1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjedhje të qeta dhe demokratike në Maqedoni

KSHZ: 67.4% ishte pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në Maqedoni. VMRO-DPMNE dhe BDI fitojnë bindshëm mandate për kryetar komune. Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas japin vlerësime pozitive për procesin zgjedhor.

Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në zgjedhjet lokale fitore bindëse kanë shënuar dy partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI. Në bllokun politik maqedonas VMRO ka fituar në 54 komuna, ndërsa Socialdemokratët opozitarë në shtatë. Në bllokun politik shqiptar BDI në raundin e parë ka fituar dymbëdhjet komuna ndërsa PDSH ka fituar një komunë. Në raundin e dytë kandidatët e dy partitive shqiptare do të garojnë për tetë komuna. Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor pjesëmarrja në votime ka qenë 67%, që shënon daljen më masive të elektoratit për zgjedhjet lokale që nga mëvetësimi i Maqedonisë.

Partitë konkuruese në zgjedhje pranojnë rezultatet

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se opcioni i subjektit të tij politik ka fituar përkrahjen më të madhe tek elektorati shqiptar. “Fitorja është një përgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve, sepse gjërat e premtuara në fushatë, duhen realizuar” është shprehur Ahmeti . Ai njëherit premtoi se do të mbështesë kandidatin e opozitës shqiptare PDSH në qytetin e Strugës, i cili në raundin e dyte është në balotazh me kandidatin maqedonas. Për herë të parë në komunën e Kërçovës do të kryesojë kandidati shqiptar, në këtë komunë në raundin e parë ka fituar kandidati i BDI-s Fatmir Dehari.

Lideri i opozitës shqiptare Menduh Thaqi vlerëson se rezultatet janë të çuditëshme, sipas tij ka pasur implikime të mëdha në formë presioni, frikësimi dhe korrupcioni. Por, sipas tij në këto zgjedhje PDSH-ja ka shënuar rritje prej 22 mijë votave në krahasim me zgjedhjet e parakohshme.

Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe njëherit kryeministër i Maqedonisë Nikolla Gruevski deklaroi se në zgjedhje kanë fituar të gjithë qytetarët e Maqedonisë, sepse ato u organizuan në mënyrë të lirë, korrekte dhe demokratike. “Në këto zgjedhje VMRO-DPMNE mori një besueshmëri të madhe nga qytetarët dhe korri fitore bindëse, do të thoja fitorja është edhe përtej pritjeve tona paraprake”, është shprehur Gruevski.

Opozita maqedonase kërcnon me bojkot të raundit të dytë

Zgjedhjet lokale në vend nuk kanë qenë korrekte dhe demokratike, janë shënuar parregullsi në procesin zgjedhor, deklaroi lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski. “Ishim dëshmitarë të presioneve dhe kërcënimeve të papara, të parregullsive në listën zgjedhore, të keqpërdorimit të mjeteve buxhetore për interesa partiake. Për ne, të gjitha opcionet janë të hapura përfshirë këtu edhe bojkotimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale “, tha Cërvenkovski.

Presidenti maqedonas Nikola Gruevski

Presidenti maqedonas Nikola Gruevski

OSBE/ODIHR : Proces i qetë zgjedhor

Vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it dolën me vlerësimin, se zgjedhjet lokale kanë qenë konkuruese dhe të zbatuara në mënyrë efikase, kurse procesi është zhvilluar qetë me disa parregullsi të caktuara procedurale.Vërejtejt e misionit ndërkomëtarë kanë të bëjnë me praninë e votimit në grup. “Zgjedhjet u dhanë mundësi kandidatëve të bëjnë fushatë të lirë, ndërsa vet fushata ishte shumë aktive. Misionit tonë i janë paraqitur ankesa të besueshme për frikësimin e votuesve dhe për keqpërdorimin e resurseve gjatë fushatës”, deklaroi ambasadori i OSBE-ODIHR-it Gert Arens. OSBE- ODIHR vlerëson se Kodi Zgjedhor duhet të ndryshojë edhe me tej për të rritur cilësinë e procesit zgjedhor.

Asociacioni qytetar MOST, që ka mbykqyrur të gjitha vendvotimet në Maqedoni, raundin e parë të zgjedhjeve e cilësoi si të qetë, të zhvilluar në atmosferë demokratike, me disa lëshime të caktuara.

“Paregullsitë më të shpeshta që janë verejtur kanë të bëjnë me votimin familjar. Mosshfrytëzimin e llambave, fotografimin e fletëvotimeve si dhe evidentimin e votuesve. Megjithatë më duhet të theksoj uljen e intesitetit të dukurive te lartëpermendura”, u spreh Darko Aleksov, drejtor eksekutiv i MOST-it. Sipas këtij asicoacioni është konstatuar se në disa raste personat që posedojnë dokumente biometrike nuk kanë qenë të regjistruar në listat zgjedhore.

Raundi i dytë i votimit për zgjedhjet lokale do të mbahet më 7 prill.