1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zgjedhje balotazhi për presidentin në Rumani

Në një zgjedhje balotazhi që pritet me tension, rumunët vendosin këtë të dielë për herë të shtatë që prej pavarësisë së vendit për presidentin e tyre të ardhshëm.

Kryeministri aktual Victor Ponta nga socialdemokratët përballet me kryebashkiakun e qytetit Sibiu Klaus Iohannis, me origjinë gjermane. Në raundin e parë në 2 nëntor Ponta arriti të marrë 40 për qind të votave dhe rreth 10 për qind me shumë se Iohannis. Por vëzhguesit mendojnë se rezutati i balotazhit është megjithatë i hapur.

42-vjeçari Ponta, ish prokuror për çështje korrupsioni, kandidon për Partinë Socialdemokrate (PSD). Karriera e tij, që filloi në 2001 ka njohur një ngjitje të shpejtë në politikë në sajë të ish kryeministrit Adrian Nastase, i cili e mbështeti fuqishëm por që në vitin 2012 u dënua me heqje lirie për shkak të akuzave për korrupsion.

Wahlen Rumänien 02.11.2014 Victor Ponta

I sigurt për fitoren e tij - kryeministri rumun Victor Ponta

Në fillim të tetorit u bë e ditur drejtësia po heton për shumë ministra dhe biznesmenë për abuzim, korrupsion dhe pastrim parash. Shumë nga të dyshuarit konsiderohen si aleatë politikë të Pontas. Vetë Ponta e ka akuzuar vazhdimisht autoritetin kundër korrupsionit në Rumani për "mungesë pavarësie partiake".

Zënkat për mbështetësit dhe aleatët e tij nuk e kanë dëmtuar thuajse aspak ngjitjen politike të Pontas. Edhe konfliktet e forta me presidentin në largim, konservatorin Traian Basescu, i cili nuk mund të kandidonte për herë të tretë, nuk e kanë dëmtuar dukshëm imazhin e tij, edhe pse Ponta interesohej në radhë të parë të kufizonte kompetencat e drejtësisë.

Por ajo që rëndon mbi kryeministrin rumun është megjithatë përpjekja e tij e dështuar për të larguar nga posti armikun e tij të betuar Basescu. Në formën e një puçi ai arriti pezullimin e presidentit nga parlamenti në verën e vitit 2012, por në referendumin për shkarkimin e kreut të shtetit morën pjesë shumë pak qytetarë me të drejtë votë dhe kështu ai dështoi.

Në dukje me pamjen e tij rinore, Ponta duket si një nxënës shembullor por e përshkruan vetveten si "burrë të së majtës së vërtetë dhe të fortë". Ai e konsideron fare të sigurtë tani zgjedhjen president. Para balotazhit ai u premtoi bashkëkombasve të premten (14.11.) gjatë prezantimit të shifrave aktuale për ekonominë "fundin e një cikli negativ".

Përfaqësues i dy pakicave

Sfiduesi i Pontas, 55-vjeçari Iohannis është rumun por ka rrënjë gjermane dhe i flet rrjedhshëm të dy gjuhët. Me Forumin e tij Demokratik të Gjermanëve në Siebenbürgen ai para 14 vjetësh fitoi postin e kryebashkiakut në qytetin Hermannstadt. Tri herë është rizgjedhur që atëherë kryebashkiak, në kryeqytetin evropian të kulturës për vitin 2007.

Me kalimin e viteve ish profesori i fizikës u etablua në politikë, në tetor 2009 opozita donte ta caktonte kryeministër. Shumica në parlament e përkrahu por plani dështoi për shkak të Basescut. Në shkurt Partia Nacional-liberale (PNL) u përpoq ta emëronte Iohannisin zv/kryeministër dhe ministër të Rendit.

Wahlen Rumänien 2.11.2014 Klaus Iohannis

Kandidati me origjinë gjermane Klaus Iohannis

Kjo përpjekje dështoi për shkak të Pontas dhe si pasojë PNL braktisi koalicionin qeveritar dhe e bëri Iohannisin kryetarin e saj. Për një kohë të gjatë Iohannis është kujdesur për të pasur imazhin e njeriut të pastër. Por së fundi ky imazh është cënuar kur u mësua se si kryetar bashkie ishte njëkohësisht anëtar i këshillit mbikqyrës të një sipërmarrjeje lokale, që sipas ligjit rumun nuk është e lejuar.

Në zgjedhjet presidenciale Iohannis kandidon për Aleancën Liberale të Krishterë (ACL), një aleancë mes Partisë Demokratike Liberale (PDL) dhe partisë së tij PNL. Sondazhet parashikuan që ai do ta detyronte Pontan të shkonte në balotazh. Tani analistët thonë se një pjesëmarrje më e fortë e elektoratit urban në zgjedhje mund t'i siguronte atij fitoren.

Iohannis përfaqëson dy pakica shoqërore: kundërshtarët politikë me dëshirë tërheqin vëmendjen se ai si gjermano-rumun i përket kishës protestante luteriane. Në një vend popullsia e të cilit është 90 për qind ortodokse, kjo është një përpjekje për ta përjashtuar kandidatin për president Iohannis.