1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje komunale të ngarkuara me simbolikë

Zoran Arbutina / Elert Ajazaj6 Tetor 2012

Zgjedhjet komunale në Srebrenicë më 7 tetor kanë më shumë sesa vetëm rëndësi lokale: Sepse, prej masakrës ndaj më shumë se 8.000 banorëve myslimanë, qyteti i Bosnjës është kthyer prej kohe në simbol të krimeve të luftës.

https://p.dw.com/p/16LJb
Fotografi: DW

Para zgjedhjeve komunale në Bosnjë në gjithë vendin ka grindje të ashpra. Partitë po e shfrytëzojnë rastin për të marrë konturet e veta dhe për të prezantuar qëndrimet e tyre të përgjithshme politike. Për këtë shkak politikanët lokalë dhe temat e tyre duken në veprimtari zgjedhore si aksesorë zbukurues. Vëmendje e veçantë i kushtohet këtë herë qytetit të Srebrenicës.

Emri i qytetit të vogël në lindje të Bosnjës, jo larg prej kufirit me Serbinë, ka marrë nam të keq. Në korrik të 1995-s, gjatë luftës në Bosnjë Hercegovinë, trupat e serbëve të Bosnjës nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiq patën vrarë këtu mbi 8.000 të rinj dhe burra myslimanë. Kjo ishte masakra më e rëndë në Evropë pas Luftës II Botërore. Gjykatat ndërkombëtare e klasifikuan atë si gjenocid. Që atëherë Srebrenica është simboli i mizorive në Luftën e Bosnjës.

A bën të legalizohet gjenocidi?

Para luftës në komunë jetonin rreth 37.000 vetë, dy të tretat boshnjakë ose myslimanë, një e treta serbë. Mirëpo, lufta e ndryshoi në mënyrë dramatike strukturën e popullsisë: Myslimanët u vranë ose u dëbuan, shumë serbë u vendosën rishtas. Shpesh edhe ata vetë ishin të dëbuar nga pjesë të tjera të vendit. Pas luftës, kur me Marrëveshjen e paqes të Dayton-it vendi u nda administrativisht midis serbëve nga njëra anë dhe myslimanëve e kroatëve nga ana tjetër, komuna e Srebrenicës i mbeti plotësisht pjesës serbe (Republikës Srpska). Vërtet që ndërkohë janë kthyer në Srebrenicë gati 10.000 vetë (kryesisht myslimanë), mirëpo ata janë ende në pakicë. Sot Srebrenica është një komunë me shumicë serbe.

Normalisht, kjo do të kishte në Bosnjë Hercegovinën e sotme edhe pasoja politike: Meqenëse gati kudo në vend zgjedhësit votojnë sipas kritereve etnike, në Srebrenicë mund të pritej që të kishte një administratë komunale dhe qyteti me dominim serb. Por nuk është kështu. Që prej përfundimit të luftës Srebrenica ka një kryetar bashkie boshnjak, dhe administrata komunale është e vetmja në Republikën Srpska, ku myslimanët janë në shumicë.

Kryetari aktual i bashkisë së Srebrenicës, Camil Durakovic.
Kryetari aktual i bashkisë së Srebrenicës, Çamil Durakoviq.Fotografi: DW/D.Maksimovic

Kjo shpjegohet me veçoritë e ligjit zgjedhor për Srebrenicën. Deri tani atje mund të votonin edhe refugjatët, që tani jetojnë diku tjetër, qoftë brenda vendit qoftë jashtë. Ky ishte një vendim politik, i realizuar nga bashkësia ndërkombëtare: Nuk dëshirohej që gjenocidi të konfirmohej dhe të legalizohej nëpërmjet listave të pastruara zgjedhore pikërisht në vendin e tmerrit, të ngarkuar me simbolikë. Kjo u ndryshua vetëm sivjet. Komisioni Qendror Zgjedhor në Bosnjë Hercegovinë (CIK) ka vendosur që tani të vlejnë të njëjtat kushte si në pjesën tjetër të vendit edhe në Srebrenicë.