1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhje të qeta të serbëve në Kosovë

Qeveria e Kosovës vlerëson se qytetarët serbë në tërë Kosovën respektuan frymën e organizimit me lehtësimin e zgjedhjeve nga OSBE-ja dhe treguan kulturë të lartë politike dhe qasje integruese.

Votimi i qytetarëve serbë të Kosovës për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, u zhvillua në mënyrë të qetë dhe nuk u shënua asnjë incident, konfirmon policia e Kosovës. Krahas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, në dy komuna në veri të Kosovës, në Leposaviq dhe Zveçan, u mbajtën edhe zgjedhjet lokale të organizuara nga strukturat paralele serbe pa mbështetjen e qeverisë në Beograd. Votimet për zgjedhjet lokale në këto dy komuna nuk u mbajtën në objektet ku OSBE-ja me pjestarët e saj kishte lehtësuar procesin e votimit të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Ato u mbajtën në disa objekte private dhe sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, zgjedhjet lokale në këto dy komuna veriore nuk kanë asnjë efekt.

Përkundër dyshimeve për tensione, asnjë incident

Në foto, Bajram Rexhepi

Në foto, Bajram Rexhepi

"Nuk është regjistruar asnjë incident edhe përkundër paralajmerimeve dhe analizave të mëhershme se do të ketë dhunë, tensione e deri edhe gjakderdhje, kjo nuk ndodhi. Ne kemi qenë optimist se do të kalojnë qetë dhe ashtu ndodhi. Është një punë e mirë që ka bërë policia dhe institucionet e Kosovës që kanë dhënë qëndrime shumë të qarta dhe OSBE-ja ka bërë një punë të mirë si lehtësues në menaxhimin teknik", tha Bajram Rexhepi.

Nuk ndërhymë sepse nuk ia vlenë të ngriten tensione

Ministri Rexhepi, më herët kishte paralajmëruar se policia e Kosovës do ta pengojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe. Policia nuk ndërhyri, sepse, sipas ministrit Rexhepi, këto zgjedhje lokale nuk kanë asnjë efekt juridik. "Ne kemi thënë se jemi të përgatitur dhe mund t'i ndalonim ato, por poashtu e kemi thënë se do të kordinohemi me ndërkombëtaret dhe në këtë kuadër kemi vlerësuar që nuk ia vlenë që të ngiten tensionet për diçka që nuk prodhon asnjë efekt juridik”, tha ministri Bajram Rexhepi.

Rezultati i zgjedhjeve lokale në veri pa efekt politik

Në foto, Oliver Ivanoviq

Në foto, Oliver Ivanoviq

Edhe për sekretarin shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën Oliver Ivanoviq, zgjedhjet lokale serbe në dy komuna në veri të Kosovës nuk kanë ndonjë efekt. "Zgjedhjet në këto dy komuna janë organizuar nga strukturat që kanë qenë të rregullta deri më 06.05.2012, por tani ato dalin jashtë sistemit, sepse nuk kanë respektuar vendimet e qeverisë në Beograd dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është i pavlefshëm në aspektin politik”, tha për mediat lokale serbe, Oliver Ivanoviq.

Serbët në tërë Kosovën treguan qasje integruese

Qeveria e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, në një deklaratë të shkruar për media, vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës për herë të parë është bërë jashtë organizimit të institucioneve të Serbisë. “Ky proces është bërë sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e shtetasve që kanë dyshtetësi. Zgjedhjet janë menaxhuar me kompetencë nga OSBE-ja dhe për këtë Qeveria e Republikës së Kosovës i shpreh mirënjohje të lartë OSBE-së dhe faktorëve tjerë ndërkombëtarë. Qeveria thekson se qytetarët serbë në tërë Kosovën kanë respektuar këtë frymë të organizimit dhe kanë treguar kulturë të lartë politike dhe qasje integruese, sipas standardeve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e qeverisë së Kosovës.

Sipas qeverisë, Kosova ka shënuar një progres në këtë angazhim dhe ka respektuar standardet e ndërtuara bashkë me partnerët ndërkombëtarë, që janë synim dhe vizion i të gjithë qytetarëve të vendit.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM