1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje të parakohshme dhe protesta në Bullgari

Alexander Andreev , Pandeli Pani13 Mars 2013

Një qeveri e përkohshme po përgatit zgjedhjet e parakohshme të 12 majit. Presidenti emëron ekspertë në krye të vendit. Kryeministër dhe ministër i Jashtëm emërohet ambasadori bullgar në Paris.

https://p.dw.com/p/17vlK
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dy të rinj dogjën veten gjatë protestave në Bullgari. Prej një muaji mijëra bullgarë po demonstrojnë në qytetet e mëdha. Në fillim protestat lidheshin me rritjen e shpejtë të kostove të energjisë elektrike dhe ngrohjes, dhe kundër gjoja "monopolistëve" në tregun e energjisë. Ndërkohë, protestuesit kërkojnë ndryshimin e sistemit dhe rishikimin masiv të gjithë tranzicionit pas rënies së regjimit komunist 1989-1990. "Rruga" (kështu i quajnë protestat në Bullgari) ka kërkesa shumë të ndryshme dhe nganjëherë kontradiktore që shkojnë nga "të gjithë politikanët që dolën pas përmbysjes së komunizimit në burg!" deri tek "shtetëzimi i sektorit të energjisë dhe ndalimi i privatizimeve" apo "Kushtetutë të Re dhe jashtë nga BE-ja!" Protestuesit të cilët distancohen nga të gjitha partitë bullgare, janë në një mendje për një gjë, ata protestojnë ndaj padrejtësisë që perceptojnë në Bullgari.

Konstantin Pentschev, avokati i popullit, i cili në përgjithësi vlerësohet në Bullgari, thekson:

"Ajo që i bën protestuesit të dalin në rrugë është mungesa e drejtësisë. Shumica e qytetarëve ankohen te unë, jo sepse ne jemi më të varfërit në Evropë. Jo për shkak të papunësisë, ose për shkak të krizës së ngrirjes së pensioneve dhe faturave të fryra të energjisë elektrike. Jo, shumica janë të zemëruar për shkak të mungesës së drejtësisë dhe të transparencës".

Por në fakt shkak është në fund të fundit varfëria e madhe në vend, që disa vëzhgues e shpjegojnë me kursin e kursimeve të urdhëruar nga Brukseli dhe të vëna në jetë me rreptësi nga qeveria e Boiko Borisov që dha dorëheqjen. Boiko Borisov dhe partia e tij e re e qendrës së djathtë GERB fitoi në korrik 2009 zgjedhjet partiake parlamentare në Bullgari. Por kabineti i Borisovit dështoi në përpjekjet për të përmirësuar gjendjen në Bullgari dhe u detyrua të japë dorëheqjen nën presionin e rrugës.

Bulgarien Präsident Rossen Plevneliev
Presidenti Rossen PlevnelievFotografi: picture-alliance/AP

Presidenti Rosen Plevneliev, informaticien, i cili ka punuar tetë vjet në Gjermani dhe më vonë kishte në qeverinë e Borisovit një post ministror, krijoi një qeveri të përkohshme dhe do ta shpërndajë të mërkurën (13 mars) parlamentin. Sociologu Andrei Raichev nuk është i bindur se qeveria e vjetër ka kursyer vërtetë në buxhetin e shtetit, kuptohet: "Nga qeveria e përkohshme, unë pres të kontrollojë financat publike. Situata nuk është aq rozë, mendoj unë, madje unë mendoj se shteti ka falimentuar."

Kursime tek të varfërit, por bujar në shpenzimin e buxhetit të shtetit janë edhe akuzat e "rrugës" kundër Borisovit. Po a do të vazhdojnë protestat edhe ndaj qeverisë së përkohshme? Regine Schubert, drejtuese e përfaqësuesisë së Fondacionit Friedrich Ebert i Sofjes, nuk ka edne ndonjë përgjigje për këtë pyetje.

"Para një sfide të madhe nuk është qeveria e përkohshme, por qeveria e ardhshme e zgjedhur rregullisht. Domethënë, para një detyre thuajse të pazgjidhshme rivendosjen e besimit të publikut tek politika."

Protestuesit thonë se të gjitha qeveritë pas përmbysjes së komunizimit kanë qenë të korruptuara dhe kanë futur para në xhepat e tyre. "Rruga" e cila mblidhet demonstrativisht nën flamujt kombëtarë dhe proteston duke kënduar këngë patriotike të çuditshme të shekullit XIX, e mohon legjitimitetin e të gjitha partive politike dhe kërkon një kontroll të gjerë të qytetarëve mbi aktivitetet dhe veprimtarinë e qeverisë. Politologu Ogninan Minçev mendon:

Bulgarien Präsident und Premierminister Rossen Plevneliev Boyko Boriossov
Rossen Plevneliev dhe Boyko BoriossovFotografi: picture-alliance/AP

"Gjatë dy muajve të ardhshëm para zgjedhjeve, unë pres që të gjitha partitë do të marrin role të reja. Deri tani, ata kanë mbrojtur status quo-në, por tani e tutje ata duhet ta luftojnë atë. Vetëm atëherë do të gjejnë mbështetje në mesin e elektoratit ".

Të gjithë vëzhguesit pajtohen se qeveria e përkohshme ka një rol të rëndësishëm: të sigurojë zgjedhje të drejta dhe transparente për 12 majin. Sociologu Peter-Emil Mitev shton: "Por do të jetë teje e vështirë për të kryer negociata me demonstruesit. Sepse popullsia është mjaft e hidhëruar dhe e zemëruar."

Edhe pse sot nën ndikimin e protestave thuhet a priori se zgjedhjet do të jenë të padrejta dhe të paligjshme demonstruesit duhet t'i japin një drejtim votës së tyre në zgjedhje. Në sondazhet e fundit kryeson aktualisht partia e Borisovit GERB, e ndjekur afër nga socialistët. Në parlamentin e ri do të hyjë sigurisht partia e vogël e minoritetit turk në Bullgari dhe ndoshta edhe partia liberal-konservatore e ish-komisioneres së BE-së Meglena Kuneva.