në Madrid ka reaguar me zemërim ndaj qendrimit të Moody's. Zapatero theksoi se nga njëra anë agjencia kërcënon me ulje të bonitetit, e nga ana tjetër vlerëson punën e qeverisë në menaxhimin e problemeve ekonomike dhe financiare. Kryeministri spanjoll u shpreh i sigurt se Moody's nuk do ta vërë në jetë kërcënimin e saj.

Për të shmangur që edhe Spanja të ketë nevojë për para nga ombrella e shpëtimit e BE-së, qeveria e Zapateros miratoi muajt e kaluar një numër masash aspak popollore, ndër të tjera rritjen e moshës për daljen në pension, rritje të taksave dhe shkurtime në paga për të punonjësit e sektorit publik.

Autor: Rolf Breuch (afp, dapd, dpa, rtr) / E. Xhani
Redaktoi: Bahri Cani