1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zgjedhje jo të zakonshme në Kenia

Përballë kushteve të ngjashme me luftë civile në zgjedhjet e fundit në Kenia pesë vjet më parë, frika prej trazirave të reja etnike është e madhe. Por ka edhe arsye për shpresë për demokracinë në vend.

Zgjedhjet ne Kenia, Raila Odinga

Zgjedhjet ne Kenia, Raila Odinga

Gjashtë kryqe duhet të vënë kenianët në zgjedhjet e së hënës (04.03.2013). Ata votojnë edhe për shumë institucione të reja, të cilat synojnë ta bëjnë vendin më të demokratik dhe më të drejtë. Çdo qark do të ketë në të ardhmen edhe gra si përfaqësuese në parlament. Në përgjithësi, qeveritë e reja të 47 qarqeve shumë vendime do t'i marrin në nivel lokal, me guvernatorët dhe parlamentet e tyre. Përveç kësaj, kenianët zgjedhin një senat të ri, i cili synon të mbrojë në kryeqytetin Nairobi interesat e rajoneve rurale.

"Ne shpresojmë që zgjedhjet do të sjellin një transformim të madh", thotë Nyaigoti Chacha, politolog në Nairobi. Nëpërmjet dy dhomave të deputetëve dhe qeverisë së decentralizuar do të ketë shumë forma të ndarjes së pushteteve dhe të kontrollit të ndërsjellë, thotë ai. "Ne presim ushtrimin e një trysnie më të madhe prej qarqeve mbi parlamentarët", thotë Chacha.

Vëzhgues të BE në zgjedhje

Vëzhgues të BE në zgjedhje

Garë me rezultat të ngushtë për postin e presidentit

Edhe ndikimi i presidentit të ri ka për të qenë më i vogël. Ndërkohë gara për këtë post zhvillohet midis dy kandidatëve kryesorë (gjashtë kandidatët e tjerë renditen sipas sondazheve shumë mbrapa). Raila Odinga kryeson në anketime me epërsi të vogël. Ai kryesonte edhe pesë vjet më parë para zgjedhjeve të fundit, mirëpo asokohe humbi me rezultat të ngushtë dhe në kushte të diskutueshme ndaj presidentit aktual Mwai Kibaki.

Pas dy muajsh përleshjesh të përgjakshme midis përkrahësve të dy kampeve Odinga dhe Kibaki u morën vesh asokohe për formimin e një qeverie të unitetit, me Odingën si kryeministër. Sfiduesi i Odingës është përsëri një kikuyu, sikurse është edhe presidenti aktual Kibaki: Uhuru Kenyatta, i biri i themeluesit të shtetit Jomo Kenyatta.

Raila Odinga merr sipas anketimeve 45% të votave

Raila Odinga merr sipas anketimeve 45% të votave

Kenyatta junior shkakton bujë në opinion para së gjithash për shkak të aktakuzës ndaj tij në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Ai akuzohet të ketë organizuar dhe financuar akte hakmarrjeje ndaj etnive luo dhe kalenjin. Kenyatta ka lidhur tani aleancë pikërisht me një kundërshtar të tij, kalenjinin William Ruto. Ky është gjithashtu i akuzuar në Hagë.

Dyshja po i shfrytëzon për fushatën elektorale proceset në Hagë (të cilat do të nisin pas zgjedhjeve) duke shfryrë kundër gjykatës së komanduar gjoja prej vendeve perëndimore. Në qoftë se aleanca e tyre fiton, shumë vetë druajnë konsekuenca për ekonominë e Kenias dhe për pozitën e saj në politikën ndërkombëtare.

Nuk ka kontroll mbi shpërthimet e dhunës

Shumë vëzhgues e vlerësojnë si shenjë të mirë për zgjedhje paqësore faktin që këtë herë udhëheqësit politikë të dy fiseve më të mëdha të Kenias kanë lidhur aleancë. Megjithatë, kundër këtij argumenti flet rrethana që në përplasjet etnike të muajve të fundit ka pasur pothuajse 500 të vrarë.

Autor: Maja Braun/Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi