1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjedhje pa opozitë në Rusi

Presidenti Dmitri Medvedev kishte kërkuar konkurrencë më të madhe politike në Rusi. Por fakt është e kundërta. Vetëm partitë besnike të Kremlinit dhe komunistët kanë shans në zgjedhjet parlamentare në dhjetor.

Poster zgjedhor për zgjedhjet parlamentare

Poster zgjedhor për zgjedhjet parlamentare

Më 4 Dhjetor afro 110 milionë rusë me të drejtë vote do të votojnë për një parlament të ri. Vetëm shtatë parti janë të lejuara, prej tyre vetëm tri kanë shans për të hyrë në parlament. Vëzhguesit perëndimorë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut nuk presin zgjedhje të drejta dhe demokratike. Këtë mendim duket se kanë shumica e rusëve. 54 për qind besojnë se do të jenë zgjedhje të rreme. Sipas një studimi nga Qendra e njohur Levada në Moskë gati dy të tretat e të intervistuarve (60 përqind) mendojnë se zgjedhjet për Duma-n janë një luftë mes klaneve burokratike, të cilat janë të interesuara vetëm të kenë më shumë qasje në fondet e buxhetit dhe në burime të tjera shtetërore. Në këtë kuadër fillon të premten (23.09.2022) faza e nxehtë e fushatës. Disa parti zhvillojnë në të njëjtën kohë kongreset e tyre.

“Rusia e Bashkuar“ – si dikur KPdSU?

Putini në kongresin Rusia e Bashkuar

Putini në kongresin "Rusia e Bashkuar"

Partia më e madhe në vend, "Rusia e Bashkuar", është një fëmijë i kryeministrit rus Vladimir Putin. Partia e krahut të djathtë konservator me një ari rus në logo u krijua në dhjetor 2001 dhe avancoi në pak vite, duke u bërë forca më e fortë politike. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007 "partia e pushtetit", siç quhet ajo në Rusi, arriti shumicën e dy të tretave. Sondazhet tregojnë se ata përsëri mund të kenë një sukses të tillë. Partia ia dedikon popullaritetin e vet kryetarit të saj, Putinit. Kryeministri është ende politikani më popullor në vend.

“Rusia e Bashkuar“ u kujton kritikëve, në mesin e tyre dhe ish presidenti sovjetik Mikhail Gorbaçov, gjithnjë e më shumë partinë e dikurshme komuniste të BS. Si ajo edhe partia e Putinit përpiqet të dominojë gjithçka dhe të mënjanojë konkurrentët politikë.

Kommunistët forca e dytë

Manifestim i komunistëve me 1 Maj në Rusi

Manifestim i komunistëve me 1 Maj në Rusi

Partia Komuniste e Federatës Ruse (KPRF) është e vetmja forcë opozitare në parlament, dhe ndoshta edhe do të mbetet e tillë. Sipas sondazheve komunistët në zgjedhjet e 4 dhjetorit do të marrin deri në 18 për qind të votave dhe do të përmirësojnë rezultatin e katër viteve më parë (11.6%). Kështu që ata do të ishin përsëri forca e dytë në Duma.

Rezultatet e saj më të mira, partia, e cila bën thirrje për një kthim në Bashkimin Sovjetik, në socializëm dhe në ekonominë së planifikuar, i arriti në vitet 1990-të. Në zgjedhjet presidenciale të 1996-ës kreu i partisë Gennadij Sjuganov arriti biles deri në balotazh. Por ai u mund nga presidenti i atëhershëm rus Boris Jelzin.

Populistët e djathtë në linjën e Kremlinit

Fushata zgjedhore Siberi për Dumën

Fushata zgjedhore Siberi për Dumën

Forca e tretë, e cila nuk ka përse të shqetësohet për një hyrje në parlamentin rus, janë Liberaldemokratët (LDPR). Sipas sondazheve kjo parti e populistit të djathtë, Vladimir Shirinovskij, ka me vete 10-13 për qind të votuesve. Për vite të tëra, ai bën propagandë kundër emigrantëve në Rusi. Edhe kësaj rradhe LDPR do të bëjë fushatë nën moton "Ne jemi për rusët." Meqenëse populistët e djathtë në votimet në parlament i mbeten besnikë linjës së Kremlinit, ato nuk i bëjnë konkurrencë partisë "Rusia e Bashkuar".

Partia "Rusia e Drejtë", e përfaqësuar deri tani si forca e katërt në Duma, duhet të frikësohet kësaj rradhe. Ajo ndodhet në sondazhe nën 7 për qindëshin, që duhet të arrihet për të hyrë në parlament. Partia e sheh veten si socialdemokrate, dhe konsiderohet si e afërt me Kremlinin.

Opozita nuk ka shanse

Kongresi partisë demokratike opozitare në Rusi

Kongresi i partisë demokratike opozitare në Rusi

Opozitarët kritikë nuk luajnë thuajse më asnjë rol në politikën ruse. Këtë përvojë bëjnë politikanët me orientim pro-perëndimor, si ish zëvendëskryeministri Boris Nemtsov. Edhe këtë vit ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë të përjashtuar nga pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare. Ministria ruse e Drejtësisë nuk miratoi në fund të qershorit partinë liberale të "Frontit Popullor" (shkurt: PARNAS). Gjoja ata kishin vënë të vdekur në listën e anëtarëve. Udhëheqësit e partive, ndër ta ish kryeministri Mihail Kasjanov, flasin për "kërcënime".

Sipas anketimeve opozitarët vazhdojnë të mos luajnë ndonjë rol të madh. Kjo vlen të thuhet për shembull për partinë liberale "Jabloko", e cila që nga viti 2003 nuk ka mundur të hyjë më në parlament. Votues me orientim properëndimor mund të tërheqë ndoshta këtë herë partia e sapokrijuar "Çështja e Drejtë". Por partia e shkatërroi veten para fillimit të fushatës. Udhëheqësi i saj, miliarderi rus Mikhail Prohorov, dha dorëheqjen. Partia është e infiltruar dhe është bërë marionetë e Kremlinit, tha ai. Kremlini e mohoi këtë. Kushdo që të ketë të drejtë, kjo parti nuk do të luajë më rol në politikën ruse.

 

Autor: Roman Goncharenko / Angjelina Verbica

Redaktoi:Esat Ahmeti